Gjykata e shkallës së parë në Shkodër liron nga paraburgimi Leonard Nikën, të dyshuarin për vrasjen e Frederik dhe Jurgen Markut, babë e bir. Gjykata e Shkodrës kishte caktuar 15 ditë afat prokurorisë për të sjellë provat që implikojnë të ndaluarin si bashkëautor në kryerjen e krimit të dyfishtë. Por pas mbarimit të masës së arrestit nga organi i akuzës dhe nga policia nuk është arritur të sillet  ndonjë provë bindëse dhe në këto kushte trupi gjykues ka vendosur pushimin e çështjes ndaj 25-vjeçarit Leonard Nika.


Ky i fundit ka mohuar gjithmonë përfshirjen e tij në ngjarjen e 30 gushtit, pranë spitalit të Shkodrës. Përpara trupit gjykues ai ka deklaruar se: “Mëngjesin e 30 gushtit jam thirrur në polici për të dhënë dëshminë time në lidhje me zënkën e një dite më parë në Theth dhe pasi kam firmosur deklaratën në polici jam lënë i lirë nga ku më pas unë jam nisur për tek vëllai im në Velipojë. Më vonë nga të afërmit e  mi kam marrë vesh se policia më kërkonte sërish. Jam kthyer në Shkodër, kam shkuar vetë të takoj inspektorin e policisë të lagjes sime për të mësuar ndonjë gjë më shumë. Ky më ka thënë se më kërkonin për një verifikim. Kur kam shkuar atje më janë vënë prangat dhe më kanë thënë se akuzohem për pjesëmarrje në vrasjen e Frederik Markut dhe plagosjen e djalit të  tij Jurgenit”.


Pasditen e datës 30 gusht, Frederik dhe Jurgen Marku, babë e bir,kanë rënë pre e një atentati. Në momentin që janë qëlluar, viktima me të birin po lëviznin me automjetin e tyre, kur në afërsi të Spitalit Rajonal të Shkodrës janë qëlluar nga një breshëri automatiku. Për pasojë, 46-vjeçari Frederik Marku, i cili po drejtonte automjetin, ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa i biri, Jurgeni, ka ndërruar jetë pak ditë më pas në spitalin e Shkodrës.


Shkak i ngjarjes është bërë sherri i një nate më parë në fshatin Theth të Dukagjinit, ku viktima, i cili është dhëndër në këtë fshat dhe kishte nisur ndërtimin e një hoteli në zonën turistike, ka pasur një konflikt me një banor të zonës. Konflikti ka qenë një grindje e çastit e të birit të viktimës me një shokun e tij. Pasi janë përleshur fizikisht, viktima ka shkuar për t’i dalë zot të birit dhe ka goditur me qytë pistolete shokun e djalit. Pas ngjarjes, të dyja palët janë shoqëruar në polici, ku kanë qëndruar gjithë natën dhe janë nxjerrë nga policia dje në mesditë pas procedurave të kryera në komisariat, por vetëm dy orë pasi kanë dalë nga ambientet e policisë, palët në konflikt kanë vazhduar sherrin, duke e qëlluar për vdekje shtetasin Frederik Marku, i cili një natë më parë kishte goditur me qytë pistolete një shok të të birit.


19 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)