Bombardohet periferia e Damaskut, rebelët kapin pikën kufitare me Turqinë
Luftime të ashpra u regjistruan dje në kryeqytetin e Sirisë, Damask, si dhe në qytetin verior të Alepos. Aktivistët raportojnë se forcat qeveritare po shtypin kryengritjen në një lagje të jugut dhe banorët po përjetojnë çaste të dëshpëruara. Media shtetërore raporton se ushtria ka vrarë shumë “terroristë”.
Më herët, “Amnesty International” paralajmëroi se sulmet me artileri dhe nga ajri po shkaktonin rritje dramatike të numrit të viktimave mes civilëve në qytetet Idlib dhe Hama. Raporti thotë se vuajtjet e njerëzve të zakonshëm në këto zona nuk janë raportuar mjaftueshëm, për shkak se vëmendja e botës është përqendruar në Damask dhe Alepo. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Salehi, zhvilloi bisedime me Presidentin Bashar al-Asad në Damask. Salehi tha se zgjidhja e konfliktit duhet të kryhet “brenda familjes siriane”.
Re të zeza dhe të bardha tymi u ngritën mbi Damask përgjatë së gjithë ditës. Vazhdimisht kishte sirena ambulancash. Tashmë në disa lagje ka bombardime të rregullta nga qeveria, shumica në periferitë ku dihet se ka prani të opozitës. Shumica e predhave duket se vijnë nga mali mbi Damask. Një punëtor ndihmash tha se po strehohej në bodrum, për shkak të bombardimeve të vazhdueshme.
Në të gjithë qytetin janë shfaqur shumë pika kontrolli ku valëviten flamuj të Sirisë dhe janë varur foto të Asad. Luftimet në kryeqytet filluan korrikun e kaluar dhe palët nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë përparim të dukshëm. Disa lagje janë dëmtuar rëndë nga bombardimet. Rebelët publikuan video në internet ku shfaqen helikopterë që godasin me raketa, ndërsa në tokë mund të numërohen më shumë se 20 trupa të vdekurish.