Kërkohen udhëheqës të aftë për t’i dhënë mbështetje politike dhe materiale


Qeveria franceze po shqyrton mundësinë për të armatosur rebelët në Siri si një mënyrë për t’i dhënë fund luftës më shpejt, por shqetësimi në shumë kryeqytete perëndimore është që opozita nuk disponon ende një udhëheqës bindës dhe të besueshëm për Perëndimin. Shumë ekspertë besojnë se zgjatja e konfliktit ka krijuar kushtet për rritjen e numrit të forcave xhihadiste dhe sektare, të cilat, në rast se armatosen nga Perëndimi kundër Assad mund të kthejnë armët kundër njëra-tjetrës më vonë pa i dhënë fund kaosit.


Zyrtarët perëndimorë thonë se tashmë është e sigurt se një numër i madh luftëtarësh xhihadistë të huaj kanë hyrë në Siri, por nuk është e sigurt nëse ndonjë nga këta vullnetarë ka lidhje me Al-Kaedën apo jo.


“Kjo nuk është situata që mundet të kontrollohet nga perëndimorët”, thotë një ekspert për agjencinë “Reuters”. Gjërat mund të komplikohen nga natyra e decentralizuar e forcave opozitare dhe faktit që Siria është një vend jo shumë kompakt nga pikëpamja fetare dhe etnike.


“Ne kemi nevojë për udhëheqës politikë dhe ushtarakë që të kenë objektiv të qartë për të arritur një zgjidhje politike dhe për t’u dhënë fund luftimeve”, thotë një zyrtar perëndimor. “Përndryshe rrezikohet të dërgohet armatim për të zgjatur më tej luftën dhe vuajtjet e popullatës”, shton ai. Perëndimi është përpjekur të krijojë një opozitë të bashkuar duke financuar konferencat e grupeve politike në emigrim, por është shumë e paqartë se sa ndikim kanë realisht politikanët në emigrim mbi njerëzit në terren.


Përveç çështjeve humanitare si mbrojtja e popullsisë civile, Perëndimi shqetësohet për sasinë e konsiderueshme të armëve kimike që zotërohen nga ushtria Siriane, armë që mund të bien në duart e terroristëve në rast se regjimi ndihet i kërcënuar për t’u rrëzuar.


Ndërkohë, perëndimorët nuk janë në gjendje t’i besojnë gjithçka Këshillit Kombëtar të Sirisë, një grupi në emigrim nga i cili fillimisht pritej të krijohej një farë qeverie tranzitore, por udhëheqësit e saj hynë në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe duket se kanë pak ndikim në realitetin sektar të Sirisë. Tani objektivi kryesor i bisedimeve është Ushtria e Sirisë së Lirë, e cila po tregohet e aftë në luftën kundër forcave të Assad dhe ka nën kontroll efektiv një pjesë të vendit.