Aktualitet Vëllai i Xhakes, nënkryetar i Komunës së Katundit të Ri

Vëllai i Xhakes, nënkryetar i Komunës së Katundit të Ri

1002
SHPËRNDAJE

Familja

Funksionari Fatbardh Xhakja është hetuar në vitin për trafik mjetesh motorike

Ilir Xhakja, i arrestuari për vrasjen e shefit të Komisariatit të Shijakut duket se i ka lidhjet e forta me Partinë Demokratike, pasi edhe vëllai i tij rezulton të jetë nënkryetar i Komunës Katund i Ri, i zgjedhur nga subjekti i djathtë. Bëhet fjalë për Fatbardh Xhaken, i cili ka mandatin e dytë në këtë funksion, të cilin e mbante edhe në kohën kur i vëllai u arrestua nga forcat speciale për disa krime të rënda, por më vonë u lirua nga gjykata për mungesë provash. Sipas të dhënave, vëllai i të arrestuarit mban funksionin e nënkryetarit prej vitesh, ndërkohë që edhe vetë ka pasur probleme me drejtësinë, pasi është hetuar si i dyshuar për trafik makinash, por më vonë doli i pafajshëm. Burimet e policisë lokale tregojnë se Fatbardh Xhakja është zgjedhur dy herë në të njëjtin funksion në Komunën Katund i Ri, ku ka fituar subjekti politik, Partia Demokratike. Mësohet se edhe vetë Ilir Xhake, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit, Adem Tahiraj, ka lidhje të forta me këtë kah politik. Por, një fakt tjetër është procedimi penal ndaj Fatbardh Xhakes në vitin 2008. Në atë kohë, ai u hetua me dy persona të tjerë, si të dyshuar për trafik makinash. Policia tha në atë kohë se gjatë operacionit të koduar “Pranverë 2008” ranë në pranga Fatbardh Xhakja, 38 vjeç, lindur e banues në fshatin Sukth, të Rrethit të Durrësit, me detyrë nënkryetar i Komunës së Katundit të Ri, Mehmet Shuaipi, 55 vjeç, banor i lagjes nr. 4 në qytetin bregdetar si dhe 30-vjeçari Myslim Dosti, lindur e banues në Skrapar. Të tre këta persona u ndaluan pas hetimeve të kryera nga Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, pasi qarkullonin me automjete, që kanë rezultuar të vjedhura në Itali. Por, më vonë, nënkryetari i komunës u lirua nga akuzat, pasi gjykata vlerësoi se nga hetimet nuk rezultonte të ishte përfshirë në rrjetin e trafikimit të mjeteve motorike. Siç dihet, zona ku familja Xhake është autoktone, njihet prej vitesh si një ndër bastionet e Partisë Demokratike, ku shpeshherë kanë triumfuar mes fiseve të tjera, duke i dhuruar shumë vota të djathtëve. Gjithashtu, kjo zonë ka pasur akuza të shumta politike, ndërkohë që nuk kanë munguar as konfliktet me motive të tilla.