Elbasan
“Burg pa afat” është masa e sigurisë që ka vendosur Gjykata e Elbasanit për pedagogun e Gazetarisë, Isidor Koti, të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Edhe ndaj 21-vjeçares Klaudja Kushi është vendosur e njëjta masë sigurie. Kjo e fundit dyshohet që të ketë luajtur rolin e sekseres së Kotit. Prokurori i çështjes, Ritvan Sukaj, kishte kërkuar masën që u la nga trupi gjykues i kryesuar nga Bujar Musta, ndërkohë që avokatët e dy të arrestuarve kanë kërkuar masa më të zbutura ndaj klientëve të tyre, atë të “lirisë me kusht”. Koti, para se të hynte në seancën gjyqësore, ka qenë mjaft i qetë, por pas përfundimit të saj ka dalë mjaft i tensionuar, duke hedhur akuza ndaj prokurorisë. “Prokuroria është vendi i krimit. Unë nuk jam krimi”, ka folur para mediave Koti. Ndërsa avokati i 30-vjeçarit pretendon se masa ndaj klientit të tij është mjaft e rëndë. “Policia i ka ngritur kurth pedagogut dhe për këtë arsye, ndaj tij duhet të merret një masë më e lehtë sigurie”, ka cituar Ilir Gjevori. Gjithsesi procesi gjyqësor ndaj dy të dyshuarve po vijon deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, që përfshiu universitetin në një skandal të dytë korruptiv. Në sajë të operacionit të koduar “ Integriteti”, Policia e Elbasanit ka vënë në pranga pedagogun e Gazetarisë në Universitetin e Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, 30-vjeçarin Isidor Koti, banues në Tiranë. Më 15 shtator, Koti u arrestua duke u marrë para studentëve në këmbim të notës kaluese në lëndën e gazetarisë, që ai jepte pranë këtij universiteti prej disa vitesh. S. M.