Ndërsa ka përshëndetur arritjen e konsensusit për votimin e djeshëm të projektligjit për heqjen e imunitetit të zyrtarëve, kreu i LSI-së Ilir Meta i ka quajtur spekulim zërat për një ftohje të mundshme të marrëdhënieve me PD. I pyetur për faktin se pse LSI abstenoi për sa i përket propozimeve të Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese në reformën në drejtësi, dhe aktin normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve, Meta ka sqaruar se kanë qenë pozicione politike dhe thjesht vlerësim i partisë për çështjet në fjalë.


“Abstenimi për ndryshimet që u sollën për lirimin e banesave të ish pronarëve erdhi pas mosmarrjes në konsideratë të kërkesës sonë për të vijuar dialogun në mënyrë që jo vetëm të jepej një zgjidhje për kthimin e pronave të zëna me qira pronarëve të ligjshëm, por edhe për të evituar një diskriminim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që jo për fajin e tyre por të sistemimit të kaluar dhe njëkohësisht edhe për shkak të paaftësisë për t’i dhënë një zgjidhje gjatë këtyre dy dekadave, mund të dalin në rrugë të madhe. Në këto kushte kur e pamë të pamundur që të jepej më shumë kohë për të vijuar dialogu dhe për një zgjidhje sa më të plotë menduam që ai ishte qëndrimi më normal. Ndërsa për çështjet e tjera absolutisht që mendoj se çdo gjë tjetër është spekulim”, u shpreh Meta, i cili ka theksuar se koalicioni qeverisë PD-LSI ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme.


“Ne i jemi përmbajtur me përpikmëri të gjithë marrëveshjes kuadër PD-LSI. Natyrisht që për çështje të caktuara ne kemi pasur qëndrimet tona që kanë të bëjnë me vetë identitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim apo me bindjet tona për zgjidhjet që mund të ofroheshin apo të ofrohen. Unë mendoj se koalicioni ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme. Edhe brenda një partie ka mendime të ndryshme dhe nuk ka pse të mos ketë mendime të tilla edhe midis partnerëve në një koalicion”, u shpreh Meta.


Më tej i pyetur për pretendimet e LSI-së për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Meta nuk është përgjigjur drejtpërdrejtë nëse do të kërkojnë për kryetar apo anëtar, por ka thënë vetëm se: “Ne do të kontribuojmë sa më pozitivisht për konsolidimin e një KQZ-je sa më të pavarur, sa më përfaqësuese, që të justifikojë të gjithë atë iniciativë ndryshimi për të shtuar garancitë për zgjedhjet e ardhshme”.


19 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)