Një javë pas vrasjes në krye të detyrës së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj,  ngjarjet kanë marrë një rrjedhë të pazakontë. Ministria e Brendshme, ka deklaruar sot se do të hetohen nga drejtësia dy policët që e shoqëronin ditën kur u vra, Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani.


Lajmi është publikuar mbrëmjen vonë nga zëdhënësi i ministrisë Leonard Olli, i cili ka deklaruar se policët kanë shkelur ligjin duke mos vepruar ndaj vrasësit të kryekomisarit. Ai shtoi se policët në këtë mënyrë kanë shpërdoruar detyrën.


 “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme, ka kryer veprimet e para hetimore në ngarkim të punonjësve të policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, pasi mbi ta rëndon akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, lidhur me mosveprimet e tyre në ngjarjen tragjike të datës 13.09.2012, ku humbi jetën Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj. Këto veprime janë kryer krahas veprimeve hetimore të kryera nga sektori i Krimit të Organizuar pranë DPQ Durrës, nën drejtimin e prokurorisë për Krime të Rënda. Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku me kryekomisar Tahirajn, megjithëse kanë patur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, neutralizuar vrasësin apo për ta kapur dhe arrestuar atë. Mosreagimi apo mosveprimi i punonjësve të policisë së lartpërmendur, bie ndesh me detyrimet ligjore, që parashikon ligji”, thuhet në deklaratën e MB.


Olli tha se njëri nga policët Fatmir Hoxha është shoqëruar, ndërsa polici tjetër Kastriot Gosturani është shpallur në kërkim nga SHKB-ja. Variantet e hedhura për vrasjen e kryekomisarit, Adem Tahiraj, është shoqëruar  me  pikëpyetje të mëdha. Autori i krimit dhe dy policët që gjendeshin me Tahirajn kishin dhënë versione të kundërta për ngjarjen.


Disa ditë më parë gazeta “Shqip” arriti të  zbardhë dëshminë e autorit, Ilir Xhakja, në të cilën deklaron: “Kam qenë duke bërë xhiro në lagjen Katund Sukth. Në një moment shoh që pranë makinës ‘Opel’ që është në pronësi timen, por e drejtonte nipi im Ledjon Krasnaj, ka shkuar një patrullë policie. Me sa mbaj mend atje ka qenë vetëm një automjet blu me fenelina dhe me shkronja ‘Policia’.Kanë qenë tre persona. Kam shkuar pranë vendit të ngjarjes dhe kam njohur vetëm Fatmir Hoxhën. Me këtë person kam pasur një mosmarrëveshje kohë më parë. U kam kërkuar llogari se çfarë ka bërë nipi im dhe ata më janë përgjigjur keq. Mendova se mund të ishte kurth për të më goditur mua, pasi veprimet e tyre ishin të dyshimta. Shoferi Fatmir Hoxha, me sa mbaj mend, po tentonte  të futej në automjetin që drejtohej nga nipi im. Unë e kam shtyrë dhe më pas ka ndërhyrë një person tjetër. Mu drejtua se do të bllokonte makinën. Aty jam nxehur dhe i kam sharë. Personi (Tahiraj) ka kthyer kokën dhe trupin dhe ka nxjerrë nga brezi pistoletën duke e mbajtur në gjysmë lartësi. Në këtë moment kam menduar se do të më vrisnin dhe me shpejtësi kam nxjerrë pistoletën dhe e kam qëlluar. Jam larguar me automjet për t’u dorëzuar në orët e para të datës 14 shtator me negocime”.


Ndërsa shoferi i kryekomisarit të vrarë Fatmir Hoxha ka pohuar se nuk e njihte autorin, i cili ka mbërritur befasisht në vendngjarje. Ai tregon se  pasi i ka sharë dhe kërcënuar, Xhakja ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj Tahirajt plot pesë plumba. Ai gjithashtu ka pohuar se ka humbur ndjenjat dhe është përmendur vetëm në spital. Ndërsa në lidhje me pretendimin e Xhakes, shoferi pohon se ka pasur vetëm sherr verbal, jo përleshje. Përsa i përket inspektorit të krimeve në Shijak, Kastriot Gosturani, dëshmitarët pohojnë se ky person ka qenë jashtë automjetit, ndërkohë që ai vetë ka deklaruar se ka qenë brenda në automjet. Pas mospërputhjeve të lindura gjatë dëshmive, SHKB-ja nisi verifikimet per operacionin policor të kryer pasditen e 13 shtatorit, ku mbeti i vrarë Kryekomisar Adem Tahiraj.


20 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)