Pakti detar


BLEDAR HOTI


“Avramopulos më ka siguruar se çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE nuk do ta kushtëzojë me marrëveshjen për delimitimin të shelfit kontinental”. Kjo është deklarata e lëshuar nga kryediplomati Edmond Panariti në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në “Top Channel”. Panariti ka shprehur pikëpamjen e tij në lidhje me mënyrën e zgjidhjes së përplasjes së lindur me Greqinë për çështjen e paktit detar, ku ka insistuar se busulla për qeverinë shqiptare do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi marrëveshjen e parë, duke e cilësuar si antikushtetuese. I pyetur nga gazetari Balla se nëse Greqia do ta kushtëzonte mbështetjen për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, kryediplomati shqiptar i cilësoi këto si absurde. “Kjo është gjëja më absurde që mund të mendohet, që unë si përfaqësues i qeverisë të arrij në nivele të tilla, ku të negocioj sovranitetin e vendit tim. Për çfarëdo lloj koncesioni apo arsye që mund të pretendohet, kjo nuk vihet asnjëherë në diskutim. Këto çështje janë të ndara dhe unë ia kam bërë prezent edhe ministrit Avramopulus, që ne jemi të hapur për të diskutuar për çfarëdolloj çështjeje që qëndron midis nesh, por këto duhet të adresohen të ndara, sepse nuk ka lidhje organike midis tyre. Nuk kanë lidhje midis marrëveshjes për delimitimin e shelfit kontinental me integrimin tonë europian. Unë kam marrë padyshim dhe prononcimin e zotit Avramopulos se midis këtyre dy çështjeve nuk do të ketë asnjë lloj kushtëzimi reciprok. Siç nuk do të ketë as për çështjen e TAP-it. Me datën 28 shtator, në Asamblenë e OKB-së, ministrat e Jashtëm të tri vendeve do të nënshkruhet marrëveshja për mbështetjen e projektit të TAP-it. Kjo çështje s’kushtëzuar nga të tjerat”, theksoi Panariti. Kryediplomati vuri theksin e tij në rivendosjen e marrëdhënieve me Greqinë, duke bërë të qartë se është për shtyrjen para të këtyre marrëdhënieve. Panariti, ndërkohë, theksoi se ende nuk është njohur zyrtarisht me qëndrimin e palës greke, pavarësisht se me anë të një note zyrtare, fqinji jugor shprehet se nuk tërhiqet. Rasti i gazetarit Marin Mema, legalizimet e dokumenteve, çështjet e transportit, njohja e patentave, gjobat ndaj emigrantëve janë disa nga temat që Panariti bën të ditur se do t’i shtrojë në takimin me homologun e tij grek në Athinë në javët e para të tetorit, përpara publikimit të raport-progresit të BE-së. Kryediplomati shprehet optimist për çështjen e integrimit të Shqipërisë, duke theksuar se “vetë drejtori i Zgjerimit, Saninno, ka deklaruar se Shqipëria ka bërë progres spektakolar”. Sipas tij, votimi i dy-tri ligjeve të tjera, si ai i Gjykatës së Lartë, apo i administratës dhe nëpunësve civil, si dhe reforma parlamentare do ta bënin taksative marrjen e statusit të vendit kandidat. Panariti, ndërkohë, bëri të ditur se në Tiranë do të presë edhe ministrin e Jashtëm serb. Ky takim është fokusuar në marrëdhëniet bilaterale dhe se nuk mund të bisedohet për Kosovën, pasi qëndrimi i Shqipërisë është i kristalizuar tashmë për pavarësinë e saj. “Insistojmë që dy shtetet të zhvillojnë dialogun politik dhe të zbatojnë ato marrëveshje që janë arritur në dialogun europian”, theksoi Panariti. Kryediplomati theksoi se dhe homologut grek do t’i kërkojë që shteti i tij ta njohë Kosovën.