Në vendimet e pafajësive për të akuzuarit për vepra të rënda, gjyqtarët pretendojnë se akuza ka pak prova
Pafajësitë e njëpasnjëshme të dhëna nga gjykatat e shkallëve të para në rrethe gjyqësore të ndryshme për persona të akuzuar për vepra të rënda penale, ka detyruar prokurorinë që të jetë më e tërhequr në luftën ndaj krimit. Kjo, pasi mjaft dosje penale, kryesisht ato ndaj personave të akuzuar për korrupsion, janë rrëzuar prej gjykatave me argumentime nga më të ndryshmet, duke i deklaruar të pafajshëm të pandehurit. Kështu, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka nxjerrë një urdhër të brendshëm ku u kërkon vartësve që të dërgojnë për gjykim vetëm ato dosje, ku ndaj të pandehurve është arritur të sigurohen të paktën dhjetë prova që vërtetojnë veprën penale për të cilën akuzohen. Në të kundërt, është kërkuar që dosjet të delegohen për plotësim me prova të reja me qëllim që gjykatat të mos kenë mundësi të gjejnë asnjë lloj pretendimi ku të justifikojnë pafajësitë e tyre. Kështu, në të gjitha prokuroritë e rretheve, ndryshe nga vitet e tjera kur në muajin korrik dhe shtator dorëzoheshin dhjetëra kërkesa për gjykim, këtë herë kanë qenë të pakta ato dosje të cilat i janë përcjellë gjykatave për shqyrtim. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga burime të organit qendror të akuzës, të cilat sqaruan se kjo nismë është marrë për shkak të qëndrimit të gjykatave, që vitet e fundit në mjaft raste janë kthyer në “avokatë” të të pandehurve, duke u dhënë atyre pafajësi edhe kur akuzoheshin për vepra të rënda penale dhe ishin persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në mjaft raste, gjykata i ka justifikuar vendimet e saj me pretendimin se prokuroria ka paraqitur prova jo të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e të pandehurve. Por në raste të tjera, si në një çështje korrupsioni të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier, si dhe në Apelin e Vlorës, ku të pandehur ishin disa mjekë, ish-anëtarë të KMCAP-it të Fierit, gjyqtarët që e shqyrtuan këtë çështje e kanë “legjitimuar” marrjen e parave nga zyrtarët. Në argumentimin e bërë nga gjykatat në vendimin përfundimtar ku mjekëve u është dhënë pafajësi është cilësuar fakti se ish-anëtarët e KMCAP-it i kishin marrë paratë pasi pacienti e kishte fituar të drejtën e pensionit të invaliditetit dhe se kjo nuk përbënte marrje miti, por ishte thjesht një dhuratë. Edhe pse në videot që prokuroria paraqiti në gjykatë shfaqen mjekët të cilët marrin kartëmonedha prej pacientëve në zyrën ku ata ushtronin detyrën, gjyqtarët e kësaj çështjeje, u “falën” lirinë. Një tjetër vendim pafajësie i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, që la të lirë Ilir Xhaken të akuzuar për vrasje, si edhe vonesa e zbardhjes së këtij vendimi, i kushtoi jetën kryekomisarit Adem Tahiraj. Ky i fundit u ekzekutua me pesë plumba pistolete nga Xhakja, vetëm pse po ushtronte kontroll në automjetin e të nipit. Ndërkaq, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal për shpërdorim detyre ndaj gjyqtarit të çështjes, Neritan Tabaku.
Edmond Hoxhaj