Diplomacia
Rusia i fal borxhet Koresë së Veriut
Federata e Rusisë njoftoi se i ka falur 90 për qind të borxhit prej 11 miliardë dollarësh Koresë së Veriut dhe se do të fillojë të investojë në këtë shtet të mbyllur aziatik. Koreja e Veriut është një nga vendet më të varfra në planet. Moska njoftoi se rreth 1 miliard dollarë borxhe që shteti komunist do t’i kthejë, do të riinvestohen në këtë vend për energji e arsim, si dhe do të jepen në formën e ndihmës për zhvillim. Borxhi ishte krijuar nga koha kur Koreja e Veriut ishte një shtet satelit i Bashkimit Sovjetik.
Disa pjesë të bashkësisë ndërkombëtare janë përpjekur të rilidhin marrëdhëniet me shtetin komunist, me shpresën se udhëheqësi i ri i këtij vendi do të punojë për t’i dhënë fund izolimit dhe varfërisë.
Analistët thonë se ka shumë gjasa që Rusia do të investojë në ndërtimin e hekurudhave dhe linjave të energjisë elektrike. Rusia po vlerëson mundësinë edhe të ndërtimit të një gazsjellësi për në Korenë e Jugut, një treg shumë i rëndësishëm ky dhe një gazsjellës i tillë do të duhet të kalojë nga Koreja e Veriut. Dy Koretë mbeten teknikisht në gjendje lufte dhe janë të ndara nga kufiri më i militarizuar i botës.
Koreja e Veriut ishte më pranë Moskës se sa Pekinit gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ndërsa rënia e Bashkimit Sovjetik krijoi një krizë të madhe në të gjitha vendet kufitare. Finlanda, Suedia e vende të tjera kaluan në një krizë afatshkurtër pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe shkatërrimit të tregtisë me këtë vend, ndërsa Koreja e Veriut dhe Kuba ranë në krizë të thellë dhe permanente, nga të cilat nuk e kanë marrë veten ende. Rusia realizon gjysmën e eksporteve të veta në Europë, por synon të ulë varësinë e saj nga kontinenti i vjetër, duke fuqizuar lidhjet në Azinë e Largët.