Pabarazia


Shtresa e super të pasurve vijoi të pasurohej më tej pavarësisht krizës


400 amerikanet me te pasur sipas ForbesPasuria neto e pjesës më të pasur të amerikanëve u rrit me 13 për qind gjatë vitit të fundit duke arritur në 1.7 triliardë dollarë, njoftoi revista “Forbes” të mërkurën, duke dhënë edhe listën e njohur të më të pasurve, ku përfshihet Bill Gates, Warren Buffett, Larry Ellison dhe vëllezërit Koch.


Pasuria mesatare neto e 400 amerikanëve më të pasur arriti në një rekord të ri në nivelin 4.2 miliardë dollarë, njoftoi revista. Së bashku, pasuria e këtyre njerëzve është e barabartë me një të tetën e së gjithë ekonomisë amerikane. Ndërkohë, rritja prej 13 përqindësh e pasurisë së kësaj shtrese kapërceu shumë herë ritmin e përgjithshëm të rritjes ekonomike të SHBA-ve, duke sjellë edhe rritjen e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve.


Bill Gates, kreu i “Microsoft” ishte në majë të listës për vitin e 19 radhazi me pasuri 66 miliardë dollarë, 7 miliardë më shumë se sa vitin e kaluar. Warren Buffett, presidenti dhe drejtori ekzekutiv i konglomeratit të sigurimeve Berkshire Hathaway ishte i dyti me 46 miliardë, pasuar nga Larry Ellison, kreu i prodhuesit të programeve kompjuterike “Oracle” me 41 miliardë dollarë. Vëllezërit Charles dhe David Koch, të cilët udhëheqin grupin industrial me të njëjtin emër dhe që ka aktivitete në energji dhe industri kimike, qenë të katërt me 31 miliardë. Renditja e pesë të parëve nuk pati ndryshime në krahasim me vitin e kaluar. Por në listën e gjatë pati rënie të konsiderueshme. Manjati i kazinove, Sheldon Adelson, i cili është aktiv në kauzat politike të konservatorëve, ra në vend të 12 nga vendi i 8 që mbante vitin e kaluar, ndërsa financieri George Soros humbi pesë vende. Zhgënjyes ishte edhe themeluesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg. Pasuria e tij neto u përgjysmua në 9.4 miliardë dollarë dhe aktualisht renditet i 36-i.


Pasuria mesatare neto e familjeve amerikane në tërësi është 70 mijë dollarë. Kjo pasuri nënkupton të gjitha pronat, makinat dhe paratë kesh minus borxhet.