15 persona janë shoqëruar në komisariatin nr. 5 të policisë, pas protestave të ditës së sotme të banorëve të zonës së Bathores për mungesën e ujit të pijshëm prej disa ditësh në banesat e tyre. Shoqërimi i banorëve protestues është bërë disa orë pas protestës, e cila nuk u shoqërua me dhunë apo më kundërshtim të forcave të policisë.
Disa qindra banorë të zonës janë grumbulluar paraditen e sotme në kryqëzimin kryesor të Bathores, duke bërë thirrje për rikthimin e ujit në banesat e tyre, pasi pretendojnë se kanë paguar rregullisht faturat, ndërsa për mungesën e ujit të pijshëm, banorët bëjnë përgjegjës kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun. Sipas tyre, kreu i bashkisë nuk ka arkëtuar te ujësjellësi paratë e paguara nga ana e tyre, ndërsa i ka përdorur këto para për udhëtime jashtë shtetit të punonjësve të bashkisë së tij.
“Kemi 10 ditë pa ujë, i kemi paguar rregullisht faturat, fajin e ka bashkia që nuk ka paguar ujin tek ujësjellësi”, janë shprehur banorët të irrituar.
Ndërkohë, për të qetësuar situatën në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë, por pas disa debateve me forcat e rendit, protestuesit janë shpërndarë duke theksuar se do të përshkallëzojnë protestat në rast se nuk do të furnizohen me ujë.
23 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)