Deputeti socialist, Eduard Shalsi, ka vijuar sot akuzat për skandalin e reklamave shtetërore, me të cilat janë paguar media dhe subjekte pranë qeverisë. Sipas Shalsit ndërkohë që kryeministri, i cili ka detyrimin ligjor të japë shpjegime për këto abuzime, vazhdon të heshtë.
“Për të dytën ditë rresht për abuzimet me reklamat nuk përgjigjet shpërdoruesi i parave publike Sali Berisha. Por në emër të qeverisë përgjigjet televizioni Klan dhe Aleksandër Frangaj. Por nëse Aleksandri mund të dehet me paratë e publikut është Sali Berisha që duhet të përgjigjet për shpërdorimin e parave për të dehur Aleksandër Frangajn. Është e kuptueshme përse e bën Saliu këtë. Që pastaj i dehuri i televizionit kombëtar Klan të mos i shërbejë me publikut, por të shajë mbarë e prapë opozitën për llogari të Saliut. Megjithatë, të sharat ordinere të Frangajt na bëjnë përshtypje vetëm si shkallë degradimi e pushtetit të kalbur të Sali Berishës. Ne nuk do na ndalojnë të zbulojmë një e nga një para shqiptarëve thasët e parave publike që janë zbrazur në oborrin mediatik të këtij pushteti”, deklaroi Shalsi gjatë një daljeje publike nga selia rozë.
Më tej ai ka shprehur vendosmërinë e Partisë Socialiste për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së këtij skandali dhe ka siguruar se në ditët në vijim do të ketë denoncime edhe për ministri të tjera që kanë shpenzuar në mënyrë klienteliste të ardhurat e buxhetit.
“Do të vijojmë nesër të numërojmë thasët e parave publike që kanë dalë nga ministri të tjera për të paguar shërbimet që TV Klani i bën Saliut dhe pushtetit të tij abuziv. Do të shikoni vetë me shifra e fakte se çfarë paguan çdo shqiptar për të gjithë baltën e gënjeshtrave dhe shpifjeve që prodhon përditë Aleksandër Frangaj”, ka deklaruar Shalsi.
19 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)