Plani urbanistik, përse Tirana nuk ka qendër historike?!

Bregasi: Karakteristikë e Tiranës është përzierja dhe kolazhi, duhet kthyer në vlerë

Lorina Mixha

Pamje nga Tirana

Ekspertët e urbanistikës janë të mendimit se debati publik mbi të ardhmen e zhvillimit të qyteteve dhe territorit të vendit tonë merr pak nga pak rëndësinë që meriton. Por po rritet rreziku që ky debat të politizohet e të shpërdorohet nga faktorë të ndryshëm të cilët zhvendosin vëmendjen larg temës së vërtetë e cila është vendimmarrja mbi të mirën publike dhe mbi të ardhmen e përbashkët, plani rregullues i Tiranës.

Si përfaqësues i Unioni Shqiptar të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve, i themeluar si përgjigje ndaj nevojës për një përfaqësim më të plotë e të diferencuar të komunitetit të arkitektëve, urbanistëve dhe planifikuesve në Shqipëri, kreu i këtij sektori Ledian Bregasi, në një intervistë për gazetën “Shqip” jep argumentet lidhur me mënyrën sesi duhet të konceptohet ky masterplan.

“Ndiej të nevojshme të ngre disa shqetësime dhe tema debati të cilat i interesojnë shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë komunitetit profesional të fushës. Në këtë moment të zhvillimit të shoqërisë dhe territorit të Shqipërisë, është e nevojshme të rikujtojmë disa nga karakteristikat e këtij zhvillimi”, sqaron Bregasi.

Çfarë mendoni lidhur me diskutimet e para mbi planin urbanistik të Tiranës?  

Diskutimin mbi Planin e ri të Përgjithshëm Vendor të Tiranës do të doja ta nisja nga qendra historike e qytetit.

Pse nuk ka në Tiranë një qendër historike? Kjo është pasojë e një sëmundjeje të vjetër. Zhvillimi i deritanishëm i qytetit është bazuar në asgjësimin e shtresave historike. Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveritë komuniste u munduan të shkatërronin kapitalizmin duke shkatërruar pazaret e objektet e kultit. Planet e kësaj periudhe parashikonin zhvillime Ex Novo mbi gati të gjitha qendrat historike të qyteteve kryesore. Për të ilustruar atentatet mbi qendrat historike, rast tipik është sheshi “Skënderbej”, i cili mbart historikun e përkeqësimit me anë të projektimit. Është për t’u theksuar fakti që kjo sjellje e mesit të shekullit të kaluar ka qenë një tendencë e përgjithshme botërore, por paralelisht me këtë qëndrim zhvillohej dhe ndërgjegjësimi që qendrat historike janë zemra e qyteteve.

Dhe pikërisht, në këtë frymë, lind nevoja për të kuptuar shtresëzimet historike dhe për të lexuar fazat e zhvillimit të qytetit.

Sjellja e papërshtatshme me historinë ka krijuar zhdukjen e shtresave urbane, të cilat do të garantonin pasurinë sociale e kulturore për të cilën ka nevojë çdo qytet bashkëkohor europian.

Por a ka akoma mundësi Tirana të ketë qendër historike?

Duke pasur parasysh rrethanat e mësipërme, ky qytet ka potencialin të kthehet në një rast paradigmatik. Karakteristikë tipike e Tiranës është përzierja dhe kolazhi. Kjo specifikë duhet kthyer në vlerë dhe lagjet e vjetra të Tiranës janë zonat ku shtresëzimet historike mund të jenë akoma të lexueshme. Pikërisht këto zona mbartin potencialet më të mira me të cilat do të donte të përballej çdo arkitekt apo planifikues i denjë për këtë titull.

Çfarë duhet të mbajnë parasysh ekspertët që do të hartojnë planin urbanistik?

Për sa i përket rastit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, të gjithë jemi dëshmitarë për cilësinë e ambientit urban, rezultat i një procesi zhvillimi intensiv që zgjat prej më shumë se njëzet vjetësh tashmë. Dëshmitarë jemi gjithashtu për ndërtimet pa leje që mbijnë mbi pronën publike sa herë që vëmendja e autoriteteve bie. Rasti më flagrant u duk gjatë ndërrimit të fundit të administratës bashkiake. Java e paqartësisë në administrim solli një boom të papritur të ndërtimeve në Tiranë. Për këtë arsye e për shumë të tjera, nevoja për Planin e Përgjithshëm Vendor është e pamohueshme. E pamohueshme është edhe e drejta e pronarëve të për të zhvilluar e gëzuar pronën e tyre. Pikërisht në këtë kontradiktë qëndron edhe roli i administratës publike. Fakti se Tirana është zhvilluar në një mënyrë jo të drejtë nuk do të thotë se nuk duhet të zhvillohet më. Fakti që qyteti ka nevojë për një zonë historike nuk do të thotë që banorët e tij duhet të jetojnë në shtëpi me qerpiç. Fakti që individët duan të maksimizojnë fitimin e tyre nuk do të thotë se zhvillimi duhet të jetë vetëm publik. Të gjitha këto dilema duhet të gjejnë zgjidhje në Planin e ri të Përgjithshëm Vendor dhe momenti i përballjes me publikun është vendimtar për suksesin e planit. Ideja e Tiranës policentrike, ide kjo që qarkullon prej kohësh në rrethet profesioniste, garanton një zhvillim të balancuar të qytetit. Por, intensiteti i ndërtimeve, në kompleksitetin që mbart Tirana, nuk mund të jetë i rregulluar vetëm nga afërsia me qendrat e zhvillimit. Në këtë mënyrë anashkalohet dhe nënvlerësohet gjithë pasuria që ky qytet mban. Faza e konsultimeve publike duhet të bëjë të spikaten të gjitha potencialet e fshehura në secilën prej lagjeve të qytetit duke shmangur përdorimin e planit si një instrument që nuk merr parasysh kontekstin historik, social e urban. E thënë me dy fjalë; Koncepti i Tiranës policentrike është mjaft i përparuar, por aplikimi i këtij koncepti në territor duhet të jetë shumë më i kujdesshëm. Le të shpresojmë që konsultimet publike të shërbejnë për përmirësimin e planit dhe le të shpresojmë që në këto konsultime të ftohen të gjithë aktorët e qytetit e jo vetëm ato personazhe që kanë pasur në dorë zhvillimin e deritanishëm e kanë krijuar situatën e papërballueshme me të cilën ndeshemi përditë. Duke shprehur shqetësimet dhe propozimet e mësipërme shpresoj në nxitjen e një debati më të emancipuar publik mbi fushat e planifikimit, urbanistikës e arkitekturës. Ndjeshmëria e kujtdo ndaj këtyre temave është gjithmonë e më shumë në rritje dhe besoj se shoqëria dhe demokracia shqiptare kanë arritur pjekurinë e nevojshme për t’u përballur pa frikë, komplekse e paragjykime me tema që prekin drejtpërsëdrejti mënyrën e të jetuarit e të qëndruari në komunitet.

Autor te 22 Shtator 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry