Master profesional, programe të reja në tri universitete

Shpërndarja për 4 mijë kuotat. Kategoritë që do të paguajnë vetëm 50% të tarifës

Miratohen 4 mijë kuota për pasuniversitarë në të gjithë vendin. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për masterat profesionalë. Sipas relacionit të VKM-së, rezulton se këtë vit janë hapur programe të reja në tre universitete të vendit, si dhe janë shtuar degët për pasuniversitarë. Kategoritë në nevojë do të paguajnë vetëm 50 për qind të tarifës shkollore.

Vendimi

Programet e ciklit të dytë të studimeve “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, ndryshojnë vetëm nga kohëzgjatja, por jo nga përmbajtja me sistemin me kohë të plotë.

Ato pajisin të diplomuarit, që kanë përfunduar programin e studimeve “Bachelor”, me njohuri specifike në një specialitet ku ata kanë mbaruar studimet e ciklit të parë ose në një specialitet tjetër të përafërt. Ndër të tjera, programet e ciklit të dytë të studimeve “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, krijojnë mundësinë e fitimit të njohurive ndërdisiplinore në përgatitjen edhe të atyre specialistëve që duan të studiojnë në një fushë të dytë, plotësuese të fushës ku kanë studiuar më parë.

Për vitin akademik 2012-2013, në ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, janë hapur programe të reja në të gjitha fushat dhe universitetet e vendit.

Programe të reja të studimit propozohen nga Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, si dhe Universiteti “Eqerem Çabej” i Gjirokastrës, ndërkohë që nga programet e vjetshme të studimit janë shtuar disa programe të Universitetit të Tiranës. Në vitin akademik 2012-2013 propozohen 3295 kuota më shumë se në vitin e mëparshëm akademik, duke realizuar një rritje prej 240%.

Tarifat

Tarifa e shkollimit për studentët që transferojnë studimet, për të mos penguar mobilitetin e tyre, objektiv themelor i “Deklaratës së Bolonjës”, është e njëjtë me atë program studimi të ciklit të dytë, në të cilin ata do të vijojnë studimet.

Ministria e Financave ka kërkuar që në relacionin e Ministrisë së Arsimit të analizohet dhe argumentohet rritja e tarifave, si dhe të vlerësohen të ardhura shtesë që rrjedhin nga ky vendim.

Tarifat e studimit janë caktuar në bazë të tarifës së vitit paraardhës, duke shtuar vlerën 4% (sa niveli i inflacionit). Për këtë është marrë parasysh dhe sugjerimi i Ministrisë së Financave. Efektet e pritshme financiare të këtij projektvendimi parashikohen rreth 279 milionë lekë. Për studentët që vijnë nga shtesat sociale në nevojë, sipas pikës 12 të projektvendimit, është parashikuar të ndjekin studimet me tarifa të reduktuara me 50%. Kuotat e pranimeve për të verbrit, romët dhe ballkano-egjiptianët, si dhe kuotat për ish të përndjekurit politikë, ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, mbi bazën e listës së hartuar nga shoqatat respektive kombëtare të të verbërve, të romëve dhe ballkano-egjiptianëve, si dhe nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë. Për aplikantët shqiptarë nga Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Presheva, Medvegja e Bujanovci, në vitin akademik 2012-2013, për programet “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, parashikohen 200 kuota. Efekti financiar i këtij projektvendimi do të jetë rreth 279 milionë lekë, pa llogaritur efektet financiare shtesë që vijnë për shkak të mospërfundimit në kohë të studimeve nga ana e një pjese të studentëve, të cilët, ashtu siç përcaktohet në projektvendim, do të paguajnë tarifën për kreditet e mbetura në lëndët ku kanë rezultuar mbetës.

 

Projektvendimi

Vjen nga kërkesa në rritje e universiteteve nisur nga nevojat e tregut të punës dhe kërkesat e studentëve, apo personave që janë në marrëdhënie pune

 

Tabelë

Ndarja e kategorive

a)      Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, për kandidatët brenda territorit të vendit 4075
b)      Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit. 200
c)      Kuotat për transferimin e studimeve 100
ç) Kuotat për program të dytë studimi 100
d)      Kuota për shtetas të huaj 50
dh) Kuotat për personat që nuk shikojnë 20
e)      Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët

ë) Kuotat për ish të përndjekurit politikë

20

100

 

Autor te 20 Shtator 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry