Ndërkombëtarët do të ndërmjetësojnë negociatat mes PD-së dhe PS-së


Ylli Pata – Zgjedhja e kryetarit të ri të Komisionit të Zgjedhjeve pritet të bëhet çështja më e re ku komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Europian do të ndërmjetësojnë për zgjedhjen e një personi që do të marrë konsensusin e dy palëve. Një burim diplomatik bëri të ditur se opozita u ka kërkuar përfaqësuesve të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë një mbështetje të tyre për procesin e riformatimit të KQZ-së, në momentin ku PS-së i është kërkuar votimi i ligjit për imuniteteve. Burimi diplomatik bëri të ditur se Shqipëria mund ta marrë formalisht statusin kandidat më 10 dhjetor, por që do të shoqërohet me disa kushte që duhet t’i plotësojë në kohë të caktuar. Dhe më i pari ndër to sipas të gjitha gjasave do të jetë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vitin 2013. Pikërisht për këtë pikë pritet të ketë një aktivizim më energjik të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Prezencës së OSBE-së në Tiranë në negociatat për të zgjedhur një emër që ka besimin e dy palëve. Po kush mund jetë njeriu, i cili mund të marrë mirëbesimin e palëve? Në rastet e një mosbesimi total, emërtimi i “paanshëm” është jo vetëm i vështirë për t’u gjetur, por praktikisht i pamundur. Megjithatë, burimi diplomatik thekson se nëse palët do të zhvillojnë negociata serioze dhe të përgjegjshme, konsensusi mund të gjendet. “Mjafton që palët të ulen dhe të diskutojnë intensivisht për personat që përmbushin kriteret ligjore, por edhe kanë reputacionin si njerëz jo partizanë”. Ndërkaq, burime nga opozita bëjnë të ditur se shtyrja e afatit të miratimit të anëtarëve dhe kryetarit të ri të Komisionit të Zgjedhjeve, është pikërisht shpresa e një ndërmjetësimi ndërkombëtar, i cili pritet të nisë energjikisht në javën në vazhdim. Mundësitë janë që kjo të bëhet pasi të merret vendimi në Bruksel për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, por jo hapjen e negociatave për anëtarësim. Në fakt, qëndrimi i ndërkombëtarëve për zgjedhjen e kreut të ri të KQZ-së është shprehur qartë në ditët e fundit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Ian Kellu, deklaroi se “shprehim përgëzimet tona për miratimin e reformave të Kodit Zgjedhor, dhe në veçanti për ekspertët dhe bashkëdrejtuesit nga dy partitë kryesore, të cilët punuan fort në këto përpjekje. Megjithatë, paralajmërojmë se miratimi nuk do të jetë shumë domethënës nëse politikat e reja nuk zbatohen me mirëbesim. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme të sigurohet që zgjedhja e një kryetari të ri për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të bëhet me proces konsultimi, sa më të paanshëm e transparent që të jetë e mundur”. Ndërkaq, në raportin e tij, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, deklaroi se liderët politikë “kanë mundësi thuajse të pakufizuara për të zhvilluar zgjedhje që përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare; po ashtu, kanë kapacitetin për ta shkatërruar procesin në themel dhe për të zhbërë arritjet pozitive të procesit të reformës. Shpresohet se ata do ta përdorin pushtetin e madh, që u është dhënë, në mënyrë të përgjegjshme, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në OSBE dhe me aspiratat e qytetarëve shqiptarë”. Deri tani dy emrat më të kuotuar për kreun e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është ish-kreu i institucionit në vitin 1997, Kristaq Kume dhe kreu i Shoqatës së Avokatëve, Sajmir Visha. Procesi i zgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarit të KQZ-së duhet të përfundonte që në mesin e muajit, por çështja ka ngecur me konsensusin e plotë të PD-së dhe PS-së, të cilët duket se presin një ndërmjetësim serioz dhe real. Vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi në Bruksel takime me zyrtarë të rëndësishëm të BE-së, ku i kërkoi të ndërhynin për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Etapat


Kuvendi: Kanë nisur procedurat për paraqitjen e kandidatëve për kreun e ri të KQZ-së, të cilët duhet të plotësojnë kriteret e parashikuara në Kod


Komisioni: Pas paraqitjes së kandidatëve, Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të duhet të miratojë me 2/3-t e anëtarëve, emrat që do të çohen në seancë


Miratimi: Kandidatët për kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të votohen në seancë plenare me shumicë të thjeshtë të 140 deputetëve


Kriteret ligjore të sanksionuara në shtesën e miratuar në Kodin Zgjedhor


 Gara është hapur nga Kuvendi më 3 shtator dhe duhet të mbyllet në datën 25


Kuvendi i Shqipërisë çeli më 3 shtator konkursin për kreun e ri të KQZ, që sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, do të plotësohet nga përzgjedhja mes kandidaturave të lira nga publiku i gjerë qytetar. Sipas ligjit të ri elektoral, i cili hyri dje në fuqi, Kuvendi shpall vendin vakant dhe pret aplikimet e reja të shtetasve që plotësojnë kriteret formale të ligjit dhe që dëshirojnë të jenë anëtarë dhe njëkohësisht kryetar të KQZ-së.


Neni 181 i Kodit Zgjedhor përcakton që Parlamenti duhet ta kryejë procedurën e shpalljes së vendit vakant menjëherë pasi bëhet dekretimi i ndryshimeve në ligj. Pas këtij hapi formal do të jetë Komisioni i Ligjeve ai që do të ketë detyrimin të administrojë konkurrentët që do të paraqiten, për të kryer më pas seanca dëgjimore me secilin prej tyre dhe përzgjedhjen në fund të dy kandidaturave alternative, të cilat duhet të kenë mbështetjen e 2/3 të anëtarëve të këtij komisioni. Nëse shumicën e cilësuar nuk e gëzojnë të paktën dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit. Më pas, përfaqësuesit e opozitës në komision përjashtojnë dy nga këta kandidatë, ndërsa Kuvendi zgjedh kryetar të KQZ-së kandidatin që merr më shumë se gjysmën e votave, mes dy kandidatëve të mbetur. E gjithë kjo procedurë duhet të përfundojë jo më vonë se data 25 shtator, pra 10 ditë pasi të jenë zgjedhur 6 anëtarët e tjerë të KQZ-së, për zgjedhjen e të cilëve do të ndiqen procedurat e mëparshme. Mirëpo procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të KQZ-së dhe anëtarëve kanë ngjallur debate mes mazhorancës dhe opozitës. Në një konferencë për shtyp në fund të gushtit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka sqaruar se “Kodi Zgjedhor, i miratuar me mirëkuptim nga partitë kryesore, është botuar në Fletoren Zyrtare më 17 gusht dhe sipas ligjit, duke filluar nga 3 shtatori procesi është i hapur dhe transparent, madje është i mirëpritur për një numër sa më të madh konkurrentësh, për të pasur mundësi sa më të gjera përzgjedhjesh”.


Por, Partia Socialiste tha se Parlamenti po e nënvlerëson këtë procedurë të re. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, u shpreh se përzgjedhja e kryetarit të KQZ-së tashmë duhet të ishte në mesin e procedurave”. Sipas deputetit Gjiknuri, Parlamenti ka humbur dy javë kohë që nga 16 gushti kur Presidenti dekretoi Kodin Zgjedhor, kohë ku siç u shpreh ai, duhet të mblidheshin aplikimet nga konkurrentët.


Procedura: Nëse shumicën e cilësuar nuk e gëzojnë të paktën dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit. Më pas, përfaqësuesit e opozitës në komision përjashtojnë dy nga këta kandidatë, ndërsa Kuvendi zgjedh kryetar të KQZ-së kandidatin që merr më shumë se gjysmën e votave, mes dy kandidatëve të mbetur