Regjisori i famshëm amerikan do të nxjerrë së shpejti një dokumentar të ri kushtuar mbretit të popit. Këngë, imazhe dhe sekrete të papara e dëgjuara më parë


Për të gjithë ne, Michael Jackson ishte padyshim mbreti i popit.


Për Spike Lee është shumë më shumë: “një gjeni i brishtë që kërcente si një engjëll rok”. Dhe për ta treguar bëri atë që di të bëjë më mirë: xhiroi një dokumentar duke e dëgjuar.


Spike Lee është një nga regjisorët më të famshëm amerikanë. “Unë e them që kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë i ‘dashuruar’ me Michael Jackson”, thotë ai. “Kush ka pasur fatin ta dëgjonte nga afër atë zë të mrekullueshëm, shpeshherë të butë e shpesh shumë i fuqishëm, e kupton menjëherë përse e quanin Piter Pani i muzikës së lehtë”.


Për sa i përket dokumentarit të dedikuar mbretit të muzikës pop, që vdiq tre vjet më parë, regjisori amerikan 55-vjeçar tregon se nuk kishte asnjë zgjedhje tjetër.


Ju njiheni si një kritik i pamëshirshëm i realitetit amerikan. Si ka mundësi që ju pëlqen kaq shumë Michael Jackson, madje aq sa i keni kushtuar një dokumentar thuajse dy orësh. Po bëheni më i butë me kalimin e viteve?


Kam përdorur material të pabotuar, kam folur me dëshmitarët, madje edhe teknikët që ndikuan në suksesin e atij albumi, kam qenë shumë i përpiktë dhe i kujdesshëm si gjithmonë për të treguar të vërtetën. Megjithatë, nuk mund ta mohoj se kam dobësi për Michael Jackson-in. Është bashkëmoshatar i imi, jam rritur me të. E kam dëgjuar që kur këndonte me vëllezërit e tij në Jackson Five.


Si reaguat kur morët vesh për vdekjen e tij? Besoni te teza për abuzimin me ilaçe dhe neglizhencën e mjekut? Apo si në rastin e


Elvis Presley-t, do të vazhdojë të mbetet ende një mister pas vdekjes së tij…


Unë mendoj vetëm se çdo ditë që kalon pa të, është një ditë e trishtuar. Sapo mora lajmin për vdekjen e tij për mua ishte njëlloj sikur u gjenda në një krizë të madhe histerizmi: mbusha iPod-in me të gjitha këngët e tij dhe nisa t’i dëgjoja pa pushim. Ky dokumentar do të jetë një lloj dëshmie për më të rinjtë. Që të mos harrojnë kurrë tingujt, fjalët dhe vlerën e albumeve si “Bad”.


Çfarë ideje krijuat për Michael Jackson, duke analizuar gjithë atë material dhe duke dëgjuar dëshmitë e personave që kanë punuar me të?


Ka qenë një kënaqësi, por jo një surprizë, të zbuloja brishtësinë dhe bujarinë e tij kundrejt të tjerëve, zbulova se sa problem e kishte të mos këndonte live, se sa në gjak e kishte këngën. Arrita thjesht në përfundimin se Jackson ishte një gjeni, që kërcente ashtu siç do të bënte një engjëll rok.


Mendoni se “Bad 25” do t’u pëlqejë tre fëmijëve të tij (Prince, 15 vjeç, Paris, 14, dhe Blanket, 10) të Michael? Pavarësisht moshës së tyre të re, ishin shumë të ndjeshëm ndaj faktit se si mediat paraqisnin jetën e babait të tyre…


Nuk e kanë parë ende, kështu që nuk di ç’të them. Megjithatë, duhet të them se ky dokumentar është një homazh për këtë këngëtar kaq të madh që ndryshoi botën e muzikës rok. Për këtë arsye mund të them se mendimi i familjes për mua mbetet dytësor.


Tani po flet si regjisor, jo si fans…


Unë ashtu jam, edhe pse ndihem shumë mirë kur bëhem gazetar me kamerën në krah. Si fans do të thosha vetëm kaq, se muzika e Michael Jackson-it nuk ka për të vdekur kurrë. Ai ishte heroi ynë, një ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.


Le të flasim pak për situatën politike në vendin tuaj, Amerikën. Ju ashtu si gjithë komuniteti afro-amerikan e keni mbështetur fort Barack Obama-n. Besoni ende te vizioni i tij?


Barak Obama e gjeti vendin në një situatë jo shumë të lehtë dhe problemet me të cilat duhej të përballej ishin të shumta. Disa gabime i ka bërë edhe ai, shumë premtime nuk i ka mbajtur, por mbetet gjithsesi, ajo çka është vërtet e rëndësishme, një njeri shumë i mirë. Pritshmëritë ndaj tij ishin shumë të mëdha, por nuk duhet harruar fakti se Barack është thjesht një njeri si të gjithë ne, jo një superhero. Nga mënyra se si e shoh unë, të votosh për kundërshtarin e tij, Mitt Romney, në zgjedhjet e nëntorit është njëlloj si të bësh hapa pas dhe të kthehesh në të kaluarën.