Tiranë, mësim me turne në të gjitha shkollat

Shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, 60 nxënës nëpër klasa, ankohen prindërit

Shpresa Mezini

Fluksi i lartë i regjistrimeve të nxënësve në shkollat e kryeqytetit, ka bërë që këtë vit në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës, pothuajse të gjitha, ta zhvillojnë mësimin me dy turne. Sistemimi i klasave deri tani ka nisur me 45 nxënës, por edhe me 50 nxënës në klasa. Në shkolla të kërkuara, numri i nxënësve në klasa arrin deri në 60.

Vit pas viti, përpara çeljes së vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit ka marrë masa për minimizimin e numrit të nxënësve në klasa. Kjo, nisur nga shqetësimet e herëpashershme që kanë shfaqur prindërit apo nga ankesat e vetë nxënësve, të cilët e kanë të pamundur të mësojnë në mënyrë efektive për shkak të mbipopullimit në klasa. E megjithatë, krahas udhëzimeve të hartuara nga specialistët e arsimit me firmë të ministrit, Myqerem Tafaj, praktikisht numri i nxënësve për grup është ulur rrallë, për të mos thënë asnjëherë. Kjo është situata që vërehet në shumë klasa të shkollave të mesme të vendit, por jo vetëm.

E ndonëse masat nuk vihen në zbatim, ata që dënohen janë nxënësit, të cilët janë të detyruar të mësojnë me mbi 50 apo deri në 60 persona në klasë, çka ndikon negativisht në rezultatet e tyre. Ndërkohë, parashikimi i MASH premtonte se sivjet masat që janë marrë për reduktimin e numrit të nxënësve janë më të rrepta, pasi në klasa do të ketë as më shumë e as më pak se 30 persona. Sikur të mos mjaftonte, duke iu referuar situatës aktuale që paraqitet në disa shkolla të mesme, rezulton se mësimi vijon të jetë me turne, një tjetër fenomen problematik, që shpeshherë vë në rrezik jetën e adoleshentëve, të cilët në stinën e dimrit janë të detyruar të lëvizin të vetëm në orët e pasdites.

Të paktën, këto janë shqetësimet që ngrenë shpesh në mbledhjet apo takimet me prindërit vetë ata të cilët janë në merak për fëmijët, pasi sipas tyre, kryeqyteti nuk ofron jetë të sigurt për ta, por nga ana tjetër e kanë të pamundur t’i presin kur mbarojnë mësimin, pasi janë në marrëdhënie pune.

Sipas një udhëzimi të ministrit të Arsimit, përcaktimi i numrit të nxënësve në klasa do të ishte i ndryshëm në varësi të shifrës së regjistrimeve. Për sa i përket arsimit bazë, cikli fillor, numri i planifikuar për klasat e para duhet të ishte jo më pak se 30 nxënës, ndërsa të dytat, të tretat dhe të katërtat do të mësonin nga 32 fëmijë.

Autor te 22 Shtator 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry