Hetimet


Biseda e fundit me nipin. Para vrasjes ka qenë pranë një xhamie në Katund Sukth


Sokol Çobo


Grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka zbardhur bisedat telefonike të Ilir Xhakes para vrasjes së Adem Tahirajt, pasditen e 13 gushtit në fshatin Katund Sukth në Durrës. Biseda e fundit e 38-vjeçarit është me nipin e tij, Ledion Krasnaj. Telefonata është hyrëse dhe zgjat pak sekonda. “Kemi marrë të dhënat e para nga kompanitë telefonike për numrin që përdorte i arrestuari Ilir Xhakja. Kemi verifikuar telefonatat e fundit që ka kryer ky person para ngjarjes që është bërë me nipin e tij, shtetasin Ledion Krasnaj. Nga këqyrja paraprake rezulton se biseda zgjat pak sekonda” pohojnë burimet nga prokuroria, të cilat saktësojnë se po verifikojnë edhe telefonatat e kryera prej Xhakes. “Pas identifikimit të çdo personi që ‘fshihet’ pas numrit telefonik, do të vijojmë me fazën e dëshmive. Secili telefonues apo i telefonuar do të pyetet për bisedën. Këto janë procedura të hetimit, ndërsa një fazë tjetër është këqyrja e telefonit të të arrestuarit”, pohojnë burimet nga grupit hetimor. Mësohet se ndër personat që mund të thirren për dëshmi është edhe nipi i autorit, pasi, krahas telefonatës, rezulton të jetë dëshmitar kyç i vendit të ngjarjes. Për këtë person, prokuroria pohon se nuk ka nxjerrë ndonjë urdhër arrestit, por vetëm fletëthirrje. Nëse nuk pranon të dëshmojë vullnetarisht, do të urdhërohet policia që ta sjellë me forcë, gjithmonë nëse identifikohet vendndodhja.


 


Rrëzohet alibia 


Prokuroria ka rrëzuar alibinë e Ilir Xhakes, i cili në dëshminë e tij pretendonte se ka qenë duke bërë xhiro me automjet në rrugën e fshatit Katund Sukth dhe se nuk është thirrur në telefon në vendngjarje. “I arrestuari pohon se e kishte parë rastësisht se disa punonjës policie kishin ‘rrethuar’ nipin e tij, Ledion Krasnaj, madje po tentonin ta shoqëronin në komisariat. Ai është afruar dhe në zënkë e sipër ka qëlluar ndaj Tahirajt”, pohojnë burimet, teksa shtojnë se tabulatet telefonike kanë zbuluar se 38-vjeçari është telefonuar nga nipi i tij. “Ora e telefonatës hyrëse në celularin e Xhakes është disa minuta para ngjarjes. Në momentin që është telefonuar, ky person, sipas antenave të kompanisë të telefonisë së lëvizshme, ka qenë te një xhami në afërsi të fshatit Katund Sukth. Më pas ka lëvizur me shpejtësi për te vendngjarja”, pohojnë burimet nga prokuroria.


 


Raporti mjekoligjor


Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka mbërritur raporti mjekoligjor i viktimës, Adem Tahirajt. Rezulton se ka pasur pesë plagë, ndërsa janë gjetur edhe disa predha. Rezultatet e autopsisë kanë përcaktuar se 49-vjeçari është qëlluar edhe në momentin e rrëzimit. Një plumb ka pasur vend hyrjeje në kurriz dhe dalje në afërsi të mjekrës. Ndërsa plagët e tjera i ka pasur në kraharor dhe shpatull. Ai ka ndërruar jetë menjëherë, pasi predhat i kanë prekur organet jetësore. Raporti mjekoligjor është firmosur edhe nga doktorët e Spitalit të Durrësit.