Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e grupeve për mbrojtjen e kafshëve
Gjykata më e lartë e Francës deklaroi se ndeshjet e famshme me dema do të mbeten të ligjshme në këtë vend, pavarësisht kundërshtimeve të grupimeve aktiviste për mbrojtjen e kafshëve. Aktivistët i patën kërkuar kësaj gjykate të shpallte antikushtetuese ndeshjet e toreadorëve, duke argumentuar se ky lloj sporti përbën keqtrajtim të kafshëve.
Gjykatësit deklaruan se luftimet “tradicionale nuk i dëmtojnë njerëzit që mbrohen nga të drejtat kushtetuese”. Sporti i ndeshjeve me dema është veçanërisht popullor në Jug të Francës. Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, më shumë se 1 mijë dema vriten çdo vit në këtë vend në ndeshje.
Megjithëse ndeshjet me dema e kanë origjinën në Spanjën fqinje, sporti u përhap në Francën e Jugut një shekull e gjysmë më parë. Të njohura në spanjisht si Korrida, këto ndeshje janë të famshme në zonat e Nimes dhe Arles.
Rajoni spanjoll i Katalunjës vendosi vitin e kaluar të ndalojë ndeshjet me dema, ndalimi i parë i kësaj natyre në të gjithë territorin e Spanjës Kontinentale.
Disa vrojtime mbi opinionin publik raportojnë se 48 për qind e francezëve aktualisht janë dakord me kërkesën për ndalimin e ndeshjeve me dema. Ministri i Brendshëm i Francës, Manuel Valls, i cili ka lindur në Barcelonë, foli në mbështetje të ndeshjeve me dema disa ditë më parë. Ndeshje të tilla janë ndaluar nga autoritetet vendore në disa pjesë të Francës. Aktivistët e të drejtave të kafshëve lajmërojnë se do ta ngrenë çështjen para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.