Hetimet


Ai u kërcënua me jetë pesë ditë para dhunës, por policia nuk i zbuloi autorët


Pas pesë ditësh kërcënim për jetën me mesazhe në telefon, persona të panjohur kanë rrahur dhe goditur me shkopinj gome drejtorin ujësjellësit, Arben Kaçorri, i cili ka qenë edhe kreu i PS-së për qytetin e Tepelenës. Ngjarja ka ndodhur të hënën, por denoncimi është bërë një ditë më pas, pasi i dëmtuari është transportuar nga Tepelena për në spitalin rajonal në Gjirokastër, ku ka marrë ndihmën mjekësore.


I dëmtuari


Sipas të dëmtuarit, ndërsa po kthehej në banesën e tij në lagjen “Selam Muzai” të këtij qyteti, dy persona të paidentifikuar më fytyra të maskuara i kanë dalë përpara dhe e kanë goditur me grushte, me shkelma dhe me shkopinj gome duke mos i lënë kohë për të reaguar dhe mbrojtur. Më pas, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes pa u identifikuar nga viktima. Para hetuesve, i dëmtuari Arben Kaçorri ka deklaruar se prej 5 ditësh ka marrë kërcënime të vazhdueshme për jetën, ndërsa gjithçka sipas tij ka lidhje me konfliktin disamujor të marrjes nga ana e tij të drejtimit të shoqërisë aksionere të Ujësjellës-Kanalizimeve të qytetit të Tepelenës.


Policia


Burime të policisë bënë të ditur zyrtarisht se një ditë pas ngjarjes, 40-vjeçari Arben Kaçorri, lindur dhe banues në Tepelenë ka bërë kallëzim tek agjentët e seksionit për parandalimin dhe hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë për arsye se në datën 17.09.2012, rreth orës 21.30, në vendin e quajtur lagjja “Selam Musai”, në momentin që po afrohej për te banesa e tij, në afërsi të hyrjes së pallatit ku banon, është ndaluar në mënyrë të befasishme nga dy persona, të cilët e kanë qëlluar me grushte dhe mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime trupore. “Shtetasi Arben Kaçorri nuk ka mundur dot t’i identifikojë personat, pasi veprimet e tyre kanë qenë të shpejta, duke përfituar edhe nga errësira”, nënvizohet në komunikatën ditore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.


Familja


Të afërmit e viktimës thanë për “Shqip” se pas ngjarjes, Arben Kaçorri është transportuar nga ana e tyre për në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku mjekët pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore kanë rekomanduar shtrimin e tij në spital për ekzaminime të mëtejshme. Burime të spitalit thonë se pavarësisht nga goditjet me mjete të forta në disa pjesë të trupit, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën e tij. Sikurse është bërë e ditur, prej afro një vitit, Arben Kaçorri ka qenë i përfshirë në një konflikt lidhur me marrjen e postit të drejtorit të Ndërmarrjes aksionere të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe pak muaj më parë është konfliktuar fizikisht me ish-drejtorin që refuzonte të dorëzonte detyrën që nga QKR-ja ishte miratuar dhe emëruar Kaçorri.


Konfliktet


I zgjedhur së fundi nga asambleja e aksionarëve si përfaqësuesi ligjor i shoqërisë, ky vendim ka sjellë ashpërsim të mëtejshëm të konfliktit mes palëve. Konflikti zë fill menjëherë pas marrjes së drejtimit të strukturave të qeverisjes vendore në rang qarku nga PS, ku edhe për shkak të numrit të lartë të komunave nga kjo forcë politike është kërkuar edhe ndërrimi i drejtuesve të Asamblesë Shoqërisë së Ujësjellësit në Tepelenë. Qysh prej fillimit, kjo është kundërshtuar nga drejtuesit aktualë, ndërsa vetë ish-drejtori Vladimir Bakiraj nuk ka pranuar të njohë asamblenë e re të krijuar nga forcat politike të së majtës. Deri më sot drejtimi i kësaj shoqërie vijon të jetë prej tij, ndërsa asambleja e re e së majtës ka nisur prej muajit prill procesin gjyqësor pranë Gjykatës së Rrethit Gjirokastër për motivacionin mbi falsifikimet e dokumentacionit të kësaj shoqërie. Vetëm pak ditë më parë në datën 7 shtator Arben Kaçorri mundi të marrë vendimin nga QKR, që e emëron atë si drejtues ligjor të Ujësjellësit Tepelenë. Ç. J.