Çelsi barazon 2-2 me bardhezinjtë, fitojnë Bajern dhe Man. UTD
Juve debuton në Champions ndaj kampionëve në fuqi me një barazim 2-2 në shtëpinë e kampiones në fuqi, Çelsit. Barcelona vuan për një fitore të ngushtë 3-2 ndaj Spartakut të Moskës. Bajerni dhe Mançester Junajtid dominojnë dhe mundin me meritë Valencian dhe Gallatasarain. Një pjesë e parë shumë luftarake është luajtur mbrëmë në “Stamford Bridge” të Londrës, ku Juventusi ka qenë i detyruar të vuajë dizavantazhin 2-1 përballë Çelsit vendas. Rezultati provizor ka mbajtur firmën e një “Oskari” në mbrëmjet e tij më të mira (autori i një dopjete. Por Arturo Vidal ka rikthyer në ndeshje bardhezinjtë duke ngushtuar distancën në minutën e 38-të. Talenti brazilian i “blues” ishte autor i dy perlave në harkun e dy minutave (31′ dhe 33′, i dyti një gol autentik me një stopim mes të dy kundërshtarëve dhe një gjuajtje në kthesë), që kanë rrezikuar të bëjnë të kapitullojë para kohe skuadrën e Kontes. Për fatin e “Zonjës së Vjetër”, mesfushori kilian në minutën e 38-të, me një gjuajtje nga hyrja e zonës, ka rihapur takimin. Në pjesën e dytë Juventus zbret në fushë më këmbëngulëse, por për minuta të tëra i duhet të përballet me një Çels perfekt në fazën mbrojtëse dhe që kërcënon në sulm me Hazard, Ivanoviç e Lampard. Juventus tenton të reagojë me Markizion dhe Xhovinkon deri në golin e barazimit 2-2 në minutën e 80-të me Kualjarelën. Ndeshja është shumë luftarake, por deri në fund asgjë nuk ndryshon, edhe pse Kualjarela i shkon shumë pranë golit të fitores për italianët. Një ndeshje shumë interesante është luajtur mes Barcelonës dhe Spartakut të Moskës mbrëmjen e djeshme në “Kam Nou”. 45 minutat e para u mbyllën në barazim 1-1. Një rezultat që u konsiderua surprizë, pasi Barcelona po e kontrollonte në mënyrë shumë komode ndeshjen, falë golit të shënuar në minutën e 14-të nga i riu Tejo, pas një asisti të marrë nga i zakonshmi Ksavi. Sulmuesi i ri i kanterës blaugrana ka mundur të driblojë kundërshtarin e tij direkt në të majtë, është nisur drejt qendrës dhe më pas ka lëshuar një të djathtë të fortë dhe të saktë, që ka përfunduar në cepin më të largët të portës ruse. Por në minutën e 29-të ka mbërritur autogoli befasues i Dani Alveshit, i cili në krosin e Amenike nga e djathta, ndërhyn në tentativën për ta larguar topin nga zona, por ka shkaktuar gafën, duke e çuar drejt e në rrjetën e portës së tij. Pjesa e dytë është akoma edhe më surprizuese. Barcelona kontrollon lojën krijon rastet, por golin e shënojnë rusët në minutën e 58-të me anë të Romulos, që mposhti portierin valdes pas një asisti të marrë nga MekGejdi. Goditje e rëndë për Barçën, që e mbyll kundërshtarin në zonën e tij, dhe provon në të gjitha mënyrat me Mesin, Pedron, Tejon, Ksavin etj., por duhet të presë minutën e 72-të për golin e barazimit me anë të Leo Mesit, por ku meritën kryesore e ka Tejo, që i dha një asist fantastik. Pas kësaj në fushë ekziston vetëm Barcelona, e cila humbet raste të shumta. Por Mesi nuk mund të lejojë që skuadra e tij të debutojë pa fitore dhe në minutën e 80-të rikthen Barcelonën në avantazhin 3-2 me golin e shënuar me kokë, pas një krosi të Vijas në zonë.
Të veçanta
Rikthimi – Juventus celebron rikthimin në Champions me një barazim plot krenari në shtëpinë e Çelsit, kampion të Europës, që nuk mund të ruante avantazhin e dy golave
Sërish Mesi – Mesi shmang surprizën e Spartakut të Moskës në Kamp Nou dhe me dopjetën e tij udhëheq Barcelonën drejt fitores së vuajtur në debutimin e Vilanovës në Champions
Asnjë surprizë – Pas një të marte piroteknike, asnjë surprizë e madhe në të mërkurën e Champions. Junajtid merr një fitore të vuajtur ndaj Gallatasarait, Bajerni dominon Valencian
Champions League
TË MARTËN
Grupi A
Dinamo Zagreb-Porto 0-2
Gonzalez 41’, Defur 90’
PSG-Dinamo e Kievit 4-1
Ibrahimoviç (11-m) 19′, T. Silva 30’, Aleks 32’, Pastore 90’ / Velozo 87’
Grupi B
Montpelier-Arsenal 1-2
Belhanda (11-m) 9′ / Podolski 16’, Gervinjo 18’
Olimpiakos-Shalke 1-2
Abdoun 58′ / Hëvedes 41’, Huntelaar 59′
Grupi C
Milan-Anderleht 0-0
Malaga-Zenit 3-0
Isko 3’, 76’, Saviola 13’
Grupi D
Borusia D.-Ajaks 1-0
Levandovski 87’
Real Madrid-Mançester S. 3-2
Marselo 76’, Benzema 86’, Ronaldo 90’ / Xheko 69’, Kolarov 85’
DJE
Grupi E
Çelsi-Juventus 2-2
Oskar 31’, 33’ / Vidal 38’, Kualjarela 80’
Shakhtar D.-N’land 2-0
Mkhitaryan 44’, 76’
Grupi F
Bajern Mynih-Valencia 2-1
Shvajnshtajger 38’, Toni Kros 76’, / Valdez 90’
Lilë-BATE Borisov 1-3
Çedju 60’ / Volodko 6’, Rodionov 20’, Olekhnoviç 43’
Grupi G
Barcelona-Spartak i M. 3-2
Tejo 14’, Mesi 72’, 80’ / D. Alvesh (a.g) 29’
Sëlltik-Benfika 0-0
Grupi H
Braga-CFR Kluzh 0-2
Bastos 19’, 34’
Mançester J.-Galatasarai 1-0
Kerrik 7’