Kremlini beson se është kthyer në një “vend donator” dhe një superfuqi e ringjallur


Rusia akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po përdor misionin e saj në Moskë për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve në këtë vend, një akuzë që pritet të ashpërsojë më tej marrëdhëniet mes dy ish-armiqve të Luftës së Ftohtë, njofton “Reuters”. Moska urdhëroi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID të ndërpresë të gjitha veprimtaritë e saj në këtë vend, duke filluar nga 1 tetori. Ministri i Jashtëm e shpjegoi vendimin përmes një deklarate ku përdoret gjuhë shumë e ashpër.


Veprimi duket se synon të kufizojë financimet për organizatat që Putini i sheh si kërcënuese për pushtetin e vet, pasi ai u rikthye në rolin e presidentit në maj pas katër vjetësh si kryeministër.


Vendimi “është për shkak se (USAID) u përpoq të ndikonte proceset politike, përfshirë zgjedhjet e llojeve të ndryshme si dhe institucionet e shoqërisë civile përmes shpërndarjes së granteve”, thotë deklarata e Ministrisë së Jashtme. Rusia shton se e ka me shqetësim aktivitetin e USAID në rajone të tilla si Kaukazi i Veriut, ku Moska përballet me një kryengritje islamike. Uashingtoni i hodhi poshtë akuzat. USAID ka punuar për më shumë se dy dekada në Rusi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, duke shpenzuar 2.6 miliardë dollarë në programe që synonin të luftonin sëmundjet, të mbronin mjedisin, të forconin shoqërinë civile dhe të modernizonin ekonominë.


Putini e shikon Rusinë si një fuqi në rigjallërim


Departamenti i Shtetit komentoi se Moska, duke njoftuar mbylljen me dhunë të operacioneve të USAID në Rusi, tregoi se nuk ka nevojë për ndihma, për shkak se aktualisht po realizon të ardhura të bollshme nga nafta. Ministria e Jashtme e Rusisë deklaroi se tashmë nuk ka më nevojë për ndihma, duke thënë se e ndjente veten “një vend donator” dhe refuzonte statusin e shtetit përfitues të ndihmave ndërkombëtare për zhvillim. Deklarata shton se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me USAID në ndihmesën e vendeve të tjera në nevojë.


“Shoqëria civile e Rusisë është pjekur tashmë dhe nuk ka nevojë për ‘sugjerime të huaja’”, thotë Moska. Putini fitoi gati dy të tretat e votave në zgjedhjet e marsit, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se qenë manipuluar në favor të tij. Ai është një ish-punonjës i KGB-së dhe ka miratuar së fundmi ligje për të rritur gjobat për protestuesit dhe për të ashpërsuar dënimet për shpifje. Ai ka vendosur kufizime për financimet e huaja për grupet aktiviste.


Presidenti amerikan Barack Obama deklaroi në fillim të mandatit të tij se dëshiron të rigjallërojë lidhjet me Rusinë, nismë që solli marrëveshjen për kontrollin e armëve të vitit 2010. Por të dy kombet kanë mosmarrëveshje të forta mbi revoltat arabe, veçanërisht Sirinë si dhe mbi programin bërthamor të Iranit.


Vendimi i Moskës pritet të dëmtojë veçanërisht disa organizata që punojnë në monitorimin e zgjedhjeve dhe në monitorimin e të drejtave të njeriut.