Industria
Presidenti i Sudanit, i cili kërkohet nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte, Omar al-Bashir përuroi hapjen e rafinerisë së parë të floririt në këtë vend ndërsa zyrtarët e tij thonë se kjo është më e madhja e këtij lloji në kontinentin afrikan. Analistët thonë se ky veprim është një masë që qeveria e Khartumit ka marrë për të zëvendësuar humbjet nga eksportet e naftës pas ndarjes së Sudanit të Jugut vitin e kaluar.
Rafineria pritet të prodhojë rreth 328 tonë flori në vit. Ministria e Financave njoftoi se do të ndalojë eksportin e xeheroreve të floririt pas hapjes së rafinerisë. Sudani shpreson të shesë rreth 3 miliardë dollarë flori këtë vit. Ky vend ka burime të konsiderueshme floriri që janë shfrytëzuar që në lashtësi, por përmasat e shfrytëzimit nuk dihen për shkak të numrit të madh të kërkimit privat. Rafineria pritet të përdorë edhe mineralin bazë të grumbulluar në vendet fqinje ndërsa besohet se do të ulë sasinë e eksporteve ilegale drejt Dubait apo vendeve arabe për shkak se minatorët do të përfitojnë më shumë të ardhura.
Në Afrikën e Jugut, një rafineri e ngjashme prodhon rreth 600 tonë flori në vit. Sudani i Jugut u nda për të krijuar një shtet më vete dhe mori dy të tretat e burimeve naftëmbajtëse, megjithëse varet nga naftësjellësit që kalojnë në veri për ta eksportuar. Ajo aktualisht prodhon rreth 350 mijë fuçi nafte në ditë, një sasi e konsiderueshme kjo.
Floriri i Sudanit besohet se ka qenë thelbi i lulëzimit të arabëve si qytetërim pas shekullit të tetë.