Karamuça: Asnjë lek për 26 vitet e burgut, jam në prag të vdekjes nga kanceri në laring


Një grup ish të përndjekurish politikë të regjimit komunist, janë ngujuar mbrëmjen  e djeshme në grevën e urisë, të paralajmëruar si rezultat i dëmshpërblimit të munguar për vitet e kryera të burgut gjatë regjimit komunist. Ata zgjodhën ta zhvillojnë grevën e tyre larg selive të institucioneve publike në vend, duke zgjedhur një ambient të hapur afër “ish-studiove të skulptorëve” në Komunën e Parisit. Sipas tyre, grevës së nisur dje do t’i bashkohen me qindra ish të përndjekur të tjerë, të cilët i prisnin të vinin nga të gjitha rrethet e vendit. Perikli Shqevi, që ka kryer 11 vite burg, Shpëtim Karamuça me 26 vjet burg, Gjergj Ndreca me 7, Lirak Bejko me 7 vite e gjysmë burg dhe Petrit Horieti me 26 vite të kaluara në qeli ishin pesë personat e parë që nisën grevën. Për gazetën “Shqip” ata treguan se për vitet e kaluara kryesisht në Burgun e Spaçit në Burrel, nuk kishin marrë asnjë lek dëmshpërblim dhe ende nuk e dinin se kur do të ndodhte kjo. Shpëtim Karamuça, të cilit regjimi i pushkatoi prindërit dhe e la për 26 vite në burg tregon se ka kancer në laring dhe po këmbëngul për të marrë lekët që i takojnë për shkak se ditët e jetës i ka të numëruara dhe vdekjen në prag. “Nuk kam marrë asnjë lloj dëmshpërblimi deri tani. Por jam futur në grevë për shkak se kam kancer në laring dhe jam në prag të vdekjes”, tregon ai. Karamuça thekson se ai fton përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi t’i mbështesin në këtë nismë, pasi është i mendimit se ata janë partia e vetme politike në vend që mbështesin shqiptarët dhe flasin për problemet e tyre reale. Por Gjergj Ndreca shton se ata kërkojnë mbështetje nga kushdo e që e konsideron veten shqiptar dhe kupton hallet të cilat i kanë detyruar të marrin një nismë të tillë.


Për gazetën “Shqip” ata treguan se për vitet e kaluara kryesisht në Burgun e Spaçit në Burrel, nuk kishin marrë asnjë lek dëmshpërblim dhe ende nuk e dinin se kur do të ndodhte kjo


Shpëtim Karamuça, të cilit regjimi i pushkatoi prindërit dhe e la për 26 vite në burg tregon se ka kancer në laring dhe po këmbëngul për të marrë lekët që i takojnë