Shefi i misionit takon deputetët dhe eksponentë të PS-së për borxhin dhe buxhetin
ARD KOLA
Çfarë do të bënte Partia Socialiste për uljen e borxhit, në rast se do të ishte në pushtet? Pse PS-ja mendon se borxhi i lartë rrezikon ekonominë e vendit? Cili do të ishte plani për rritjen e të ardhurave dhe çfarë synohet me vendosjen e taksës progresive? Janë një seri pyetjesh që shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Nadem Ilahi, u ka drejtuar deputetëve dhe eksponentëve të lartë të PS-së, në takimet e zhvilluara dje, në ambiente të ndryshme.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, pas diskutimeve me kreun e Financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, shefi i misionit ka zhvilluar një seri takimesh, duke nisur me nënkryetaren e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Mimi Kodheli, pastaj me sekretarin për Programin në PS, Ilir Beqja dhe anëtarin e kryesisë dhe kryetarin e departamentit për çështjet ekonomike në parti, Shkëlqim Çanin.
Ndryshe nga herët e kaluara, ku ish-shefi i misionit, Bell, e njihte mirë situatën dhe nuk kishte nevojë të mësonte shumë nga opozita, por diskutonte me ta për çështje të ndryshme, i sapoardhuri në këtë mision, Ilahi, i ka “bombarduar” me pyetje testuese dhe mbante shënim pikëpamjet e PS-së për nivelin e borxhit, planin e të ardhurave dhe politikën e re të taksave.
Pyetjeve të drejtuara ndaj tij, Ilahi i kthente si kundërpërgjigje, duke bërë po pyetje. Në takimet e zhvilluara dje, shefi i misionit shprehu shqetësimin për nivelin e borxhit, ndërsa tha se me ministrin e Financave nuk është folur për planin e mundshëm të rishikimit të buxhetit aktual.
Kodheli u shpreh për gazetën “Shqip”, se i kishte drejtuar shefit të misionit disa shqetësime që lidhen me: borxhet e qeverisë, si ai publik, si dhe detyrimet ndaj privatit; nivelin e kredive me probleme; çështjen e bllokimit të granteve nga qeveria për pushtetin lokal, etj. “Thelbi i diskutimeve lidhej me borxhin, për vetë faktin se niveli i tij konsiderohet shqetësues. Është afatshkurtër, me interesa të larta, për të cilin po paguajmë shumë kosto”, tha Kodheli. Diskutime ka pasur edhe për taksën progresive, nivelin që planifikon të aplikojë PS-ja kur të vijë në pushtet, në raport me çfarë po menaxhon mazhoranca me taksën e sheshtë.
Ilahi ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Edmond Spaho. Deputeti i PD-së e ka njohur shefin e FMN-së për Shqipërinë, se vendi ka treguar maturi në përballimin e krizës, falë modelit të suksesshëm ekonomik. Pas mbylljes së takimeve, FMN së bashku me Ministrinë e Financave do të zhvillojnë një konferencë për shtyp, për të publikuar raportin final në kuadër të Artikullit IV dhe nga ku priten gjetje të rëndësishme mbi të ardhmen ekonomike të vendit. Qeveria shqiptare është në pritje të privatizimeve për rishikimin e buxhetit, pasi të dhënat e deritanishme tregojnë një situatë tejet të rëndë me të ardhurat.