Reagon Ministria e Transporteve: Shifrat e opozitës, abuzive


Socialistët kanë vazhduar sërish denoncimin e skandalit të reklamave me paratë publike. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, deklaroi se vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka dhënë 190 mijë dollarë reklama për kompaninë “Promo” në pronësi të vëllait të drejtuesit të “TV Klan”. Por ka reaguar Ministria e Transporteve, duke i cilësuar akuzat si shpifje.


Shalsi


“Për disa ditë me radhë po ju tregojmë me fakte edhe shifra të mbështetura vetëm mbi dokumente zyrtare, megaskandalin e abuzimeve me reklamat qeveritare. Por siç është bërë zakon tashmë, për të gjitha këto denoncime që ne po bëjmë për këto reklama abuzive me paratë publike, nuk po përgjigjet Sali Berisha, nuk po përgjigjen ministrat e linjës dhe as zëdhënësit e tyre, por po përgjigjet ‘Klani’ me Frangajn e vogël dhe Frangajn e madh. Pra, kur qeveria dhe vetë Sali Berisha janë kapur gafil dhe nuk dinë se çfarë të thonë, përfituesi arrogant, ‘Klani’ i pangopur, ka kurajën të vazhdojë të shajë në mënyrë vulgare”, tha deputeti i PS-së, Eduard Shalsi. Ai deklaroi se reklamat e pushtetit kanë shkuar në shumicë dërrmuese te “Klani” i qeverisë. “Sot, do t’u tregojmë shqiptarëve se Drejtoria e Rrugëve në Ministrinë e Transporteve përveçse i ka dhënë 500 000 USD gazetës ‘Rilindja Demokratike’, përveçse 100 000 USD për ‘55’-n dhe 200 000 USD ‘Kohës Sonë’ të Frangajt të madh, na i paska dhënë edhe Frangajt të vogël, në kompaninë e tij ‘Promo’, pjesë të familjes ‘Klan’, plot 190 000 USD. Pra, edhe një herë, përveç asaj që kanë marrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, vetëm nga Drejtoria e Rrugëve na paskan dalë për Frangajn e vogël, kompaninë ‘Promo shpk’ plot 190 000 USD. Dhe në vend që së paku të heshtnin e më së shumti t’u kthenin pas paratë e gllabëruara padrejtësisht qytetarëve shqiptarë, kanë kurajën të shajnë e të fyejnë në mënyrë vulgare”, tha Shalsi, i cili vazhdoi: “Nëse do të pyesni përsëri se ku e mbështesni një fakt të tillë, po ju themi: në letrën zyrtare të nënshkruar nga ministri Sokol Olldashi. Dhe pikërisht në këtë dokument faktohet se kompania ‘Promo’ e Frangajt të vogël ka marrë rreth 190 000 USD. Kjo është arsyeja përse familja ‘Klan’ është tërbuar dhe shfryn në editoriale e kronika banale televizive. Dhe për dijeninë tuaj, ndërsa ‘Klani’ merrte 100% të fondeve të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe 80% të fondeve nga Ministria e Brendshme, vetëm nga Drejtoria e Rrugëve grupi mediatik i Sali Berishës përfiton 65% e fondeve të kësaj drejtorie, dhe të gjitha mediat e tjera, edhe ato ndërkombëtare, përfitojnë 35%. Dhe është e kuptueshme që të gjitha mediat e tjera të ulërasin nga kjo shpërndarje skandaloze, krejtësisht e pabarabartë dhe e padrejtë e parave të qytetarëve shqiptarë. Ne do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim me fakte dhe me shifra të tjera.”


Olldashi


Ministria e Transporteve ka reaguar për spotet publicitare të Drejtorisë së Rrugëve, duke përbërë edhe të parin reagim zyrtar të qeverisë për dosjen e skandalit me reklamat shtetërore, siç opozita e ka cilësuar. Ministria, e drejtuar nga Sokol Olldashi, tha se deklarimet e deputetit Shalsi janë abuzive dhe të pavërteta. Dikasteri i Transporteve deklaroi se paratë që Shalsi thotë se i janë dhënë studios publicitare “Promo” janë shpërndarë në tri televizione kombëtare. Por, ndërsa sipas deputetit socialist bëhet fjalë për shumën prej 18 milionë e 900 mijë lekësh, sipas përllogaritjes së shifrave të dhëna nga Ministria e Transporteve në total bëhet fjalë për 13.8 milionë lekë. “Shuma që u përmend paturpësisht nga zoti Shalsi është shpërndarë mes tri televizioneve kombëtare. Në spotin e parë, vlera prej 6.2 milionë lekësh është ndarë 1.8 milionë lekë për ‘Top Channel’ dhe 4.4 milionë për TVSH dhe ‘TV Klan’. Në spotin e dytë, vlera prej 7.6 milionë lekësh është ndarë ‘Klan’ dhe TVSH 4.9 milionë lekë dhe ‘Top Channel’ 2.7 milionë lekë”, ka sqaruar zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve. Sipas ministrisë, dokumenti që deputeti socialist i është referuar në deklarimin e tij, është ai që ministri Olldashi i ka dhënë si përgjigje interesimit të deputetit tjetër socialist, Erjon Braçe.


 


“Përveç asaj që kanë marrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, vetëm nga Drejtoria e Rrugëve na paskan dalë për Frangajn e vogël, kompaninë ‘Promo shpk’, plot 190 000 USD”


 


 


Tabela me denoncimet e PS-së për skandalin e reklamave


 


Mistria e Punës, ¼ e buxhetit mediatik e merr shoqëria “Promo shpk” e “Klanit”


Ministria e Bujqësisë ka shpenzuar rreth 400 mijë dollarë për reklama, në vitet zgjedhore 2009 dhe 2011 për kompanitë “Cover Media” dhe “Promo shpk”


Ministria e Brendshme shpenzimet për reklamat


Viti 2006 7 500 $


Viti 2007 100 000 $


Viti 2008 219 000 $


Viti 2009 765 000 $


Viti 2010 1 930 000 $


Viti 2011 1 000 000 $


Viti 2012 vetëm për 5 mujorin e parë, 714 000$


Mbi 4 milionë euro, për të propaganduar qeverisjen e saj. Një kompani e pranishme në të gjitha këto vite, quhet “Promo shpk”.


Ministria e Mbrojtjes, 2.5 milionë USD për reklamat për TV proqeveritare, këto kanë shkuar vetëm në një agjenci prodhimi “Promo shpk” dhe te “TV Klan”.