Kandidati republikan ka humbur terren shpejt ndaj Obamës, por fitorja nuk është e pamundur


Pesë javët e fundit kanë qenë shumë të këqija për kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Mitt Romney, por shpresat për fitore nuk kanë humbur ende tërësisht, raporton agjencia “Reuters” në një analizë.


Konventa republikane qe e dobët, reagimi ndaj kryengritjeve në Lindjen e Mesme jo bindës, ndërsa disa video që e kapën duke folur privatisht me gjuhë të pakëndshme për qytetarët amerikanë të varfër apo për palestinezët, e kanë çuar drejt rrënimit fushatën e tij. Shumë republikanë tani i frikësohen një katastrofe në zgjedhjet e 6 nëntorit, ku në lojë nuk është vetëm posti i presidentit, por edhe shumë kongresmenë e senatorë në nivel shteti dhe federate, si dhe qindra poste të tjera zyrtare.


Sondazhet e fundit tregojnë se Presidenti Obama qe gati barazim me Romney-n kur hapi fushatën e tij por gjatë javëve të fundit, ka fituar shumë pikë në të gjithë Amerikën, si dhe në shtetet ku ka më shumë rëndësi, Ohajo, Virxhinia dhe Florida, që në të shkuarën kanë votuar herë majtas dhe herë djathtas, duke përcaktuar rrjedhimisht edhe fituesin, në kushtet kur pjesa tjetër e Amerikës është e ndarë bindshëm dhe nuk pritet të japë surpriza.


Megjithatë, nga zgjedhjet na ndajnë edhe shtatë javë dhe pavarësisht serisë së gafave që ka bërë, Romney mbetet në një distancë të arritshme ndaj Obamës. Ish-guvernatori i Masaçusetsit ka ende kohë për të ndryshuar drejtimin e garës, pavarësisht se deri më sot nuk ka treguar aftësi për të bërë diçka të tillë.


Gara do të ketë edhe tri pika kulmore gjatë tetorit, kur Romney dhe Obama do të përballen në debate televizive, ndërsa ka të dhëna se Romney e ka lehtësuar fushatën elektorale në terren për t’i dhënë më shumë kohë vetes të përgatitet për debat. Obama, nga ana e tij, vijon të mbetet i dëmtueshëm, pavarësisht avantazhit, për shkak se papunësia është tepër e lartë dhe rritja ekonomike, tepër e dobët. Shumë segmente të votuesve besojnë se SHBA-ja ka marrë drejtimin e gabuar.


“Romney ka mbyllur një nga muajt më të këqij në një garë presidenciale që nga kohët që mbahen mend dhe problemi është se po rri aty pa lëvizur”, komenton strategu republikan, Rich Galen.


Sondazhet tregojnë se amerikanët e shohin Obamën më pranë tyre, për shkak se Romney është një supermilioner me 250 milionë dollarë pasuri personale. Analistët thonë se Romney ka nevojë sot, më shumë se kurrë, të japë një imazh më të butë dhe më të dhimbshëm ndaj halleve të amerikanëve të zakonshëm. Kandidati republikan e filloi këtë punë pak ditë më parë, kur zbuti gjuhën mbi planin e Obamës për sigurim shëndetësor universal, si dhe mbi emigrantët ilegalë.


“Pyetja është nëse Romney është në gjendje të ndryshojë imazhin që amerikanët kanë për të, një ndryshim i fortë ky që deri më sot nuk ka qenë në gjendje ta bëjë”, komenton një organizues sondazhesh.


Video që u publikua së fundmi ku Romney u shfaq duke folur keq për amerikanët e varfër që ai beson se e mbështesin Obamën, i ka prishur më shumë punë. Një sondazh i “Gallup” zbuloi se një e treta e amerikanëve të pavendosur kishin filluar të anonin kundër Romney.