Ministria e Drejtësisë ka konstatuar shkelje nga dy prokurorë dhe dy gjykatës, në proceset gjyqësore e zhvilluar ndaj 20-vjeçarit Aldo Hoxha, të akuzuarit për vrasjen e 38-vjeçares Fatbardha Tafa. Ministria ka bërë të ditur se pas inspektimit që i ka bërë dosjes penale të 20-vjeçarit Aldo Hoxha, janë konstatuar disa shkelje dhe për pasojë i është rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimi i procedimit disiplinor për 2 prokurorë të Tiranës, ndërkohë që vetë ministria do të nisë procedimin disiplinor për 2 gjyqtarë.
“I pandehuri Aldo Hoxha është hetuar në 4 procedime penale për veprat penale të vjedhjes në bashkëpunim, të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të prishjes së qetësisë publike,të vjedhjes së thjeshtë, të vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje. Dy procedime penale janë përfunduar edhe nga gjykata. Më konkretisht, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me 8 muaj burgim. Ndërsa në rastin e dytë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të prishjes së qetësisë publike me 1 vit burgim. Procedimi penal i tretë për veprën penale të vjedhjes së thjeshtë është në proces gjykimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërsa procedimi penal i katërt për veprat penale të vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje është ende në fazën e hetimit paraprak”- thuhet në njoftimin e Ministrisë, që sqaron më tej se në organin e Prokurorisë u kontrolluan 3 procedime penale, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 4 prokurorëve dhe u verifikuan me shkelje 2 prokurorë.
Shkeljet lidhen me rregullat për fillimin e ndjekjes penale, kryerjes jo të rregullt të veprimeve hetimore, si dhe aplikimin e një politike të butë penale në gjykim. Konkretisht nuk është respektuar rregullshmëria dhe vijueshmëria e veprimeve hetimore dhe për rrjedhojë prokurori nuk ka zbatuar detyrimin ligjor për fillimin e ndjekjes penale, duke ndikuar kështu në efektivitetin e politikës penale. Gjithashtu, është konstatuar se politika penale e ndjekur nuk është në raport të drejtë me rëndësinë e veprës, rrezikshmërinë e saj dhe autorit të veprës penale, si dhe nuk i përgjigjet qëllimeve parandaluese të dënimit”- vijon njoftimi.
Sipas Ministrisë: “në dy gjykatat e inspektuara janë kontrolluar 3 çështje penale themeli, si dhe dy kërkesa penale të lidhura me to, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 5 gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore në funksion të tyre. Janë konstatuar shkelje në 2 çështje themeli, shkelje të cilat ju atribuohen 2 gjyqtarëve në rrethet gjyqësore Tiranë dhe Durrës. Shkeljet lidhen me zvarritjen e procedurave gjatë gjykimit dhe të meta në përpilimin e akteve. Ministria e Drejtësisë do të fillojë procedimin disiplinor për këta 2 gjyqtarë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Aldo Hoxha akuzohet se ka vrarë 38-vjeçaren Fatbardha Tafa, gjatë një tentative grabitjeje të varëses së floririt që gruaja mbante në qafë. Një kapelë e gjetur në vendin e ngjarjes, që është dorëzuar në polici nga kunati i viktimës, është dhe prova e fortë që ka në duar prokuroria, pasi në të janë gjendur njolla gjaku. Profili gjenetik i ADN-së i përftuar prej këtyre njollave përputhet me atë të të dyshuarit Hoxha. Megjithatë, ky i fundit, në asnjë moment nuk e ka pranuar autorësinë, duke këmbëngulur se nuk ka lidhje me ngjarjen. 20-vjeçari njihet si person me precedentë penalë. Në qershor të këtij viti ai u lirua nga burgu, pasi vuajti dënimin për akuzën e vjedhjes me dhunë. Ai ka rënë disa herë në duart e policisë së kryeqytetit, e cila e ka arrestuar për vepra të ndryshme penale, kryesisht vjedhje automjetesh, varëses, çantash. Ai ka qenë i dënuar më parë edhe për “armëmbajtje pa leje” dhe “kundërshtim të forcave të policisë në krye të detyrës”
21 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
