Majko: Raporti i OSBE i ngjan ngushëllimit “Të rroni vetë”

Ndërkombëtarët – “Një raport i tillë është vetëm fillimi i zyrtarizimit të një qëndrimi ndërkombëtar ndaj situatës së krizës së demokracisë në Shqipëri

Berisha – “Lojtari i vjetër në krye të qeverisë i di rregullat dhe paralelet që ndjell një situatë e tillë për të dhe qeverisjen e tij. Unë po e quaj atë shkurt… numërim mbrapsht”

Deklarata

Ish-kryeministri: Dokumenti thekson se është për të ulëritur

Fatjona Mejdini

Raporti i OSBE-së i ngjan një autopsie morgu për fushatën e ardhshme zgjedhore dhe merr të mirëqenë faktin se zgjedhjet e lira dhe të ndershme në këtë vend kanë “vdekur”. Ky është qëndrimi që jep ish-kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, në lidhje me parashikimet e ambasadorit Wollfarth mbi votimet e vitit të ardhshëm. Në një prononcim për “Shqip”, Majko thekson se raporti i hartuar nga prezenca e OSBE-së, e drejtuar nga Eugen Wollfarth, është një nga më të ashprit që janë bërë nga ndërkombëtarët këto vitet e fundit. Duke e quajtur gjuhën e përdorur në raport si të paprecedentë, Majko thekson se OSBE-së i ka mbetur vetëm të thotë që qeveria do të vijojë t’i manipulojë sërish zgjedhjet. “Ky raport i OSBE-së është një nga më të ashprit e ardhur pas 2005-s për Shqipërinë. Ai është një pamje e “absurdit” politik që pritet të përsëritë qeverisja aktuale për zgjedhjet e ardhshme. Trajtimi është kaq i ashpër, ku mungon vetëm fjalia që qeveria ka për të bërë atë që pritet të bëjë me zgjedhjet… manipulimin industrial të tyre. Me një gjuhë të pazakontë, raporti e konsideron “të pashmangshëm” historinë e apelimeve postzgjedhore. Ajo më e rënda vjen me fjalën e “përsëritjes” së zgjedhjeve(!), që për sistemin e ri elektoral që aplikon Shqipëria është për të ulëritur dhe jo bërtitur”, konstaton ish-kryeministri i vendit. Majko nuk lë mënjanë as ironinë kur thotë se ky raport i ngjan ngushëllimit mortor “të rroni vetë dhe ju ardhshim për të mira”. Sipas Majkos, raporti shikon si të mirëqenë faktin që kanë “vdekur” zgjedhjet e lira e të ndershme. “Më qartë nuk ka se çfarë të thuhet! Ajo që ‘mungon’ në raport është kujdesi diplomatik për ta rrumbullakosur deri diku situatën politike dhe administrimin e zgjedhjeve. Ka paragrafë të tij që janë ‘dinjitozë’ për regjime qeveritare, ku votimi është formalitet… Titulli i pjesës së fundit me titullin ‘Rruga përpara’ ka tiparet e humorit anglez, pasi vetëm ‘rrugë’ nuk është. Do ia vlente të quhej ‘Moçali që ju pret’”, vijon Majko konstatimin e tij për parashikimin e zymtë që jep OSBE-ja për zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit të ardhshëm. Por Majko nuk ngurron ta lidhë këtë raport me atë që e quan “krizë e demokracisë në Shqipëri”. Sipas tij, faktori ndërkombëtar tashmë po fillon ta zyrtarizojë këtë situatë të re dhe të rrezikshme ku po ndodhet Shqipëria. “Një raport i tillë është vetëm fillimi i zyrtarizimit të një qëndrimi ndërkombëtar ndaj situatës së krizës së demokracisë në Shqipëri. ‘Letrat’ e natyrave të tilla si raporti në fjalë, janë veç ‘bubullima’ paraprake e furtunës që pritet të fillojë për atë që deri dje heshtej…”, parashikon ish-kryeministri i vendit, nisur nga gjuha dhe konstatimet që bën raporti i OSBE-së për procesin zgjedhor. Por, nga ana tjetër, Majko nuk lë pa paralajmëruar edhe Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, se si një politikan i vjetër duhet ta dijë shumë mirë se çfarë sjell një situatë e tillë. “Lojtari i vjetër në krye të qeverisë i di rregullat dhe paralelet që ndjell një situatë e tillë për të dhe qeverisjen e tij. Unë po e quaj atë shkurt numërim mbrapsht!”, thekson Majko. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare shikohen si tepër të rëndësishme nga dy partitë e mëdha në vend. Kjo, për faktin se PD-ja po e qeveris vendin për dy mandate dhe zgjedhjet e qershorit konsiderohen tepër të rëndësishme për sa i përket nevojës së opozitës për të pasur rotacion politik në vend.

 

 

Skënder Minxhozi

Çdo proces zgjedhor në Shqipëri, pas vitit 1996, e ka pasur mbi vete hijen e rëndë të atyre zgjedhjeve. Kjo, sepse votimet e përgjithshme të 26 majit 1996, janë të vetmet në historinë e pluralizmit shqiptar, që janë kontestuar zyrtarisht nga europianët dhe amerikanët. Kjo është e vërteta historike. Sa u përket zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, raporti i OSBE-së tregohet realist kur parasheh një fushatë të egër dhe një proces të vështirë retifikimi të rezultatit. Berisha dhe Rama garojnë për një poltron të vetëm. Është me shumë gjasë gara e fundit për njërin prej tyre, e kjo i bën veçanërisht tinëzare zgjedhjet e ardhshme.

 

Mustafa Nano

Për të bërë parashikimin se “zgjedhjet shqiptare të radhës do të jenë të egra”, do të mjaftonte inteligjenca e një fëmije. Është si “të parashikosh” se nesër gazetat do të dalin në treg. Mirëpo ndryshon puna me parashikimin tjetër, se “do të ketë përsëritje zgjedhjesh në një numër qendrash e zonash elektorale”. Në këtë pikë do të isha shumë kureshtar për të marrë vesh se cilat janë të dhënat që i kanë çuar në këtë hamendje. Në mos të dhënat, të paktën deduksionet e akrobacitë mentale që kanë shtënë në punë në këtë rast.

 

 

Bruksel

Alarmi i liderit të opozitës për krerët e Parlamentit Europian

Rama, BE-së: Ju kërkoj që të kuptoni rrezikun për zgjedhjet

Edi Rama, lideri i opozitës, i ka kërkuar Bashkimit Europian që të mos lejojë manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Duke folur dje në Bruksel në ekspozitën e organizuar nga PSSH dhe PSE në ambientet e Parlamentit Europian për hartat e vjetra për Shqipërinë, Rama ka deklaruar “ju kërkoj të jini dhe vigjilentë. E di nga përvoja e hidhur, se zgjedhjet në Shqipëri mund të fitohen dhe humben, jo me vota, por me manipulime dhe vjedhje. Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Ju kërkoj të jini vigjilentë dhe të kuptoni rrezikun, dhe ju kërkoj të qartësoni paraprakisht pasojat serioze për ambiciet europiane të Shqipërisë, nëse praktikat e së kaluarës nuk mbulohen nga pluhuri i historisë, ku e kanë dhe vendin.”

Një ekspozitë me 50 harta të trojeve arbërore të vizatuara në harkun e 17 shekujve, e titulluar “Euro-Albanian Contacts”, është organizuar nga Partia Socialiste në mjediset e Parlamentit Europian. Ajo është e para ekspozitë e këtij lloji, që paraqet kartografinë e trojeve arbërore në shekuj. Në fjalën e mbajtur në çelje të ekspozitës, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu besimin e tij të palëkundur se Shqipëria është e gatshme për të rilindur sërish, duke kthyer një faqe të re të historisë së saj, në kapitullin e Bashkimit Europian. Sipas tij, “Shqipëria nuk meriton thjesht një të ardhme europiane. Ajo meriton një të tashme europiane. “Bukuria e këtyre hartave të vjetra qëndron te fuqia e jashtëzakonshme që ato ushtrojnë te kushdo që bie në kontakt me to. Kur shoh këto harta historike unë shoh Shqipërinë time. Shoh një Shqipëri europiane që ka qenë pjesë e këtij kontinenti prej shekujsh e shekujsh me radhë”, tha Rama.

Më pas, kreu i PS-së tha se është populli ai që nuk mund të penalizohet për të tretën herë, për shkak të keqqeverisjes: “Dua që këtu të jap një mesazh të qartë: pushteti aktual mund të mos e meritojë statusin kandidat, por atë e meriton populli shqiptar. Prandaj këtu ju kërkoj dhe uroj që të gjithë ju të mbështesni popullin shqiptar. Përshtypjet e pjesëmarrësve ishin interesante. Libor Rouçek, zëvendëspresident i socialdemokratëve në PE, tha se “ajo që është interesante dhe e rëndësishme të shihet është se Shqipëria është në hartën e Europës që prej 2000 vjetësh. Është një komb i vjetër, pjesë e Europës dhe e kujtesës sonë, nga librat dhe hartat e vjetra”.

Angel Martines, zëvendëspresident i PE-së, një prej iniciatorëve të hapjes së kësaj ekspozite në mjediset e Parlamentit Europian, thotë se “kjo ekspozitë dëshmon përtej çdo dyshimi që Shqipëria është pjesë e Europës.

 

Andrea Stefani

Ajo që deklarohet në raportin e OSBE-së është tepër shqetësuese. Sepse është pohuar, në thelb, që edhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm kanë pak shanse të jenë ndryshe nga ato të viteve të mëparshme. Pra të mos jenë të lira e të ndershme. Dhe kush janë fajtorë për këtë kancer që po gërryen demokracinë shqiptare? Sipas OSBE-së janë drejtuesit kryesorë partiakë, të cilët megjithëse flitet për reforma përmirësuese të procesit zgjedhor, vazhdojnë të ruajnë çuditërisht “kapacitetin për ta shkatërruar procesin në themel dhe për të zhbërë arritjet pozitive të procesit të reformës”. Duke nënvizuar mbifuqinë e liderëve politikë, raporti i OSBE-së ka pohuar dështimin e sistemit të institucioneve që, normalisht, duhet të ketë aftësinë të pengojë liderët e këqij politikë të bëjnë shumë dëm. Por duke pohuar një gjë të tillë, raporti i OSBE-së ka pohuar edhe dështimin e OSBE-së në Shqipëri.

 

Strasburg

Topalli çel punimet e Asamblesë së KiE-së

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në kuadër të vizitës së saj në Strasburg, merr pjesë në Konferencën Europiane të Presidentëve të Parlamenteve, 20-21 shtator 2012. Dje Topalli zhvilloi një takim me presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Jean-Claude Mignon. “Shqipëria është një kandidate potenciale për t’iu bashkuar BE-së. Unë jam një parlamentar francez dhe sigurisht e monitoroj me shumë interes progresin e vendit tuaj në rrugën e integrimit. Dua gjithashtu të përgëzoj kryetaren Topalli për mënyrën sesi e drejton debatin politik në Parlament, dhe nuk ka qenë aspak e lehtë.

Autor te 21 Shtator 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Shpirti ekologjik

    Thirreni qe te flase edhe tashti nga atje ku asht e shpirti i pushofte ne paqe Namik HOTIT