Banorët e Ishmit protestojnë për situatën, kërkojnë zgjidhje të shpejtë


Ndërsa shoferët shprehen të pakënaqur për uljen e kuotizacionit të vendosur nga qeveria


Vali Qyrfyçi


Ulja e shpenzimeve qeveritare cenon përmes fondeve publike transportin e nxënësve të zonave rurale drejt shkollave, duke rrezikuar që shumë prej tyre të mos ndjekin mësimet. I propaganduar fuqishëm si një nga përparësitë e vendit në rrugën drejt zhvillimit, arsimi në fshatra përballet jo vetëm me klasat kolektive, cilësinë e mësimdhënies, por edhe me distancat e largëta të shkollave nga vendbanimet dhe tashmë, në disa raste përballen me probleme në sigurimin e transportit.


Prindërit


Prindër dhe fëmijë të fshatrave ndryshëm të Komunës Ishëm kanë protestuar ditën e djeshme lidhur me mungesën e transportit të nxënësve në shkollat e komunës. Fëmijët duhet të ecin kilometra të tëra për të mbërritur në shkollën e fshatit më të afërt, ndërkohë që subjekti që bënte transportin e tyre vitet e kaluara ka ndërprerë shërbimin për shkak të uljes së pagesës së transportit nga 75 lekë në ditë për fëmijë në 41 lekë. Por, veç uljes së kuotizacionit, tashmë janë shfaqur edhe probleme me kontraktimin e subjektit për të kryer shërbimin. Agim Cani, prind dhe anëtar i Këshillit Komunal Ishëm, shprehet mjaft i shqetësuar për situatën, pasi mjaft fëmijë nuk arrijnë të frekuentojnë rregullisht procesin mësimor, ndërsa debatet që karakterizojnë komunikimin midis Komunës Ishëm dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës mund të zgjasin pa dhënë zgjidhje. “Në rast se zgjidhja nuk vjen brenda pak ditësh ne do të përshkallëzojmë protestën tonë, duke përfshirë në të të gjithë familjet që preken nga kjo situatë absurde”, shprehen banorë të fshatrave të Ishmit. Protesta, ditën e djeshme ka nisur në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Xhelal Shtufi” të fshatit Shkafane për t’u zhvendosur drejt Durrësit.


Arsimtarët


Përveç prindërve dhe nxënësve që duhet të ecin mbi 7 kilometra në ditë, ndërkohë që ka nisur stina e shirave, kjo situatë ka shqetësuar edhe drejtues të shkollave 9-vjeçare të komunës, të cilëve u cenohet procesi mësimor, pasi shumë prej nxënësve vijnë nga fshatra të largët. Fatbardha Ylli, drejtoreshë e shkollës “Xhelal Shtufi”, Shkafane, thotë se i duhet dhënë një zgjidhje sa më e shpejtë kësaj gjendjeje, pasi fëmijët nuk duhet të ndërpriten nga procesi mësimor, për një problem që duhet të marrë zgjidhje nga autoritetet përkatëse. Shqetësimi i banorëve është përcjellë si në Komunën e Ishmit, ashtu edhe në Drejtorinë Arsimore, që në ditën e parë të vitit të ri shkollor, por ndonëse ka kaluar java zgjidhja duket larg.


Pengesa


Një Vendim i Këshillit të Ministrave me nr. 709, i dalë në tetor të vitit të kaluar, ngarkon pushtetin vendor me të drejtën e përzgjedhjes së subjektit të licencuar që do të ofrojë shërbimin e transportit për fëmijët e arsimit 9-vjeçar, ndërsa shpenzimet e këtij transporti nxënësish që ndjekin arsimin bazë larg vendbanimit të tyre, në distancë mbi 2 km, përballohen nga fondet publike. Mungesa e një komunikimi të qartë mbi këtë VKM ka sjellë paqartësi mes Komunës Ishëm dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale. Më parë subjektet përzgjidheshin nga DAR dhe problemet nuk kanë munguar në përzgjedhjen e operatorëve, por tashmë vendimi përcakton qartë rrugën që duhet ndjekur.


Kryekomunari


Ndërkaq, drejtuesit e Komunës Ishëm shprehen se nuk kanë subjekte të licencuara për shërbimin e transportit të brendshëm publik në zonë dhe rrjedhimisht nuk mund të përcaktojnë subjektin, aq më tepër që dhe subjekti paraardhës ashtu si dhe të tjerë të kontaktuar, shprehen të pakënaqur me uljen e kuotës ditore për transport të nxënësve, në një kohë që çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm dhe rrugët e territorit të komunës janë malore. Sulejman Rushiti, kryetar i Komunës Ishëm, së bashku me një përfaqësi prindërish kanë takuar ditën e djeshme drejtorin e DAR-it, Filip Gjonçi, dhe juristen e këtij institucioni për t’u sqaruar, por ende problemi mbetet i pazgjidhur për afro 300 nxënës të kësaj komune, ndërsa palët dje kanë vendosur t’ia besojnë zgjidhjen e problemit juristëve të prefekturës së qarkut, si një palë e tretë në këtë çështje.


 


Sarandë


Aksidentohet furgoni, plagosen rëndë dy nxënës


Teksa në Durrës, prindërit kërkojnë zgjidhje për transportin e fëmijëve të tyre në shkolla, një mjet me nxënës në Sarandë është aksidentuar, duke sjellë plagosjen e rëndë të shoferit dhe plagosjen më të lehtë të dy nxënësve. Burime nga policia lokale në qytetin bregdetar bëjnë të ditur se fugoni me nxënës është aksidentuar mesditën e djeshme në aksin rrugor Livadhia-Sarandë, ku furgoni, i cili po transportonte nxënësit ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një kamionçinë. Për pasojë është plagosur rëndë drejtuesi i fugonit, Kamber V., ndërkohë që plagë më të lehta kanë marrë motër e vëlla, Aurora dhe Rikardo T., përkatësisht 17 dhe 15 vjeç. Menjëherë të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Sarandës, ku po marrin edhe ndihmën mjekësore, ndërsa policia, e cila ka shkuar në vendngjarje, ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Në furgonin e aksidentuar mësohet se ka pasur edhe nxënës të tjerë, ndërkohë që kjo nuk është hera e parë kur mjete me nxënës aksidentohen me pasoja të rënda.