Tarifat e shkollimit, ndërhyn Bode, plus 4 për qind inflacion
Lorina Mixha
Tarifat e studimeve universitare apo pasuniversitare do të mbeteshin të pandryshuara, njësoj si një vit më parë, pavarësisht propozimeve të institucioneve për rritje me disa për qind.
Deklarata u bë në verën e këtij viti, nga Kryeministri Sali Berisha në një mbledhje të Këshillit të Ministrave.
Sipas tij, rritja do të jetë aq sa është edhe niveli i inflacionit. Instituti i Statistikave, strukturë që publikon edhe nivelin e inflacionit e ka deklaruar inflacionin mbi 2 për qind. Ndërkohë që në relacionin e fundit të Këshillit të Ministrave për masterat profesionalë, llogaritja është bërë me 4 për qind.
Inflacioni lëviz nga muaji në muaj, megjithatë merret një shifër mesatare për të gjithë vitin dhe INSTAT ka për detyrë që ta masë këtë indeks si dhe ta bëjë publike shifrën.
Sakaq, për këtë vit akademik, tarifa do të jetë e njëjta e një viti më parë, por me 4 për qind më shumë të vlerës.
Studimet pasuniversitare këtë vit, masteri, do të na kushtojnë pak më shtrenjtë, por nisma e fundit e marrë në konsultim me Ministrinë e Financave lidhet me provimet e mbartura në ciklin e dytë të studimeve. Në rast se një student nuk do të kalojë provimet dhe nuk do të klasifikohet as në sezonin e vjeshtës, atëherë në sezonet e tjera do t’i duhet të paguajë kreditet e prapambetura. Sipas llogaritarëve, provimet që mbart secili student janë kosto për institucionet e arsimit të lartë.
Pasuniversitarët
Për masterat profesionalë, kuota të miratuara këtë javë nga qeveria, efekti financiar do të jetë rreth 279 milionë lekë.
“Kjo pa llogaritur këtu efektet financiare shtesë që vijnë si pasojë e mospërfundimit në kohë të studimeve nga ana e një pjese të studentëve, të cilët, ashtu siç përcaktohet në projektvendim do të paguajnë tarifën për kreditet e mbetura në lëndët ku kanë rezultuar mbetës”, thuhet në relacionin e vendimit për masterat profesionalë.
Tarifa e shkollimit për studentët që transferojnë studimet, për të mos penguar mobilitetin e tyre, objektiv themelor i “Deklaratës së Bolonjës”, është e njëjtë me atë program studimi të ciklit të dytë, në të cilin ata do të vijojnë studimet.
Financat
Ministria e Financave, me shkresën nr. 22650/1, datë 8.8.2012, “Mendim për një projektvendim”, ka kërkuar që në relacion të analizohet dhe argumentohet rritja e tarifave, si dhe të vlerësohen të ardhurat shtesë që rrjedhin nga ky vendim.
“Për sa më lart, sqarojmë se tarifat e studimit janë caktuar në bazë të tarifës së vitit paraardhës duke shtuar vlerën 4% (sa niveli i inflacionit). Për këtë është marrë parasysh dhe sugjerimi i Ministrisë së Financave. Efektet e pritshme financiare të këtij projektvendimi parashikohen rreth 279 milionë lekë. Për studentët që vijnë nga shtesat sociale në nevojë, sipas pikës 12 të projektvendimit, janë parashikuar të ndjekin studimet me tarifa të reduktuara me 50%”, thuhet në relacionin shpjegues të Ministrisë së Arsimit, për vendimin e masterave profesionalë.
Të dhëna
Provimet – E mbartura në ciklin e dytë universitar, master, do të paguhen sipas rregullit për kredite të prapambetura
Universitetet – Për këtë vit kanë bërë propozime për rritje të tarifave shkollore, por qeveria vendosi se rritja do të jetë sa niveli i inflacionit
Kosto – Sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave, studentët që kanë provime të mbartura sjellin shpenzime për universitetet