“Fiks Fare”


Qeparo


33 fëmijë të fshatrave Kudhës dhe Qeparo, të cilët frekuentojnë shkollën 9-vjeçare “Niko Aleksi”, nuk kanë nisur vitin e ri shkollor. Nxënësit nuk kanë një furgon për të shkuar në shkollë.


“Fiks Fare” ka kontaktuar me kryeplakun e fshatit Kudhës, Janaq Tata, i cili tregon se “nuk ka automjet që të marrë fëmijët e këtyre dy fshatrave dhe t’i sjellë në shkollë”.


Sipas tij, nga fshati Kudhës nuk ndjekin shkollën 13 fëmijë për mungesë transporti. Vitin e kaluar, drejtoria arsimore kishte vendosur një furgon në fillimin e vitit shkollor, por pas disa muajsh, pagesa e furgonit u ndërpre për mungesë fondesh. Ai ankohet se që prej vitit të kaluar, fëmijët i kanë pa shkollë. Nga fshati Kudhës deri në Qeparo janë 15 km vajtje-ardhje që një fëmijë në klasën e parë nuk mund t’i bëjë më këmbë.


“Të hënën, nëse nuk do të zgjidhet problemi i transportit të fëmijëve, ne si komunitet do të nisim një protestë”, tha kryeplaku.