Emrat e ndaluar për fëmijë, nis me Ankim, vijon me Pseerdhe dhe përfundon me Zehere

Gjendja Civile 

Vëzhgim/ Emrat Eros dhe Shkurta, megjithëse të ndaluar, vendosen në Durrës

Vali Qyrfyçi

Nëse mendoni se keni zgjedhur emrin perfekt për të sapolindurin tuaj, mund të përballeni në sportelet e gjendjes civile me pamundësinë e të regjistruarit të tij. Kuptohet nëse emri i përzgjedhur nga ju është pjesë e një liste që dikton emrat e papërshtatshëm për t’u regjistruar. Shumë pak prindër e dinë se ekziston një listë emrash që ata nuk mund t’ua vendosin fëmijëve të tyre, një listë që ka ngjallur jo pak debate në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndërsa autoritetet pohojnë se lista mund të zgjerohet në vazhdimësi. Ligjvënësi i ka përjashtuar prindërit nga e drejta për t’i vendosur fëmijëve të tyre emra të cilësuar si të papërshtatshëm, për shkak të karakterit fyes që sipas ligjvënësit kanë dhe që lidhet kryesisht me pëlqimin ndaj një objekti, mentalitetin apo dhe qëndrimin prindëror ndaj pasardhësit të radhës. Ndonëse pjesë e listës së emrave të papërshtatshëm, regjistrimet vazhdojnë. Neglizhencë e punonjëseve të gjendjes civile apo këmbëngulje prindërore, emrat Eros dhe Shkurta shfaqen në listat e vogëlushëve të ardhur në jetë e të regjistruar gjatë këtij viti në zyrat e gjendjes civile në Durrës. A përbën kjo një shkelje të ligjit dhe a duhej të ishte regjistruar fëmija nga punonjëset përkatëse të gjendjes civile në rajonet 1 dhe 5 të qytetit? Përfshirja e emrit Eros në këtë listë është ajo që diskutohet më së shumti, pasi vlerësohet e pakuptimtë. Ndërsa emri i papërshtatshëm Shkurte shfaqet në formën Shkurta. Prindi ka të drejtën e patjetërsueshme të vendosjes së emrit për fëmijën e porsalindur, një e drejtë kjo e mbrojtur me ligj në mbarë botën, po në disa raste përzgjedhja e tij mund të cenojë mbarërritjen psikologjike të individit të ri që vjen në jetë. Po nga ana tjetër lista e zezë mund të shkaktojë ndikime negative psikologjike te mbartësit e këtyre emrave përjashtues tashmë. Si duhet të ndihen ata në një shoqëri që i vlerëson të pakëndshëm emrat që mbajnë që nga lindja? Për të gjithë ata persona që kanë emra të papërshtatshëm, ligji ofron mundësinë e ndryshimit të emrit, përmes ndërmarrjes së procedurës përkatëse ligjore. Në urdhëresën e dërguar, disa vite më parë, në zyrat e gjendjes civile, thuhej se në bazë të ligjit për gjendjen civile, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka përcaktuar listën me emrat e papërshtatshëm për shtetasit shqiptarë dhe se banorët janë të lutur që të mos kërkojnë vendosjen e dhjetëra emrave.

 

Fenomeni

Emrat e ndaluar nuk janë gjetje shqiptare. Përkundrazi edhe në vende të tjera të botës ekzistojnë lista me emra të papërshtatshëm. Kështu p.sh., në Rumani ekzistojnë emra të pazakonshëm, si Imperator, Mercedes, Polici, Tarzan dhe Televizor që janë të ndaluar. Në Zelandën e Re ka një listë prej 102 emrash të ndaluar, mes të cilëve dhe Violence, Baron, Bishop, Duke, Judge, Justice, King, Knight (Dhunë, Baron, Peshkop, Dukë, Gjykatës, Drejtësi, Mbret, Kalorës). Po kështu në këtë shtet janë të ndaluar emrat Lucifer dhe Messiah, si dhe emrat thjesht me një shkronjë “C” apo “T” dhe emrat numra. Nëse një ligj i tillë do të zbatohej dhe në Shtetet e Bashkuara, shumë personazhe të njohura do të kishin probleme me emrat e fëmijëve të tyre. Gwen Stefani ka një fëmijë që quhet King, Diane Keaton dhe Justin Bateman i kanë pagëzuar pasardhësit me emrin Duke. Ka dhe mjaft raste të tjera kur emrat për dikë tingëllojnë çuditshëm deri në papranueshmëri dhe për dikë tjetër, veçanërisht për prindërit që i zgjedhin janë emri perfekt për beben e tyre, siç është rasti i Victoria dhe David Beckham që kanë zgjedhur emrin Harper 7 për vajzën e tyre. Në 2007, në median botërore raportohet për një gjyqtar në Republikën Domenikane, i cili paraqiti një propozim për të ndaluar emrat që nuk e përcaktojnë qartë gjininë e foshnjës, si Qeurida Pina (Ananas i dashur) dhe Tonton Ruiz (Ruizi Bedel). Në Suedi ekziston një ligj që rregullon emrat që prindërit mund t’i vendosin fëmijëve të tyre në disa raste. Kështu, gjykatat kanë miratuar emra si Lego dhe Google, por emrat Superman, Metallica dhe Elvis nuk e kanë kaluar provën.

 

Ende të etur për emrat e huaj

Kushdo që ka qenë në pritje të një fëmije është përballur me gjetjen e emrit, hartimin e listës së mbushur me emra të parapëlqyer dhe në fund me vendimin e vështirë për të zgjedhur mes tyre, apo dhe për ta “thyer” listën, duke zgjedhur një emër të ri, po që do ta shoqërojë për të gjithë jetën krijesën më të dashur. Jo rrallë, prindër të ndryshëm janë përballur që herët me pyetje të fëmijëve rreth emrit të tyre, madje dhe të llojit: “Pse s’ma vutë emrin…?”. Ka raste, kur pyetje të këtij lloji të bëjnë të ndjehesh keq, ka raste kur nxiton të japësh një shpjegim për të shmangur njëfarë pakënaqësie që ndjen te fëmija që po rritet ndaj emrit të vet. Prandaj, në të shumtën e rasteve, emri duhet të mbartë dhe një kuptim, histori apo arsyetim që në të afërmen e shpejtë prindërit duhet t’ia tregojnë fëmijës për ta lidhur edhe më shumë me emrin e vet. Për ta pranuar dhe dashur atë, po aq sa prindërit që ia zgjodhën në çastin e lindjes. Shpendi Hoxha, shef i Gjendjes Civile në Bashkinë e Durrësit thotë se nga tërësia e emrave të përzgjedhur nga prindërit gjatë këtij viti për fëmijët e tyre, rezulton se më të preferuar mbeten emrat e huaj. Këtë vit, në pesë rajonet e Bashkisë së Durrësit, gjatë periudhës janar-korrik, janë regjistruar afro 995 foshnje dhe numri më i madh i tyre është regjistruar në rajonin nr.5, që ka dhe numrin më të madh të banorëve në qytetin bregdetar, pasi në të përfshihen lagjet 13, 14 dhe 17, përkatësisht zonat e Plazhit, Shkozetit dhe një pjesë e mirë e ish-kënetës. Pas një rikthimi të shkurtër tek emrat shqiptarë, shumica e prindërve në Durrës zgjedhin emra të huaj për foshnjat e tyre. Jetojmë në një epokë kur globalizimi gllabëron me ritme të shpejta, duke zgjeruar terrenin e tij, kufij gjeofizikë dhe mendorë, duke rrezikuar kultura, tradita dhe trashëgimi e dalëngadalë vetëdije gjuhësore. Sociologët gjerësisht mendojnë se emrat dhe vendosja e tyre është një proces që lidhet me kulturën, traditën dhe identitetin personal të gjithsecilit prej nesh. Emri tregon njëkohësisht përkatësi, por edhe dëshirën për të qenë i veçantë brenda saj. Dhe po t’u referohesh të dhënave të gjendjes civile vëren edhe muaj ku asnjë nga prindërit nuk ka zgjedhur emër shqiptar për fëmijën. Edhe në muajt pasardhës, në pothuajse të gjitha rajonet e qytetit, që është dalluar për lidhjet e ngushta me vendet e qytetëruara që në antikitet, emrat që mbizotërojnë janë të huaj. Ndesh Herman, Leabetris, Brayan, Regina, Johana, Ester, Klemesja, Noemi, Ajnel, Amajda, Christel, Flavio, Milka, Tuana, Kleopatra, Evan, Eros, Klaus, Azret, Divide, Matias, Rebeka, Daniel e plot emra të tjerë. Mes tyre dallohen qartë dhe emrat me ndikim fetar, po që duke iu referuar emrave të baballarëve të foshnjave, vetëm në pak raste dëshmojnë përkatësinë e origjinës së besimit fetar të personit që e mban. Bien në sy emrat hebre, ata biblikë që janë dhe më të shpeshtët që përsëriten nga prindër të ndryshëm, po nuk mungojnë as emrat fetar myslimanë si Azret, Adem, Ibrahim etj.

 

 

 

Gjuha shqipe

Disa emra të huaj janë vendosur jo mbi bazën e drejtshkrimit

Një fenomen shqetësues, po mjaft praktik në ditët e sotme të shuarjes së kufijve dhe dëshirës së prindërve për integrim të lehtë të fëmijëve të tyre në botën e qytetëruar e të shumëkërkuar është ai i regjistrimit të emrave. Në shumë raste, emrat e huaj regjistrohen nga prindërit, jo mbi bazën e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, po mbi ato të gjuhës së huaj nga është huazuar emri i fëmijës, si Abyy, Alessio, Daisy, Jonathan, Alessandro, Alex, Brayan, Christel, Regina, që në varësi të prindit regjistrues shfaqen edhe si Brajan, Kristel, Rexhina; Frederico, Sarah, Aaron, Nicole, Evelyn, Richard, Chloe, Joi, Wendy dhe Stella. Ka dhe emra në të cilat ndihet edhe ndikimi grek, si Afrodhiti etj. Në zyrat e gjendjes civile tregojnë se ata janë kryesisht fëmijë të prindërve që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj, Greqi, dhe duhet të përshtaten me ambientin atje, që përtej arsyes së mësipërme lidhet dhe me përshtatjen e detyruar ndaj një ambienti tejet diskriminues e agresiv ndaj emigrantëve shqiptarë. Vihen re dhe emra që mund të përdoren nga të dyja gjinitë dhe është e vështirë të përcaktosh gjininë vetëm nga emri i zgjedhur, si Heby, Joi, apo Ariel. Gjithsesi në listat e fëmijëve të ardhur në jetë gjatë këtij viti gjen edhe emra shqiptarë, përfshirë dhe ata që janë bërë pjesë e fondit të emrave tanë ndër dekada, pavarësisht origjinës së tyre të hershme: Arbër, Earta, Sibora, Besart, Dea, Agim, Era, Kujtim, Artan, Erla, Iris, Thoma, Skënder, Bujar, Erion, Viola etj. Nuk mungojnë as emra, si Shkurta, Banesa, Aqif, Cekët.

 

 

Emrat e ndaluar

  • Ankim
  • Arançatë
  • Avash
  • Bretk
  • Berr
  • Burgim
  • Ballokume
  • Car
  • Cub
  • Curranë
  • Currelë
  • Careva
  • Carina
  • Çbane
  • Dert
  • Derman
  • Dovlet
  • Durak
  • Ekran
  • Eros
  • Ferman
  • Federatë
  • Fodulle
  • Gazep
  • Gallatë
  • Gabime
  • Groshe
  • Gjezap
  • Hyzmet
  • Përshëndetje
  • Hafije
  • Helme
  • Ironi
  • Jermësinë
  • Keqan
  • Keqe
  • Kralicë
  • Lëvere
  • Meze
  • Mëshirë
  • Mjaftë
  • Mjaftime
  • Mjaftoni
  • Mbarime
  • Mbete
  • Mbylle
  • Marrëzi
  • Ndalime
  • Pikëllime
  • Pafate
  • Pseerdhe
  • Rikë
  • Rakita
  • Spece
  • Sose
  • Stenatë
  • Sherre
  • Shkurte
  • Shkurtime
  • Xhenaze
  • Zehere

 

Emrat më të preferuar në 2012

 

Vajzat:

  • Uendi
  • Alesia
  • Anamaria
  • Sara
  • Greis
  • Sidorela
  • Klea

Djemtë

  • Noel
  • Aron
  • Alesandro
  • Enrik
  • Flavio
  • Luis
  • Aleksio

 

Neni 56 i ligjit nr. 10129 “Për gjendjen civile”

Emri e mbiemri

1. Nëpunësi i gjendjes civile pasqyron në aktin e lindjes emrin, që dëshirojnë prindërit e fëmijës, përveç emrave të papërshtatshëm.

2.  Refuzimi i regjistrimit të emrit të caktuar mund të kundërshtohet në organet gjyqësore.

3. Kur prindërit nuk bien dakord, nëpunësi i gjendjes civile cakton një emër, me shënimin në kllapa “i përkohshëm”, deri në zgjidhjen e konfliktit nga gjykata.

4. Kur shkaku ka lindur pas regjistrimit të emrit, nuk ka papërshtatshmëri, sipas këtij ligji.

5. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, kur konstaton një emër të papërshtatshëm, ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e tij me vendim gjyqësor.

Autor te 22 Shtator 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • val

    e ropt e grekve e italianve qfar emra te preferum ne 2012 pa as ni kuptim shqip. bre racen e magjupit jau … sjeni shqitpar ju

  • florentina

    mua te gjith po me pelqejn.po une deshirova tju bej nje pytje emri im florentina qka eshte?