Fatjona Mejdini – Kryeministri Berisha shprehu dje siguri se Partia Demokratike që ai drejton, do të marrë një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet e qershorit të vitit të ardhshëm. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri nga Roma, ku mori pjesë në punimet e ndërkombëtares së demokratëve të qendrës, që u zhvillua në ambientet e Parlamentit italian. Duke folur përpara disa nga kryeministrave të së djathtës europiane, Berisha kërkoi angazhimin e tyre për të dërguar sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në vend pas 9 muajsh, por theksoi se PD-ja i ka të gjitha shanset për të fituar një mandat të ri. “Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve dhe ju ftoj të vini, të dërgoni vëzhgues në këto zgjedhje. Duket sikur Partia Demokratike e Shqipërisë do të ketë një mandat të ri, sepse ka treguar një angazhim të palëkundur dhe besim të fortë ndaj lirisë dhe vlerave që ndajmë së bashku”, deklaroi Berisha përpara homologëve evropianë të së djathtës. Berisha u ndal gjatë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, që, sipas tij, ka shënuar një progres tepër të madh gjatë viteve të fundit. Po kështu, Berisha ndonëse pranoi se Shqipëria ende ishte një vend i zhvilluar, kishte disa indekse të larta për sa u përket disa elementeve, siç ishte edhe numri i banesave për banorë. “Sot Shqipëria i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Shqipëria ende nuk është një vend i zhvilluar, por ka arritur të ketë disa indekse të ndjeshme të vendeve të zhvilluara, dhe jam shumë krenar që shumica e tyre lidhen me njeriun: vdekshmëria foshnjore njëshifrore, vdekshmëria amësore njëshifrore, vdekshmëria është më e ulët se në çdo vend ish-komunist; indeksin për sa u përket banesave për 1000 banorë ku kemi lënë pas 5 ose 6 vende anëtare të BE-së“, deklaroi Berisha. Po kështu, Berisha theksoi se zhvillimi ekonomik ka ardhur pasi qeveria që ai drejton ka respektuar liritë ekonomike. “Disa javë më parë, një studim i institucioneve shumë serioze tregoi se vendi im për sa u përket lirive ekonomike, është ngjitur nga vendi i 32 në vendin e 12”, deklaroi Berisha. Por po ashtu, ai theksoi se qeveria e Shqipërisë është një nga 10 qeveritë më të vogla në botë, duke respektuar kështu recesionin ekonomik që po ndihet edhe në vendin tonë. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha nuk ngurroi të jepte këshilla edhe për liderët e së djathtës europiane dhe mënyrat që ata duhet të ndiqnin për të frenuar sadopak krizën ekonomike dhe për të mos ndier efektet e saj. “Kur shikojmë këtë krizë, që është shumë serioze, euro është një prej anëve të saj, por anë më të thella janë në bazën e saj. Unë besoj se njerëzit e lirë duhet të kenë kurajën të rikthehen te liritë, sepse ka ndodhur diçka me liritë ekonomike në shoqëritë tona. Kjo krizë do të jetë e gjatë, por ju bëj thirrje juve, miq nga vende të eurozonës dhe Bashkimi Europian, që të shqyrtoni mundësitë që mos ta lejoni atë të zgjerohet në zona të tjera”, deklaroi Berisha, duke shtuar se vendet sado të vogla që mund të ishin, kishin mundësi të ndikonin pozitivisht në zbutjen e krizës. Një temë të cilës Berisha i mëshoi, ishte edhe ajo e lirive fetare. Sipas tij, Shqipëria kishte një harmoni të përkryer fetare dhe këtë e tregoi edhe me klimën e qetë, me të cilën u tejkalua shfaqja e një filmi ku fyhet profeti Muhamed. “Më lejoni t’ju vë në dijeni mbi faktet e fundit, pas filmit të “Pafajësia e myslimanëve”, imamët në Shqipëri ishin të pakënaqur, por ata u bënë thirrje ndjekësve të tyre, në respekt të profetit të adhuruar Muhamed, të japin gjak për fëmijët talasemikë, të sigurojnë libra falas për të rinjtë, për t’i edukuar më mirë. Imamët arritën në përfundimin se kjo është mënyra më e mirë për ta nderuar profetin”, deklaroi Berisha, i cili theksoi se jo pa qëllim toleranca fetare ishte tema kryesore të cilën Shqipëria promovon në Këshillin e Europës.
Romë, takimi me Samaras, Kryeministria e cilëson përshëndetje
Zyra e shtypit të Këshillit të Ministrave ka konfirmuar dje, në mënyrë të tërthortë, lajmin se në Romë, Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me kreun e qeverisë greke, Antonis Samaras. Nëpërmjet një njoftimi të publikuar dje në faqen e internetit të Kryeministrisë, theksohet fakti se Berisha mori pjesë në një drekë të shtruar në ambientet e Vila Pamphili, ku përveç kryeministrave të Spanjës, Irlandës, Hungarisë merrte pjesë edhe ai i Greqisë. Sipas njoftimit për shtyp, Berisha pati mundësinë të bisedonte gjerësisht me homologët e tij mbi zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit. Ky pohim lë të kuptohet qartë se kreu i qeverisë shqiptare nuk ka lënë pa diskutuar me Kryeministrin grek as çështjen e ndarjes së ujërave territoriale, në një kohë kur të dyja vendet kanë interes të lartë në përfundimin e marrëveshjes së lënë përgjysmë. “Kryeministri Berisha bisedoi me homologët e tij dhe ndau mendime në lidhje me zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri, krizën ekonomike në Europë dhe rrugët e daljes prej saj. Kryeministri informoi bashkëbiseduesit në lidhje me reformat e ndërmarra nga qeveria e tij në fushën politike, ekonomike e sociale, duke theksuar përpjekjet për përmbushjen e detyrimeve të lëna nga Komisioni Europian në kuadër të marrjes së statusit të vendit anëtar në BE”, theksohet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë në lidhje me këtë takim informal mes drejtuesve të qeverive. Po kështu, në njoftim bëhet i ditur fakti se takimi ka shërbyer për të diskutuar në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe se Berisha ka shprehur gatishmërinë e qeverisë për të plotësuar kushtet e vendosura. “Gjatë drekës dhe bisedave të zhvilluara, Kryeministri Berisha i siguroi homologët e tij për vullnetin e palëkundur dhe angazhimin e plotë të tij dhe të qeverisë për të përmbushur të gjitha prioritetet e vëna nga Bashkimi Europian dhe duke nënvizuar se ky integrim duhet të jetë i bazuar në meritë, përmbushja e këtyre prioriteteve është rruga më e mirë për konsolidimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave të njeriut, tregut dhe prosperitetit ekonomik të Shqipërisë”, theksohet në njoftim.
F.M.