Prapaskenat e ndeshjes Shqipëri-Zvicër dhe përpjekjet për t’i dhënë Kosovës një skuadër kombëtare. Një peticion u firmos nga lojtarët shqiptarë të të dyja skuadrave
Në rast se Kosova njihet si kombëtare futbolli, Blatter thotë se nuk do të lejojë futbollistët të ndryshojnë skuadrat me të cilat luajnë aktualisht si Shqipëria apo Zvicra
Këmbëngulja e UEFA-s për të mos njohur shtet jashtë OKB-së vjen nga kërcënimi i vjetër i Spanjës për t’u tërhequr nga garat, pasi edhe Gjibraltari ka kërkuar dikur “pavarësinë futbollistike”
Blatter tregohet dashamirës me kërkesën, Platini tregohet veçanërisht i ashpër
JAMES MONTAGUE, NYT
LUCERNE, Switzerland — Xherdan Shaqiri hyri në fushë me një bluzë me kryq të bardhë në zemër dhe tre flamuj të qëndisur në këpucë. Një mesfushor shumë premtues 20 vjeç, nga skuadra e madhe gjermane e Bajernit të Mynihut, Shaqiri u rendit në mes të fushës krahas shokëve të tij të skuadrës zvicerane për një ndeshje parakualifikuese për Kampionatin Botëror të Futbollit kundër Shqipërisë. Kur u luajtën himnet kombëtare, Shaqiri nuk e këndoi atë të Zvicrës.
Flamujt te këpucët e tij përfaqësojnë Zvicrën, Shqipërinë dhe Kosovën, territorin etnik shqiptar që është edhe vendlindja e tij. Ato këpucë qenë një deklaratë më e fortë sesa himnet.
“Kam gjashtë muaj që e pres këtë ditë”, thotë ai para ndeshjes që u luajt më 11 shtator. “Ndeshja kundër Shqipërisë është një lojë për emocione”.
Në arenën e globalizuar të futbollit, ndryshimi i besnikërisë për emigrantët e gjeneratës së dytë apo të tretë nuk është asgjë e re. Por ndeshja e Zvicrës kundër Shqipërisë qe diçka tjetër.
Nga të 22 lojtarët që hynë fillimisht në fushë, nëntë qenë lindur ose kishin origjinë në shtëpinë e Shaqirit në Kosovë, një rajon i ish-Jugosllavisë që vuajti luftëra brutale për pavarësi gjatë fundit të viteve ’90 kundër asaj që sot është Serbia. Ata e identifikojnë veten si shqiptarë.
Dekada të tëra represioni dhe krimet e asaj lufte, të cilat në fund sollën ndërhyrjen ushtarake të NATO-s më 1999, shpërndanë qindra mijëra kosovarë nëpër të gjithë Europën. Rreth 300 mijë, më shumë se një e gjashta e të gjithë popullatës së Kosovës, u vendos në Zvicër.
Krahas Shaqirit qëndruan edhe dy lojtarë të tjerë zviceranë nga Kosova, të cilët gjithashtu heshtën gjatë himnit të Zvicrës: Granit Xhaka, 19 vjeç, i cili së fundmi nënshkroi kontratë me skuadrën gjermane të Borusia Muchegladbach dhe Valon Behrami, 27 vjeç nga skuadra italiane e Napolit.
Kapiteni 29-vjeçar i Shqipërisë, Lorik Cana, i cili luan në Itali për Lacion, ka lindur gjithashtu në Kosovë. Turma e tifozëve qe në masën dy të tretat e përbërë nga shqiptarët dhe kosovarët. Shqiponja e zezë dykrenore e flamurit shqiptar dominonte mbi kryqin e bardhë të Zvicrës tre me një.
Kjo situatë e pazakontë është krijuar për shkak se Kosova nuk ka një skuadër të njohur kombëtare. Në fakt, Kosova nuk njihet tërësisht si një shtet.
Lufta e Kosovës e viteve 1998 dhe 1999 dështoi në arritjen e pavarësisë së plotë të krahinës nga Republika Federale e Jugosllavisë që dominohej nga Serbia. Megjithëse Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe pavarësisht se është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe 22 nga 27 anëtarët e Bashkimit Europian, ajo nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Rusia, një aleate e Serbisë, është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ka fuqi vetoje.
Skuadra e futbollit e Kosovës është kapur në mes të gjithë kësaj. UEFA, autoriteti qeverisës i futbollit në Kosovë, kërkon anëtarësim në OKB para pranimit të vendit, megjithëse 37 nga 53 anëtarët e saj e njohin politikisht Kosovën.
Por izolimi i Kosovës në futboll mund të mos jetë i përhershëm. Në maj, Sepp Blatter, presidenti zviceran i FIFA-s, qeverisë botërore të futbollit, njoftoi se Kosova do të lejohet të luajë në ndeshje miqësore kundër anëtarëve të vet, një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë.
Lëvizja shkaktoi zemërim në Serbi, vend që vijon të konsiderojë Kosovën si territor të vet. Rusia dhe vendet e tjera europiane si Spanja nuk e mbështesin këtë lëvizje; secila ka probleme me minorancat e veta.
Fadil Vokrri, president i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë se ai beson se ëndrra për ta bërë Kosovën skuadrën më të re kombëtare në futbollin europian tashmë është më afër se kurrë.
“Është shumë e rëndësishme për mua të shoh se si skuadra të ndryshme kombëtare përdorin futbollistë të lindur në Kosovë”, tha ai disa ditë para ndeshjes Zvicër – Shqipëri. “Është njësoj si të shohësh një ndeshje mes Kosovës A dhe Kosovës B, kur në fakt vetë Kosova nuk mund të përfaqësohet”.
Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, u ulën në një tavolinë dhe filluan të organizojnë operacion teknik dhe të ashpër ndërsa pinin kafe dhe birra. Para tyre gjendet një peticion, të cilin e kanë hartuar për t’u firmosur nga futbollistët e lindur në Kosovë dhe që do të luanin në ndeshjen e pritshme Zvicër – Shqipëri. Peticioni do t’i drejtohet UEFA-s dhe FIFA-s për t’i kërkuar të njohë skuadrën kombëtare të Kosovës.
“Duhet të tregohemi të kujdesshëm me Federatën Zvicerane të Futbollit”, thotë Salihu ndërsa ndihmon në organizimin e takimit me lojtarët zviceranë. “Ne nuk dëshirojmë të biem në sy”.
Delegacioni u përgatit të shkonte te hoteli i skuadrës zvicerane, të takohej me lojtarët dhe të merrte firmat e tyre. Kujdesi i tyre është i kuptueshëm. Çështja është bërë një temë debati të nxehtë për median zvicerane. Një prej gazetave SonntagsBlick, publikoi një kryeartikull me titull “Frika nga Kosova” dhe foton e Xherdan Shaqirit. Frika është që lojtarët më të mirë të Zvicrës do të largohen dhe do të luajnë me Kosovën në rast se fitohet anëtarësimi në UEFA.
Njohja si një vend me skuadër kombëtare futbolli mbart një rëndësi personale për Vokrrin, një mesfushor, karriera e të cilit u dëmtua nga rrënjët e tij kosovare. Ai qe kosovari i vetëm që ka përfaqësuar skuadrën kombëtare të Jugosllavisë dhe sot e kësaj dite konsiderohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Pavarësisht se qe një nga lojtarët më të talentuar të Jugosllavisë, ai pati vetëm disa ndeshje ndërkombëtare në mes të viteve ’80.
“Isha shumë krenar për shkak se isha kosovari i parë dhe i fundit që luaja me skuadrën kombëtare të Jugosllavisë”, thotë ai ndërsa qesh. Po të mos kishte qenë shqiptar, ndoshta do të kishte pasur karrierë më të fortë.
Vokrri luajti me Partizanin e Beogradit para se të largohej drejt Francës, ku jeton edhe sot. Tani është beteja për njohjen e skuadrës kombëtare të Kosovës ajo që ia konsumon ditët.
“Blatter e di se kjo është padrejtësi kundër Kosovës”, thotë Vokrri duke shtuar: “Nuk e kuptoj pse Platini po e bën këtë”, duke iu referuar kundërshtimit të shprehur nga presidenti i UEFA-s, Michel Platini.
Pas një ore, Vokrri dhe Salihu prisnin të nervozuar në barin e hotelit të skuadrës zvicerane derisa tre futbollistët erdhën. Shaqiri, Xhaka dhe Behrami u ulën dhe e firmosën peticionin.
“Nëna dhe baba janë nga Kosova dhe emri im thotë se mbi të gjitha unë nuk jam nga Zvicra, por nga Kosova”, thotë Shaqiri, i cili ka lindur në Kosovë, por emigroi në Zvicër së bashku me prindërit ndërsa Jugosllavia ra në luftë civile në vitet ’90.
Ai gjeti një jetë të re atje: shkollë, miq dhe stabilitet. Talenti i tij si futbollist u zbulua dhe u ushqye, diçka që nuk e ka harruar. “Për mua, gjithmonë kam besuar se do të luaj për Zvicrën”, thotë ai. Por kjo qe para se të krijohej ideja e ekzistencës së një skuadre kosovare.
“Tani ne nuk kemi një skuadër nga Kosova; ata nuk janë në FIFA”, thotë ai kur pyet nëse do të luante për Kosovën. “Këtë herë do të luaj për Zvicrën. Por ndoshta kur Kosova të luajë në FIFA, pra në të ardhmen, do ta shoh se sa shumë lojtarë do të shkojnë në Kosovë. Për mua nuk ka problem”.
Xhaka qe më i drejtpërdrejtë. Ai ka lindur në Zvicër, pasi prindërit e tij u larguan nga Jugosllavia. Ai shënoi golin e parë për skuadrën zvicerane për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2012 disa ditë më parë kundër Sllovenisë.
“Po sigurisht”, thotë ai kur pyetet nëse do të luajë për Kosovën. “Unë nuk e di kur Kosova do të ketë një skuadër kombëtare, – dy, tre apo pesë vjet më vonë. Por ne kemi tre lojtarë këtu që mund të luajnë. Tani për tani po luajmë për Zvicrën, por më vonë do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Statusi i shqiptarëve të Kosovës që luajnë për Shqipërinë është shumë më pak problematik. Kapiteni Cana u takua me Vokrin dhe Salihun te hoteli i skuadrës shqiptare në Lucernë për të firmosur peticionin.
“Unë ika nga Kosova më 1990 dhe jetova në Zvicër për dhjetë vjet, pra kjo është një ndeshje speciale”, thotë Cana. “Besoj se Kosova e meriton të njihet si shtet dhe të njihet në futboll gjithashtu. Sportet janë ambasadori më i mirë për çdo komb”.
Blatter tha se vendimi për të lejuar Kosovën të luajë në ndeshje miqësore qe motivuar nga dëshira e tij për drejtësi.
“Unë mora iniciativën për të thënë, ‘lërini ata të luajnë’, së paku në futbollin ndërkombëtar në nivelin e klubeve dhe në nivelin e të rinjve”, thotë ai në një intervistë në zyrat qendrore të FIFA-s në Zyrih. “Thashë se duhet të bëjmë diçka, sepse nuk është e drejtë”.
Njoftimi i Blatter-it në maj u pasua nga reagime të ashpra nga skuadra kombëtare e futbollit të Serbisë, si dhe nga Platini. Platini thotë se ka frikë se Kosova do të vendosë një precedent për kombet e tjera të panjohura që kërkojnë anëtarësim. Kërkesa që çdo anëtar duhet të jetë pjesë e OKB-së – është e ndryshme nga standardi më i butë i FIFA-s që thotë se vendi duhet të jetë “njohur në arenën ndërkombëtare” – u vendos fillimisht vetëm pasi Gjibraltari u përpoq të anëtarësohet në UEFA në vitet ’90.
Gjibraltari, një territor britanik në gjuhën jugore të gadishullit të Iberisë, është një territor që pretendohet edhe nga Spanja. Gjibraltari duket se mund të kapërcente kriteret e vjetra të anëtarësimit të UEFA-s, por Spanja kërcënoi se do të tërhiqte kombëtaren, si dhe skuadrat e klubeve si Barcelona dhe Real Madridi nga të gjitha garat europiane, një lëvizje që mund të dëmtonte rëndë financiarisht UEFA-n.
Megjithëse Blatter ka thënë se FIFA nuk do ta njohë Kosovën si një anëtar me të drejta të plota derisa një zgjidhje politike të jetë arritur dhe se nuk do të lejojë lojtarët të ndryshojnë skuadrën kombëtare, Vokrri dhe Salihu besojnë se kauza e tyre është e tillë dhe një zgjidhje do të gjendet. Ata shpresojnë se një amnisti njëvjeçare do të duhet të jepet për kosovarët për të zgjedhur se me cilën kombëtare duan të luajnë.
Federata Kombëtare e Futbollit të Serbisë, tha në një deklaratë për “The New York Times” në lidhje me përpjekjet e Kosovës për të fituar njohjen si një komb i pavarur futbolli: “Të gjithë ne në Serbi i bindemi me rreptësi të gjitha rregullave, për shkak se përndryshe do të shkaktohet kaos, sepse një numër i madh vendesh të panjohura ndërkombëtarisht në Europë dhe në të gjithë botën, do të kërkojnë anëtarësim në UEFA dhe FIFA”.
Në stadiumin e Lucernës, arbitri dha sinjalin për të filluar ndeshjen, por bilbili i tij nuk u arrit të dëgjohej mes britmave të turmës së tifozëve të dominuar nga shqiptarët. Shaqiri shënoi golin e parë për Zvicrën duke e kaluar topin përtej portierit shqiptar të lindur në Kosovë Samir Ujkani. Shaqiri nuk e festoi golin.
Ndeshja u mbyll 2 me 0, duke i dhënë Zvicrës nisjen më të mirë të mundshme për kualifikimin në Kampionatin Botëror: dy fitore në dy ndeshje. Lojtarët kosovarë të Zvicrës u përshëndetën me kundërshtarët shqiptarë duke shkëmbyer bluzat në mesfushë.
Shaqiri doli nga fusha, tashmë duke veshur bluzën shqiptare me shqiponjën e zezë dykrenore në zemër dhe tre flamuj në këpucë.