ARTAN MULLAJ


Në analizën e tij të fundit, Skënder Minxhozi, sillte në vëmendje të dhënat e “Qendrës për Çështjet Europiane dhe të Sigurisë, pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim”, sipas së cilës, krimi në Shqipëri është mbi dyfish më i lartë se në vendet e tjera të rajonit. Shifër e frikshme, por jo e papritur. Brezi ynë po shikon gjithnjë e më shumë njerëz të vdekur rrugëve, lokaleve, banesave. Publiku shqiptar bombardohet çdo ditë e më tepër me lajme të kobshme. Fëmijët tanë shohin në çdo edicion lajme me njerëz që hidhen nga ballkonet, me koka të prera, me trupa të copëtuar grash, me vrasje në autobus për motive banale, me krijesa që lënë frymën e fundit në trotuare e asfalte, me policë që lënë fëmijët e tyre jetimë për hir të detyrës.  Çdo kohë ka kufoma të reja në territorin e Shqipërisë, që shtohen përditë e më shumë. Janë kufoma vrasjesh makabre, që shtohen vrullshëm.  Shtohen… shtohen si për të krijuar një turmë shpirtrash, një turmë hijesh, që lëviz nga thellësia e botës tjetër drejt dyerve të qeverisë së Sali Berishës, për të kërkuar shpagim për ikjen e parakohshme nga kjo botë dhe llogari për vlerën e cunguar të jetës…


 


***


Të flasim për realitetin. Vendi është në krizë të thellë. Këtë e pranojnë në heshtje edhe kabinarët e Kryeministrit, me gjithë euforinë e turpshme të sukseseve të mëdha, që ai publikon neveritshëm në kohën më të errët të vendit. Në çdo statistikë dhe në çdo parashikim, të dhënat e ekonomisë sonë nxijnë që larg prej varfërisë, papunësisë, rritjes së ulët ekonomike. Biznese të mbytura në borxhe, biznese që falimentojnë, biznese që ndëshkohen. Fshatarë që vit pas viti hedhin prodhimet në lumë dhe shpenzojnë më shumë nga ç’prodhojnë. Mbrapa aktiviteteve private nuk mund të mos ndiesh dëshpërimin e pronarëve, tek shohin se si rrënohet pasuria e tyre; se si shkojnë dëm vitet e punës, se si prishen gabim paratë e vështira të emigrimit.


Të flasim për gjëra serioze. Nëse biznesi shqiptar është në vështirësi, arsimimi është drejt katastrofës. Arsimi shqiptar ka lidhje me arsimin, vetëm nëpërmjet ortografisë së përcaktuar në fjalorin e gjuhës. Kushtet mizerabël për shumicën e nxënësve i shtohen  realitetit arsimor me mësues militantë të zbritur nga hallet, nga malet, që lanë gunat dhe kërrabat për të edukuar brezin e ri në kryeqytet. Diploma false, universitete fantazma, pedagogë të korruptuar e hajdutë, maniakë seksualë e parash, me zarfe ryshfetesh në xhepa, si një fyerje dhe një kurth i së ardhmes, në çdo anë…


Të flasim për gjëra edhe më serioze. Nëse biznesi shqiptar mezi mbushet me frymë, shëndetësia ka perënduar sytë. Shqiptarët paguajnë gjithë jetën sigurime që nuk ofrojnë asnjë siguri realisht. Çdo gjilpërë, çdo shërbim, çdo aspirinë, çdo mjekim, çdo operacion duhet paguar deri në një. Në spitalet tona do të ndeshësh patjetër doktorë amfitikë, me bisturi dhe dollarë në duar, që u thëthijnë pikat e fundit të gjakut pacientëve të pashpresë; xhambazë ilaçesh, infermiere si laviret e telenovelave, që sëmurin më keq fatkëqijtë e sëmurë me sjellje, me shërbime dhe mjekime të skaduara.


Të flasim për gjëra shumë serioze. Çdo vend i botës, diktaturë apo demokraci, e ka një shtet. Ne nuk kemi një të tillë. Shqipëria nuk ka shtet. Shqipëria ka një klikë që sundon. Ka një bandë të korruptuarish, që e përdhunojnë këtë vend në çdo cep, e shqyejnë, e vjedhin, e shpërdorojnë dhe e shkarravitin në të gjitha kuptimet. Në Shqipëri ka një bandë të cilës “nuk i rruhet” shumë për njeriun, për biznesin, për arsimin, për shëndetësinë, për pasurinë e vendit, për kufijtë shtetërorë, për cilësinë dhe sigurinë e jetës, për fëmijët dhe për moshën e tretë.


Me të drejtë Skënder Minxhozi në shkrimin e tij shtron pyetjen: Nëse shteti nuk bën ato gjëra për të cilat është krijuar, për çfarë duhet tjetër?


Natyrisht, ky “shtet” që nuk është shtet, ekziston për të na vjedhur e poshtëruar çdo ditë. Çfarë duhet të ndodhë më shumë se kaq që njerëzit të kuptojnë se vendi është në një situatë dramatike? Pak më shumë se 8 muaj para zgjedhjeve, Shqipëria i ka të gjitha shenjat për të rrëshqitur drejt kolapsit të plotë. Tetë vjet në pushtet, nuk kanë lënë qelizë të paprekur. I kanë futur thonjtë në bregdet, kanë mjelë doganat, kanë rrëmbyer shërbimet, kanë monopolizuar energjinë, kanë shtuar kriminelët, kanë shtuar të vdekurit, kanë shtrenjtuar jetesën, kanë shitur pasuritë e pakta, kanë rrënuar gjithçka. Tetë vjet, kjo kastë barbarësh ka gllabëruar gjithçka të brishtë kish ky vend si pronë publike. Këta barbarë sundojnë, përbuzin, vrasin, zaptojnë. Kanë sjellë plehra nga jashtë, kanë vjedhur zgjedhjet, kanë betonuar pushtetin, kanë shtuar terrorin, kanë shitur territorin, kanë shkatërruar tokën, pyjet, natyrën.


 


***


Prandaj ky pushtet duhet të bojkotohet. Situata nuk ngre më dialog, reforma, tolerancë dhe mirëkuptim. Opozita e ka marrë shtruar, të huajt moralizojnë dhe “marrin çadrat me vete në ditët me diell”. Të gjithë ne presim ndryshimin që nuk ka pse të vijë sa kohë që nuk bëjmë asgjë për ta pasur atë. Ne jemi dëshmitarë të heshtur, ndërkohë që bastardët i kemi si gjarpërinj nëpër këmbë. Kanë rrëmbyer një kazmë në duar për të shkatërruar çdo gjë. Çdo ditë heqin një gur dhe një kafkë nga themeli i mbetur i shtetit. Çdo seancë do të bëjnë një vjedhje të re. Çdo aksion do të shkaktojnë një fatkeqësi të pashembullt. Mbrapa shpinës së tyre do të ketë gjithmonë të pafajshëm të vrarë dhe jetimë të pashpresë. Në këtë neveri e batërdi, populli nuk ka pse të shpresojë në mbështetjen e të huajve, ndërsa këta, vazhdojnë e japin leksione demokracie në konferenca dhe bëjnë sehir se si çdo ditë e më shumë varfërohen shqiptarët, vriten shqiptarët, vidhen shqiptaret, poshtërohen: Për çfarë na duhen këto leksione, sa kohë shohim se si vritet e ardhmja e fëmijëve tanë?


Sot një grusht njerëzish të pështirë na qeverisin. Europa do të jetë e shëmtuar nëse rrugës drejt saj udhëhiqemi prej tyre. Në djall integrimi! Në djall rekomandimet! Askund nuk gjendet arsyeja se përse pushteti duhet të vazhdojë të jetë ende në duart e tyre: Është e qartë për të gjithë. Ky pushtet përdoret jo për të përmirësuar jetën tonë, por për ta rrënuar atë. Askund nuk gjendet arsyeja se përse këta barbarë vendosin ende për ne, për fatet tona, për buzëqeshjen e fëmijëve tanë. Askund nuk gjendet shpjegimi se përse duhet të jetë pikërisht në dorën e këtyre palaçove fati i pasurisë së shqiptarëve, ndërkohë që si pijavica, çdo ditë i thëthijnë palcën e mbetur këtij vendi të mjerë. Përse duhet të vendosin ata për zgjedhjet tona: për bukën që hamë, për bluzën që veshim, për të dashurën që njohim, për mbeturinat që hyjnë, për shkollën, për shëndetin dhe naftën. Ju kemi varur ujqërve mëlçitë në qafë. Po i lamë, shumë shpejt, do të na shqyejnë edhe zemrën.