Opozita ka kërkuar në Komisionin e Sigurisë zbardhjen e mënyrës së emërimit të Visho Ajazi Likës në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. “Nuk e kemi informacionin se cili është personi që ka marrë drejtimin e këtij Shërbimi? Ka shtetësi shqiptare apo kanadaze? Ne nuk e kemi këtë informacion. Ky person ka qenë azilant politik, ekonomik apo ku ta di unë. Duhet të vijë pranë Komisionit të Sigurisë të na raportojë si është situata?”, u shpreh deputeti socialist, Xhemal Qefalia, anëtar i Komisionit të Sigurisë.
Deputetët e opozitës kërkuan kontrollin parlamentar edhe në ministrinë e Brendshme, ashtu si në ministrinë e Mbrojtjes, ku deri më tani nuk kanë pasur akses. Sipas kryetarit të Komisionit, Leonard Demi, kontrolli do të kryhet në të dy ministritë, por vetëm konform Rregullores e Kushtetutës.
“Pa asnjë hezitim, është i hapur në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës të kryejë autoritetin e vet. Mbikëqyrja parlamentare është një nga ato, të cilën do ta bëjë sipas Rregullores së Parlamentit, kryesisht të nenit 38, 18 e 102. Brenda këtyre neneve jemi të ftuar të veprojmë”, deklaroi Demi.
Duke marrë shkak nga replikat e ashpra të dy ditëve të fundit, socialistët kanë kërkuar hetim të akuzave të kryeministrit Berisha ndaj ish-presidentit, Bamir Topi, mbi vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi.
20 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)