Seanca
Kryeministri, akuza të ashpra ndaj Topit, por në fund s’merr pjesë në Kuvend
BLEDAR HOTI
Kuvendi i Shqipërisë, pas një seance maratonë, votoi në unanimitet të plotë ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të administratës shtetërore. Me 130 vota pro, asnjë kundër dhe abstenim, mazhoranca dhe opozita shprehën vullnetin për heqjen e imunitetit. Në votimin në seancën e Kuvendit ra në sy mungesa e Kryeministrit Sali Berisha, si dhe të një pjese të ministrave të kabinetit qeveritar. Ndonëse seanca kuvendore ka nisur në orën 12:00, kreu i mazhorancës ka mbërritur në seancë në orën 15:15 dhe aty ka mbajtur qëndrimin e tij anatamues ndaj opozitës, sa i përket nismës së dytë për zgjedhjen e zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të gjykatave me një shumicë të cilësuar votash. Në seancë ka rënë në sy mungesa e ambasadorëve. Trojka është përfaqësuar në seancë me drejtuesit e niveleve të dyta dhe të treta.
LSI abstenon për PS-në
Votimi i parë për ndryshimin e Kushtetutës ka qenë për heqjen e imunitetit, ndërsa i dyti lidhej me nismën e PS-së. Në këtë votim, pro saj kanë votuar 60 deputetë të opozitës. Ndërsa 63 deputetët e mazhorancës votuan kundër. Në këtë proces votimi ra në sy vota abstenuese e aleatit kryesor të PD-së, LSI. Deputetët Ilir Meta, Vangjel Tavo, Nasip Naço dhe Lefter Koka abstenuan me votën e tyre. Edhe dy deputetët e tjerë, Gazmend Oketa i FRD-së dhe i pavaruri, Kastriot Islami, abstenuan. Gjithsej në këtë proces votimi, pati 6 abstenime.
Debati
Gjithsej ka pasur 18 diskutantë, pa përfshirë këtu ndërhyrjet e Kryeministrit Sali Berisha. Mazhoranca e ka cilësuar jo normale nismën e PS-së, duke theksuar se kjo synon bllokimin e funksionimit të institucioneve. Ndërsa PS-ja, nga ana e saj, bëri të ditur se kjo garanton funksionimin e institucioneve në mënyrë të pavarur dhe nuk i vendos nën tutelën e një partie të vetme. Kryeministri Sali Berisha ka qenë tepër i ashpër në diskutimin e tij, ku përherë të parë akuzoi ashpër ish—presidentin Bamir Topi. “Ju nuk jeni të besueshëm, sepse qëndrimi juaj në periudhën e shkatërrimit, për të mos thënë e shpartallimit të sistemit të drejtësisë nga Topi juaj dhe faqeziu tjetër është periudha më e zezë. S’do të mund të flisja kurrë kështu, po të mos ishin faktet, se si ju u dystuat në një veprimtari të turpshme, në një veprimtari kriminale ndaj institucioneve të vendit, ndaj këtyre dy personave për faktin e vetëm se ata punonin kundër meje dhe unë ju sodisja ju. Unë ç’është e vërteta, ju më lehtësonit mua, se unë kisha përgjegjësitë e mia dhe përgjegjësitë e mia ishin këto, që unë isha autori i propozimit të të dyve për ato vende. Por në qoftë se opozita do t’i thoshte vetes opozitë, në qoftë se opozita ishte e vendosur dhe që besonte në parimet e demokracisë, akti i parë që bënte kur këta zotërinj, ato institucione të nderuara po i sillnin ashtu siç thoshte poeti ynë i nderuar, Dritëro Agolli dikur, kur i transformuan në atë mënyrë, ju si opozitë duhet të ngriheshit fuqishëm të vendosnit qeverinë me shpatulla pas murit për ta, por ju ndanit trofetë e veprimtarisë së tyre shkatërrimtare, ju ndanit trojet dhe pronat me ta”, tha Berisha. Më tej, ai theksoi se “kjo është e vërtetë, pasi Topin e reformuan lejet e ndërtimit. Si e reformuat ju atë? Çfarë ndodhi sot në sistemin e drejtësisë, shkoni dhe flisni me gjykatës. Kam ndjerë dhimbje të mëdha kur raportet ndërkombëtare dëshmonin fakte të tilla se ‘për t’u transferuar nga Durrësi në Tiranë duhet të paguaje 50 mijë euro’. Ndërsa opozita i kërkonte Kryeministrit që Topin ta çonte në gjyq dhe të mos fliste në Parlament”.
Shifrat
Votimi i parë për ndryshimin e Kushtetutës ka qenë për heqjen e imunitetit, ndërsa i dyti lidhej me nismën e PS-së. Në këtë votim, pro saj kanë votuar 60 deputetë të opozitës. Ndërsa 63 deputetët e mazhorancës votuan kundër
Batutat
Berisha: Ristani, ylli i KQZ-së
Kryeministri Sali Berisha, i rrëmbyer nga diskutimi i tij tejet i gjatë, duke tentuar të akuzojë ish-kreun e KLD-së, Kreshnik Spahiu, e ka ngatërruar me kreun e KQZ-së, Arben Ristani. “Fajin e ka faqeziu i KQZ-së. Po, po, ai e ka fajin, faqeziu i KQZ-së”, tha Berisha në fjalën e tij. Për disa herë, ai e ka përmendur këtë shprehje, por Kryeparlamentarja Topalli, si tepër e vëmendshme ndaj diskutimit të Kryeministrit, i ndërhyri, duke e korrigjuar. “Jo faqeziu i KQZ-së”. “Jo ai, ai i është ylli i KQZ-së”, ka lëshuar menjëherë batutën Kryeministri në adresë të Ristanit. Por batutat kanë qenë dhe ndërmjet Ruçit dhe Berishës. “Ti zoti Berisha vepron si ajo kënga ‘të tjera bën e të tjera thua’”. Ndërsa Berisha i kundërpërgjigj me shprehjen “vargu i këngës së folklorit vijon: mos dëgjo mamanë”, duke nënkuptuar që PS-ja të mos e dëgjojë Ramën.
Relatori i PS-së
Majko mbron qëndrimin e opozitës
Pandeli Majko, në një intervistë për “Top Channel” u shpreh se “kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese, nuk diskutohet humbja apo fitorja”. Sipas tij, çështja e imunitetit ishte e mbyllur për opozitën, ndërsa pjesa tjetër, ajo që i takon propozimeve për ndryshimet kushtetuese, ishte pjesë e një pozicioni politik, që Majko paralajmëroi se shumë shpejt do të jenë në qendër të vëmendjes. Kritikave për tërheqje të opozitës përballë presionit të mazhorancës, deputeti socialist iu përgjigj se nuk bëhet fjalë për tërheqje, por për qëndrime racionale. PS, tha ai, ka mbajtur një qëndrim koherent gjithmonë, edhe për rastin në fjalë, atë të heqjes së imunitetit. “Redaktimi i draftit nuk tregon mungesë serioziteti. Ndërhymë në momentin e fundit me bashkëpunimin e konstitucionalistëve në atë mënyrë që nuk vendos edhe deputetët, edhe gjykatësit të barabartë me ligjin, sepse gjykatësi nuk ka pronë fjalën, por vendimin”, argumentoi Majko.