Vetëm pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1996 u kërkua nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë përsëritja në disa zona si pasojë e disa parregullsive


Rikthehet

viti 1996?


Fatjona Mejdini


Eugen Wollfarth, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, parashikon një zhvillim dramatik në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, në një raport zyrtar që ka mbajtur në Këshillin e Përhershëm të Organizatës. Diplomati gjerman ka deklaruar, as më pak e as më shumë, se zgjedhjet mund të vazhdojnë me muaj, madje edhe mund të ketë përsëritje. Raporti i përvitshëm i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, i lexuar dje nga diplomati gjerman, paraqet një tablo të errët për sa i përket funksionimit të drejtësisë në vend dhe parashikimit të procesit zgjedhor për vitin 2013. Me një gjuhë të ashpër, raporti i bërë publik dje në zyrat qendrore të OSBE-së në Vjenë, thekson faktin se gjykatat shqiptare kanë treguar mangësi të shumta gjatë procedurave të ndjekura në rastet e ndjekjes penale për dy nga zyrtarët e lartë të vendit, që janë ish-zv.kryeministri Ilir Meta dhe ministri aktual i Mjedisit, Fatmir Mediu. Nga ana tjetër, si rrallëherë ky raport parashikon që procesi zgjedhor i qershorit të vitit 2013 të paraprihet nga një fushatë e ashpër mes palëve dhe të ketë tejzgjatje të madhe si rezultat i përsëritjeve që pritet të ndodhin në disa zona. Evidentimi i mundësisë për përsëritje të zgjedhjeve është një ogur i keq që jepet nga një institucion, i cili si një nga pikat kryesore të misionit të tij ka mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri.


Zgjedhjet


Raporti i OSBE-së parashikon që procesi i apelimeve dhe përsëritjes së zgjedhjeve të qershorit të 2013-s, pritet të sjellë vonesë të konstituimit të qeverisë së re. Me tone të ashpra, raporti thekson faktin se procesi i përsëritjes së zgjedhjeve tashmë është bërë i përhershëm dhe pritet të karakterizojë edhe procesin e ardhshëm elektoral. “Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshi procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk do të konstituohet zyrtarisht përpara seancës së parë plenare të legjislaturës së re, e cila tradicionalisht planifikohet të mbahet në javën e parë të shtatorit”, theksohet në raport, duke shtuar se tashmë e gjithë vëmendja e opinionit publik në vend do të përqendrohet te fushata zgjedhore. Po kështu, raporti thekson faktin se gara elektorale do të jetë shumë e ashpër. Ky parashikim duket se bëhet nisur nga fakti se mazhoranca në vend do t’u drejtohet shqiptarëve për të kërkuar një mandat të tretë, të cilin asnjë parti nuk e ka fituar në historinë e pluralizmit shqiptar. “Në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër”, theksohet në raport.


Drejtësia


Vendimet e gjykatave shqiptare për sa u përket çështjeve të bujshme në vend si Gërdeci dhe përgjimi i ish- zëvendëskryeministrit të vendit, Ilir Meta, konsiderohen nga raporti i OSBE-së, si të dyshimta. Gjykimi i aferave, të cilat lidhen me emrat e Fatmir Mediut dhe Ilir Metës, shikohet si jo i plotë dhe me procedura të dyshimta. Në rastin e Gërdecit, raporti fillimisht thekson faktin se procesi gjyqësor ka qenë i stërgjatë. “Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Në veçanti, kohëzgjatja e tepruar e gjyqit, i cili shtyhej shpesh kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ngriti shqetësime të herëpashershme”, thekson raporti, duke lënë të kuptohet qartë se përfshirja e emrit të ministrit Mediu në proces ka penguar veprimin normal të institucioneve të drejtësisë. Nga ana tjetër, në raport theksohet fakti se procesi gjyqësor ndaj kreut të LSI-së, Ilir Meta, u shoqërua me shumë pikëpyetje. “Gjykata u shpreh pas dhënies së tyre, çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga gjykata i regjistrimeve me zë e figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash”, thekson raporti për këtë çështje.


 


Paralajmërimi – “Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit”


Korrupsioni – Raporti del në konkluzionin se në nivele të larta korrupsioni rrallë ndiqet penalisht apo ndëshkohet, duke bërë që zyrtarë të lartë publikë dhe biznesmenë të rëndësishëm të gëzojnë imunitet thuajse të plotë


Media – Në raport theksohet se në shumë raste mashtrimi dhe keqbërjeje të denoncuara në media nuk ndiqen nga organet ligjore dhe se të dyshuarit me profil të lartë shpesh kalojnë pa u ndëshkuar


Legalizimet – OSBE-ja del në konkluzionin se procesi i legalizimit të ndërtimeve informale, më së shumti, joefektiv dhe i damkosur nga perceptimi publik si i korruptuar dhe reputacioni i ALUIZNI-i është i ulët


Administrata – Sipas raportit, administrata publike ende vuan nga mungesa e profesionalizmit, si dhe nga korrupsioni gjerësisht i përhapur dhe i shoqëruar me klientelizëm


Armët – Raporti thekson se asgjësimi i lëndëve kimike dhe shkatërrimi i armëve të vogla e të lehta mbetet një shqetësim. “Një numër shumë i konsiderueshëm, por deri më tani ende i panjohur armësh të vogla, duhet çmilitarizuar, me rrezikun që këto armë mund të keqpërdoren apo të trafikohen”, nënvizohet në raport


Konkluzioni – “Ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave”