Policia e shtetit është përfshirë nga një rokadë ndryshimesh në nivel drejtorish, të cilat janë firmosur ditën e sotme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. Kështu, krerët e policisë në 8 nga 12 qarqe të vendit janë lëvizur duke u transferuar në qarqe të tjera ose duke u zëvendësuar nga emra të rinj.


Pas ngjarjes së disa ditëve më parë të vrasjes së shefit të komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, drejtori i Policisë së Durrësit, Aleks Hajdari është larguar nga drejtimi në këtë qark për t’u emëruar në Shkodër, ndërsa është zëvendësuar nga Emri Vata, i cili më parë kryente funksionin e drejtorit të Policisë së Gjirokastrës.

Altin Qato, ka lënë postin e drejtorit të Policisë së Shkodrës për të shkuar në sektorin e antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe është zëvendësuar nga Aleks Hajdari.


Ylli Metko ka lënë postin e drejtorit të policisë së Korçës për të shkuar këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. Drejtor i Policisë së Beratit emërohet Ylber Zyberi, ndërsa kreu i mëparshëm në këtë rreth, Ajet Ibro emërohet në Gjirokastër.


Arjan Bozhaj, rikthehet drejtor i Policisë së Fierit. Hamdi Fjore ka lënë postin e drejtorit të shkollës së formimit policor, për t’u rikthyer në postin e drejtorit të Forcave Lëvizëse Operacionale. Mërgim Hoxha, nga drejtor i policisë së Fierit, emërohet drejtor i Shkollës së Formimit Policor. Saimir Muçaj, ka lënë postin e kancelarit në Akademinë e Policisë dhe shkon në Drejtorinë e Planifikimit Strategjik.


Nuk janë përfshirë nga ndryshimet drejtorët e policisë së Tiranës, Lezhës, Dibrës dhe Vlorës.

23 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)