Pakistan
Së paku pesëmbëdhjetë vetë u vranë gjatë protestave të dhunshme nëpër rrugët e disa qyteteve të Pakistanit, për shkak të zemërimit ndaj filmit antiislamik të prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhjetë njerëz vdiqën në qytetin bregdetar të Karaçit dhe pesë të tjerë u vranë në Peshauar.
Protestuesit kapërcyen për pak orë edhe lagjen diplomatike në kryeqytetin Islamabad. Protestat dolën nga kontrolli gjatë “ditës së dashurisë”, e shpallur nga qeveria vendëse si ditë proteste paqësore.
Megjithëse objektet amerikane kanë vuajtur numrin më të madh të sulmeve, zemërimi antiperëndimor është shtuar nga publikimi i disa karikaturave mbi Profetin Muhamed në Francë. Parisi urdhëroi mbylljen e ambasadave në njëzet vende myslimane. Protestat janë ndaluar në Francë dhe në Tunizi, ndërsa një protestë paqësore u zhvillua para ambasadës amerikane në Kuala Lumpur të Malajzisë.
Policia e Karaçit hapi zjarr në ajër në Pakistan me plumba të vërtetë në përpjekje për të shpërndarë turmën, gjë që u kthye në një përplasje të hapur mes turmës dhe policisë, me një polic dhe nëntë protestues të vdekur.
Analistët thonë se protestat kësaj radhe po nxiten dhe organizohen nga grupime ekstreme politike që kanë humbur terren pas protestave prodemokratike në vendet arabe, të cilat e paraqitën demokracinë si një alternativë të vlefshme ndaj diktaturave.