Arrestohet për mitmarrje shefi i komisariatit të Korçës, Nikolin Thana. Lajmi është bërë publik nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli, i cili ka sqaruar se : “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me seksionin e Task Force të Prokurorisë së rrethit Korçë, arrestoi sot në kushtet e flagrancës Shefin e Komisariatit Korçë, Kryekomisar Nikolin Thana, duke marrë si mitmarrje shumën prej 100 mijë lekësh.
Së bashku me Kryekomisar Thanën, janë arrestuar në kushtet e flagrancës edhe Jetnor Hysenllari, punonjës i komunës Voskopojë, Arben Hasanllari, punonjës i policisë së komunës Voskopojë, si edhe shtetasi Hysni Myrtollari”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme.
Nga i njëjti burim është saktësuar se zyrtarët e policisë dhe të komunës në këmbim të favoreve të ndryshme, përfitonin shuma të ndryshme lekësh. “Prej disa kohësh, pas sinjalizimeve për afera korruptive, SHKB, kishte filluar hetimet, ndaj tij”, thuhet më tej në deklaratë.
20 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)