LSI ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjen e kreut të ri të partisë. Gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit Organizativ të LSI-së, janë zyrtarizuar edhe emrat që janë në garë për kreun e Partisë, Ilir Meta dhe Luan Rama. Ky i fundit ka bërë publike sot edhe arsyet që e kanë shtyrë të kandidojë përballë liderit të LSI-së, Ilir Meta.
“Nën këtë frymë dhe nën këtë klimë zhvillimesh demokratike që dominojnë jetën e brendshme të LSI-së, e gjeta me vend, e gjeta të udhës, duke reflektuar mbi gjithçka ka bërë LSI mirë, dhe në gjithçka nuk është bërë ashtu siç duhej, por unë duke iu përgjigjur një ndjeshmërie të një mase të anëtarëve të partisë për t’i dhënë një tjetër impuls garës dhe debatit brenda nesh, unë vendosa të kandidoj në garën për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim duke ofruar një platformë, e cila shoqërohet me një alternativë. Me një alternativë konkrete qëndrimesh, vlerësimesh dhe zgjidhjesh që ofrohen në funksion të asaj çfarë është në fakt prioriteti dhe angazhimi ynë kryesor dhe që ka të bëjë me rritjen e rolit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjithë jetën e vendit.
Ta zhvendosim diskutimin apo ndjeshmërinë tonë për fenomene dhe zhvillime që lidhen edhe me LSI-në, nga korridoret apo sms-të, apo edhe intrigat në kurriz të njëri-tjetrit, në një debat publik dhe institucional. Edhe kur nuk është pozitive ajo që duam të themi, le ta themi në tryezat e forumeve politike dhe institucionale të partisë, sepse kështu i bëjmë mirë vetes, njëri-tjetrit, kështu shërojmë edhe i bëjmë mirë edhe vetë partisë.
Sepse nëse një forcë politike nuk është e aftë të përballojë debatin brenda saj, nëse një forcë politike nuk është në gjendje ta ngrejë në institucion debatin brenda saj, atëherë nuk ka gjasa dhe nuk jep besim që këtë debat dhe këtë vlerë të mund ta implementojë të tillë edhe në institucionet shtetërore kur ajo është në qeverisje”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që kreu aktual i LSI-së, Ilir Meta u shpreh se është e rëndësishme që LSI të përfitojë nga ky debat, politika shqiptare të përfitojë nga ky debat dhe të gjithë të kemi mundësi të përmirësohemi më tej. “Kjo ka qenë një nga motot e mia personale në politikë për tu përmirësuar çdo ditë dhe sido që të vejë kjo fushatë unë jam i bindur që do të ndjehem i përmirësuar pas 27 tetorit”, tha Meta.
Zgjedhjet për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të mbahen më 20 tetor ku e gjithë anëtarësia e kësaj force politike do të votojë sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Ndërkohë që Konventa Kombëtare Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të mbahet më 27 tetor ku delegatët e ardhur nga i gjithë vendi do të zgjidhin të gjitha forumet e reja drejtuese të kësaj force politike.
21 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)