Aktorja amerikane e cila luan në filmin që shkaktoi qindra protesta në botën arabe, pasi konsiderohet fyes për Islamin dhe profetin Muhamed, ka paditur regjisorin e dyshuar të tij, tashmë në arrati.
Padia është ngritur në një Gjykatë të Los Angeles, nga Cindy Lee Garcia, nën akuzat për mashtrim, shpifje dhe shkaktim të qëllimshëm të shqetësimeve emocionale.
Garcia ka akuzuar Nakoula Basillej Nakoulan, aktualisht në arrati, për përfshirjen e saj në një “film të urryer”, pa dijeninë e saj, pasi gjatë gjithë kohës ajo “ka besuar se është një film aventurist në shkretëtirë” dhe në asnjë rast nuk ishte përmendur në skenar fjalët islam apo Muhamed.
Garcia po ashtu do të kërkojë nga gjykatësi të urdhërojë heqjen e filmit nga YouTube-i, duke thënë se ka marrë kërcënime me vdekje qëkurse fragmente të filmit janë shfaqur në faqen e internetit.
Filmi “Pafajësia e Myslimanëve” është bërë shkak për protesta të shumta dhe të dhunshme në mbarë botën myslimane, të cilat kulmuan në Libi disa ditë më parë. Katër amerikanë, përfshirë ambasadorin Kristofer Stivens, mbetën të vrarë nga një sulm i dhunshëm në Konsullatën e SHBA-së në Bengazi.
Ndërkohë, rreth 30 protestues mendohet se kanë humbur jetën në trazirat antiamerikane që kanë përshirë pothuajse gjithë botën arabe.
20 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)