Arrestohet shoferi i Tahirajt, në kërkim inspektori i krimeve

Veprimet - Tepër i irrituar dhe pa kurrfarë frike, Xhakja ka qëlluar me pëllëmbë Fatmir Hoxhën, duke e nxjerrë për një çast jashtë automjetit, ndërsa ka vijuar me sharje dhe fyerje në drejtim të punonjësve të policisë

Reagimi - I vetmi që ka reaguar, ka qenë pikërisht viktima, Adem Tahiraj, i cili i është drejtuar me fjalët se “kush je ti”. Si përgjigje ka marrë një ofendim dhe më pas pesë plumba, të cilat e kanë prekur në organet jetësore

Hutimi - Xhakja është larguar me automjet, me nipin, ndërsa dy policët, njëri prej tyre pretendon se i ka rënë të fikët, kanë ngelur në vendngjarje, me eprorin e shtrirë përtokë i gjakosur

Hetimi i SHKB-së

Ilir Xhakja qëlloi me pëllëmbë Fatmir Hoxhën para vrasjes

Sokol Çobo

I forti i Sukthit ka sfiduar hapur drejtësinë. Përgjatë 20 viteve, Ilir Xhakja është përballuar me policë, prokurorë e gjyqtarë, ndërsa deri para 13 shtatorit kishte dalë gjithmonë fitimtar, pavarësisht se akuzohej për dhjetëra ngjarje kriminale. 38-vjeçari nuk ndalej para asgjëje, duke shkelur hapur ligjet. Grupi hetimor i Krimeve të Rënda po ndërton skenën e vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj, ndërsa në dritë kanë dalë të dhëna që konfirmojnë se Xhake nuk i trembej as policëve me armë në brez.

Burime jozyrtare pohojnë se i arrestuari ka qëlluar me pëllëmbë Fatmir Hoxhën, shoferin e kryekomisarit, duke e kanosur për veprimin që po bënte, atë të shoqërimit të një automjeti pa targa në komisariat, për ta bllokuar më pas. Policët janë shtangur nga ky veprim i Xhakes, në sytë e Tahirajt dhe të gjithë banorëve aty pranë, që kishin dalë për të parë se çfarë po ndodhte në rrugën e fshatit Katund Sukth.

 

Arrestohet Hoxha, në kërkim Gosturani

Arrestohet Fatmir Hoxha, shoferi i kryekomisarit Adem Tahiraj, dhe shpallet në kërkim inspektori i Krimeve, Kastriot Gosturani. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka kryer veprimet e para hetimore në ngarkim të këtyre punonjësve, pasi mbi ta rëndon akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, lidhur me mosveprimet e tyre në ngjarjen tragjike të datës 13 shtator 2012, ku humbi jetën shefi i Komisariatit të Policisë së Shijakut, kryekomisar Adem Tahiraj. “Këto veprime janë kryer krahas veprimeve hetimore të kryera nga Sektori i Krimit të Organizuar pranë DPQ Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda. Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku me kryekomisarin Tahiraj, megjithëse kanë pasur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, për të neutralizuar vrasësin apo për ta kapur dhe arrestuar atë. Mosreagimi apo mosveprimi i punonjësve të policisë së lartpërmendur, bie ndesh me detyrimet ligjore” pohon Ministria e Brendshme. Paralelisht, shkeljet e mësipërme, të kryera nga punonjësit e policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, referuar edhe pasojës tepër të rëndë të ndodhur, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe përmbajnë elementë të figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës. “Për këtë arsye, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, bëri ndalimin e punonjësit të policisë Fatmir Hoxha për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe ka shpallur në kërkim policor punonjësin tjetër të policisë, Kastriot Gosturani, i cili i është shmangur hetimit të kryer nga ana e SHKB-së. Hetimet do të ndiqen nga Prokuroria e Durrësit”, tha dje zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Leonard Olli.

 

Skena e krimit

Xhakja, i vetëm para tre punonjësve të policisë që detyrimisht duhet të kishin armë në brez, i ka sfiduar. Ka shkuar tek automjeti tip “Audi” dhe pa parë që në vendin e shoferit nuk ishte nipi i tij, Ledion Krasnaj, por Fatmir Hoxha. Tepër i irrituar dhe pa kurrfarë frike, ai e ka qëlluar me pëllëmbë duke e nxjerrë për një çast jashtë automjetit, ndërsa ka vijuar me sharje dhe fyerje në drejtim të punonjësve të policisë. Ka pretenduar se me këtë person ka pasur një mosmarrëveshje. I vetmi që ka reaguar ka qenë pikërisht viktima, Adem Tahiraj, i cili i është drejtuar me fjalët se “kush je ti”. Si përgjigje ka marrë një ofendim dhe më pas pesë plumba, të cilat e kanë prekur në organet jetësore. Më pas, autori, ka lëvizur me shpejtësi në sytë e dy punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët paguhen që të godasin pikërisht këta kriminelë, t’i arrestojnë dhe nëse kundërshtohen, përdorin dhunën, madje edhe armën. Por asnjë gjë e tillë nuk ka ndodhur. Xhakja është larguar me automjet me nipin, ndërsa dy policët, njëri prej tyre pretendon se i ka rënë të fikët, kanë ngelur në vendngjarje, me eprorin e shtrirë përtokë i gjakosur. Të vetmin veprim e ka kryer inspektori i krimeve, Kastriot Gosturani, i cili ka shpejtuar për të dërguar në spital Tahirajn, që nuk mundi t’u shpëtojë plagëve të marra. Grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka marrë në dorëzim raportin mjekoligjor dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Nga të dhënat e marra ka rezultuar se në trupin e viktimës kishte shumë plagë të shkaktuara me armë zjarri. Ai ishte goditur pesë herë, ku katër plumba i ka marrë në pjesën e përparme të trupit. Një predhë e ka marrë në momentin që është rrëzuar. Krahas raportit mjekoligjor, hetuesit kanë marrë edhe të dhënat nga vendi i ngjarjes. Tre predha plumbi janë gjetur në murin e një parukerie që ishte aty pranë, në ngulura në suva, ndërsa disa të tjera janë gjetur në asfalt.

 

Të akuzuarit

Ilir Xhakja -Akuzohet se ka vrarë më 13 shtator të këtij viti Adem Tahirajn, pas një debati për bllokimin e një automjeti. Autori fillimisht e ka sharë dhe më pas e ka qëlluar pesë herë me pistoletë

Krimet e Rënda - Kanë marrë në dorë hetimet për vrasjen e kryekomisarit

Ledion Krasnaj - Është nipi i Xhakes, i cili ishte shkaku i vrasjes. Krasnaj dyshohet se ka telefonuar dajën e tij. Krimet e Rënda pohojnë se 18-vjeçari akuzohet vetëm për kundërshtim të policisë

Policia e Shtetit - Dyshon se është një nga autorët e ngjarjes më 13 shtator

 

Episodet

1998 - Ilir Xhakja dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Qerim Maloku. U dënua fillimisht me 21 vite burg, por Gjykata e Durrësit e shpalli të pafajshëm

2011 - Në muajin shkurt, Xhakja, i konsideruar një nga personat më të rrezikshëm në Shqipëri, lirohet nga burgu. U akuzua dhe u gjykua për vrasjen e Qerim Malokut

2012 - I forti i Sukthit, pasi qëndroi 20 muaj i lirë, mori pjesë në një ngjarje tepër të rëndë, atë të ekzekutimit të kryekomisarit Adem Tahiraj, i cili po kryente detyrën

 

“Tabaku”

Thirret kryegjyqtari i Durrësit dhe kancelarja

Prokuroria e Tiranës ka gati fletëthirrjen për kryetarin e Gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla, në lidhje me vendimin e pazbardhur që i dha pafajësinë Ilir Xhakes. Metalla do të pyetet për procedurat e ndjekura nga gjykata për këtë rast. Hetimi po kryhet paralelisht me KLD-në dhe në fokus do të jetë vonesa e pajustifikuar e zbardhjes së vendimit nga gjyqtari Neritan Tabaku. Në pyetje do të merret edhe kancelarja e kësaj gjykate, e cila mësohet se ka tentuar disa herë që të zbardhet ky vendim. Hetimet për këtë çështje po ndiqen nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e cila i ka kërkuar KLD-së heqjen e imunitetit për Tabakun. Brenda 30 ditëve, këshilli pritet të marrë një vendim për heqjen ose jo të imunitetit.

Autor te 21 Shtator 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Beni

    po keta nuk jane police, jane thjeshte rrogetare! Njesoj si punonjesi i nje zyre publike cfare do! Nuk mbajne asnje lloj pergjesie per punen qe bejne. Duhet synuar profesionalizi i forcave te rendit. Duhet qe te behet perzgjedhja e policeve te ardhshem, duke pranuar ne forcat e policise vetem njerez te motivuar per te veshur uniforme e jo qe ta shohin uniformen thjeshte si rroge ne fund te muaj.

    Eshte tragjike cfare po ndodh ne shqiperi, pasi krimi eshte i plotfuqishem. vetem forcat RENEA jane ato qe jane te ‘pa trembur’ po c’te bejne dhe ata te shkrete??? te fillojne te dalin te vendosin gjoba si police te thjeshte???

  • keli

    po pse keta lloj do na mbrojne ne mo. O te dhjefsha policet e mutit, por ai ata te kish vrare

  • adlis

    O kel..po ty t’kishn vrare se t’ishe TI ne vendin e atij ca do beje-Ja si ai do beje dhe ti: