Pablo, artisti i famshëm, i treguar nga një grua që e ka njohur nga afër. Madje aq afër, saqë për të shpëtuar, iu desh t’ia mbathte nga ai
Paris, Montmartre: piktorët ambulantë kanë mbushur lagjen “Place du Tertre” dhe përpiqen të tërheqin turistët japonezë. Nga fama dhe çnderimi i kësaj lagjeje artistësh, ku jetonin Pierre-Auguste Renoir dhe Vincent van Gogh, e ku Pablo Pikaso kishte një studio, kanë mbetur shumë pak gjëra. Disa rrugica më tej, e ulur në laboratorin artistik të Pikasos, qëndron Françoise Gilot, gruaja më e famshme e historisë së artit. Për 10 vjet ajo ka qenë e dashura dhe muza e Pikasos, nëna e dy fëmijëve të tij, Klaud dhe Paloma. Françoise i ka mbushur të 90-at, por duart që pikturon sot i duken akoma të forta e të shëndetshme.
Në jetën e Pikasos ka pasur shumë gra dhe për pjesën më të madhe të tyre dashuria për të përfundoi në tragjedi…
Po, është e vërtetë. Mari Terezë Uollter vari veten, Zhaklinë Roke u zhduk, Olga Shoshlova dhe Dora Mar u çmendën. Vetëm unë jam akoma gjallë dhe shëndetplotë.
Në librin tuaj, “Jeta me Pikason”, përmendni një shprehje të artistit: “Sa herë që ndërroj grua, duhet të djeg paraardhësen. Vetëm kështu mund të lirohem”…
Pablo thoshte se në atë mënyrë mund të rifitonte rininë e tij. E çmendte ideja që një prej grave të tij mund të jetonte më gjatë. E dini ç’më ka thënë njëherë? “Ti nuk do të jetosh më gjatë se unë”.
Pavarësisht se jeni 90 vjeçe e 6 muaj, ju i ekspozoni pikturat tuaja në Amerikë, Francë dhe Gjermani. Nuk dukeni aspak e lodhur. Pas 12 muajsh ju do të shënoni kohën që keni jetuar më gjatë se Pikaso…
Nëse do të ishte gjallë, ai do të thoshte se kjo tregon që nuk të kam bërë të vuash shumë.
Për të ekzistonin vetëm dy lloje grash: perëndesha dhe nepërka. Në cilën kategori e fusni veten?
Kur isha shtatzënë me vajzën, Pablo shkoi në Varshavë për të marrë pjesë në një konferencë për paqen. Ai do të qëndronte atje vetëm disa ditë dhe më premtoi se do të më shkruante. Jo që nuk ndodhi kështu, por në vend që të më shkruante mua, i çonte telegrame shoferit të tij. Pablo qëndroi në Varshavë katër javë. Kur u kthye në shtëpi, me një buzëqeshje në fytyrë, më pyeti nëse isha e lumtur që u kthye, ndërsa unë e mora me shkelma. Të paktën në atë çast isha perëndeshë. Prej atij momenti, kur ishte larg, më shkruante çdo ditë.
Për sa i përket Pikasos ju e keni përshkruar si një burrë shumë posesiv. Ai donte që të vishnit fustane të zinj deri në fund të këmbëve, pothuajse si burka. Pse?
Mund të them se ishte një taleban. Ose më saktë spanjollët janë të prirur për sadizëm në forma ekstreme dhe te Pablo kjo ishte një pjesë e rëndësishme e personalitetit të tij. Një herë, duke bërë shaka, i thashë se isha djalli. Ai më hodhi një vështrim të ligë dhe pastaj m’u përgjigj: “Ti je një engjëll i dalë nga zjarri im, kështu që je e nënshtruara ime dhe unë do të damkos”. Më afroi cigaren në qafë, por kjo nuk e kënaqi, sepse nuk m’u drodh as qerpiku. Pastaj në fund tha: “Jo, mund të kem dëshirë të të shoh sërish në të ardhmen”.
Kur deshi t’ju prezantonte Henri Matis, ju lejoi të vishnit një fustan me ngjyra…
Vesha një këmishë ngjyrë jargavani dhe një palë pantallona jeshile. E dija se do t’i pëlqenin ngjyrat e zgjedhura, sepse ia dija shijet. Matis kishte një sens të jashtëzakonshëm humori dhe u soll sikur nuk dinte gjë për lidhjen time me Pablon. Ai i tha të dashurit tim se donte të pikturonte portretin tim, me trup blu dhe flokë të gjelbër. Kur u kthyem në shtëpi Pablo filloi të ulërinte: “Si guxon? Këtë mund ta bëj unë”. Ne kishim tre vjet që bashkëjetonim, por nuk më kishte bërë asnjë portret.
Ç’marrëdhënie kishte mes të dyve?
Ata ishin miq. Matis ishte dy vjet më i madh dhe luante rolin e babait. Pablon nuk e bezdiste diçka e tillë, ndaj e pranonte. Një herë duke bërë shaka, Matis tha se ishin si dy polet e Tokës. Ai vinte nga veriu i Francës, ndërsa Pablo nga jugu i Spanjës. Dhe Pablo iu përgjigj: “Dakord, unë jam poli i jugut, sepse është më i ftohtë”.
Duket se takimet mes të dyve kërkonin gjithmonë një sforco të madhe diplomatike. Ç’atmosferë mbizotëronte?
Shkëmbenin pak fjalë, më tepër i hidhnin vështrime njëri-tjetrit. E konsideronin veten sovranë. Ishin gjenitë më të mëdhenj të kohës. Ne flasim gjithmonë për një art në një republikë ku të gjithë janë të barabartë. Nuk është kështu, disa janë më të barabartë se të tjerët.
Përse hoqët dorë nga piktura kur ishit me të?
Nuk kishte vend dhe nuk mund të zija shumë hapësirë. Pikturat janë të mëdha. Nuk është se hoqa dorë nga pasioni im, por thjesht u tërhoqa. I kushtoja më shumë kohë atij sesa gjërave të mia.
Kur u larguat prej tij, pas shtatë vjetësh bashkëjetesë, Pikaso parashikoi se njerëzit do të interesoheshin për ty vetëm falë tij…
Unë u largova prej tij në vitin 1953. Që atëherë kam bërë ç’kam dashur. Mes stilit tim dhe të Pablos kishte shumë ngjashmëri. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Matis.
Si ka mundësi që gratë artiste qëndrojnë shpesh nën hijen e burrave dominues? Në ankandin e fundit nga “Christie’s”, në Nju Jork, raporti ishte 11 me 1. Piktura më e shtrenjtë e pasluftës “Orange, Red, Yellow” e Mark Rothkos u shit për 87 milionë dollarë, ndërkohë që piktura më e shtrenjtë e një piktoreje, Louise Bourgeois, u shit për vetëm 10,7 milionë dollarë?
Gratë fitojnë më pak nga arti i tyre. Edhe sot galeritë ekspozojnë më shumë vepra artistësh meshkuj. Megjithatë edhe ne gratë kemi faj. Jemi gjithmonë shumë narciziste: rrallëherë e gjejmë guximin të jemi vetvetja dhe të përcaktojmë kufijtë.
Ju jeni një grua e guximshme?
Frika nuk më ka trembur kurrë. Isha vetëm 13 vjeçe kur hipa në parmakun e një ballkoni dhe dikush më bërtiti nga larg, duke më thënë se duhej të hidhesha. Edhe unë bëra të njëjtën gjë dhe si përfundim theva njërën këmbë. Por ua hodha ama! Nëse dikush më nxit, unë veproj. Prindërit e mi donin të sillnin në jetë një djalë, por erdha unë, kështu që m’u desh të zhvilloja trupin dhe mendjen e një mashkulli. Shumë shpejt më regjistruan në disa lloje sportesh, si ski, not, kalërim, gjë që ndikoi në rritjen time dhe largimin e frikës. Në fund u penduan, sepse as nga ata nuk kisha më frikë.
Babai juaj ngulmonte që ju të studionit për drejtësi. Si arritët të realizonit ëndrrën tuaj për t’u bërë piktore?
Në fillim studiova filozofi, pastaj fillova drejtësinë. Parisi ishte i pushtuar nga gjermanët, kur u drejtova drejt Harkut të Triumfit me shokët e mi të universitetit, 11 nëntor të 1940-s. Na arrestuan dhe emri im u përfshi në listën e pengjeve. Nëse do të ishte vrarë një ushtar gjerman në lagjen time, gjermanët do të vrisnin 50 francezë të asaj liste. Duhej të paraqitesha te të dënuarit çdo ditë për tre muaj rresht. U shtira sikur kisha lënë përgjysmë studimet për drejtësi, shkollë që gjermanët e urrenin dhe isha bërë stiliste, kështu që më lanë të lirë.
Kur u njohët me Pikason?
Në vitin 1943, por edhe pse historia jonë ka pasur një fillim dhe një fund, ishte pasioni më i madh i jetës sime. Nuk kam përjetuar më një pasion të tillë. Lidhja jonë është shkruar tek unë me letra zjarri.
Parisi ishte i pushtuar dhe për shkak të pikturës prindërit nuk ju lanë asgjë trashëgim. A ishte një ide e mirë të lidheshit me një piktor 40 vjet më të madh se ju, dhe që veç të tjerash kishte dy të dashura dhe një grua të çmendur që e rrethonin?
Që në fillim e ndieja se gjërat nuk do të kishin një fund të lumtur. Deri në momentin që nuk jetonim bashkë lidhja jonë shkonte vaj, por Pablo donte që unë të shkoja tek ai dhe pas tre vjetësh gjithçka mori fund. Të jetoje me të do të thoshte të humbisje komplet bukurinë, gjë që është e padurueshme me një person aq autoritar. E dija se historia ishte e destinuar të dështonte, por ishte një dështim që duhej jetuar. Me Pablo Pikason jeta nuk ishte kurrë e mërzitshme. Në mëngjes, ose më saktë para orës dy të drekës, Pablo ishte shumë depresiv. Thoshte se jeta e tij ishte e padurueshme, që nuk i interesonte më asgjë. Në darkë ndryshonte totalisht, ishte në qiellin e shtatë. Nuk kam takuar kurrë më një njeri të tillë në jetën time.
Pikaso ka thënë se ju jeni gruaja që thoni jo…
Ai nuk njihte qëllime. Le të themi se tashmë kishte mbetur vetëm. Shpesh personat që marrin famë botërore, automatikisht bëhen shumë të vetmuar. Mendoja se duke iu përgjigjur mund të bëja diçka për të: u jepja gjithmonë një përgjigje pyetjeve që më bënte.
Ju jeni e vetmja grua që e keni lënë Pikason. A jeni penduar?
Jo, sepse situata ishte bërë vërtet e papërballueshme. Kisha pritur mjaftueshëm, edhe për shkak të fëmijëve. Pablo dëshironte një fëmijë tjetër për të më mbajtur kastile të lidhur pas vetes, por unë nuk mundesha më. Në mungesë të një dëshire të parealizuar, bëri një skulpturë të një gruaje shtatzënë. Nuk më pëlqeu shumë dhe kur ia ktheva mbrapsht, i preu këmbët.
Pikaso ju ka kërcënuar: “Asnjë grua nuk mund të lërë një burrë si unë…”
Ndërsa unë iu përgjigja duke i thënë: prit dhe do të shohësh. Ishte një provokim dhe mendonte se pushteti i tij mbi mua ishte i pamposhtshëm. Në një farë pike, sadizmi i tij mendor ishte më i keq se mizoria fizike: kjo ishte arsyeja që mbaroi edhe dashuria ime për të. Nuk kam dashur kurrë njeri tjetër kështu, por nuk doja as të isha skllave. Nëse do të kisha qëndruar me të, fëmijët e mi do të ishin rritur në një mjedis negativ.
A merrej Pikaso me edukimin e fëmijëve kur jetonit bashkë?
Do të kishte qenë një fatkeqësi nëse Pikaso do të ishte marrë me edukimin e fëmijëve. Tani më kujtohet djali i tij madh, Paulo. I gjori, asnjëherë nuk ka marrë një arsim të mirë. Pas ndarjes sonë i çova fëmijët e mi në Paris, ku frekuentuan një shkollë të mirë. E shihnin të atin vetëm gjatë pushimeve, në verë, ose për Krishtlindje. Deri sa 11 vjet më vonë, i ndërpremë krejtësisht marrëdhëniet.