Shefat e tatimeve “mbështesin” deklaratat e Kryeministrit për bum punësimi dhe të ardhurash


Pas datës 16 gusht, kur Kryeministri Berisha përcolli në mbledhje të qeverisë bumin turistik të sezonit, të gjithë shefat e tatimeve që mbulojnë zonat bregdetare kanë nisur të dalin më media duke argumentuar shifrat e kreut të qeverisë.


I pari, më datë 4 gusht ishte drejtori i përgjithshëm i tatimeve, Gazmir Spahija, i cili lexonte me emocion të dhënat e shënuara në letër, sipas të cilit, në vend të ardhurat janë rritur me 8 për qind, numri i bizneseve është shtuar me 3 mijë dhe ku gjysma i takon sektorit të turizmit. Kështu më radhë të gjithë krerët e tatimeve po bëjnë çdo ditë propagandë se nga turizmi vendi ynë ka përfituar plot të mira, duke nisur nga punësimi, rritja e aktivitetit, shtimi i bizneseve etj. I fundit që foli dje ishte drejtori i degës rajonale për Durrësin, zona kryesore që menaxhon fluksin më të madh të vizitorëve në vend.


“Shqipëria ka marrë turistë të huaj rreth 277 mijë më shumë gjatë 7 muajve të parë të vitit sesa një vit më parë. Pushuesit shqiptarë dhe të huaj bënë që të fuqizohet më tej si degë kryesore në ekonominë shqiptare dega e turizmit. Ata bënë që vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 190 mijë vende pune. Një shifër rekord. Të gjithë ata të cilët udhëtojnë nga Velipoja në Ksamil konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor”, u shpreh Kryeministri në një nga mbledhjet e qeverisë gjatë muajit gusht. Kjo deklaratë bie ndesh me atë çfarë raportohet nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, Durrës, me një shtim të të punësuarve me rreth 4500. Nëse qyteti nr.1 i Turizmit ka nxitur rritjen me 4500, si mundet që në total, për aq zona sa mbeten, të punësuarit janë rritur me 190 mijë, sipas liderit të qeverisë.


Deklaratat e Berishës vijnë tre muaj pas aksionit të madh të administratës tatimore në disa rajone bregdetare të vendit, pasi nga analizat, turizmi rezultonte sektori më informal në vend dhe më me risk për mospagim taksash. Pra, tatimet ishin të parët që vendosën në shënjestër turizmin dhe operatorët e këtij sektori, nën kërcënimin e gjobave, dhe tashmë janë po tatimet që sot lavdërojnë këtë sektor, i cili brenda tre muajve paska bërë mrekulli me arkëtimet dhe respektimin e ligjit.


“Në muajt qershor-gusht kemi mbledhur 43 miliardë lekë të ardhura, ose 3 miliardë lekë më shumë, kurse si numër biznesesh, janë shtuar 3 mijë, ku gjysma i takojnë sektorit të turizmit”, deklaronte Gazmir Spahija në fillim të shtatorit, duke mos përmendur shifra të punësimit.


Sa i takon Durrësit, rajonit numër dy, pas Tiranës, por kryesore në menaxhimin e të ardhurave dhe fluksit të vizitorëve, drejtori i tatimeve në këtë qytet, Shkëlqim Fortuzi, deklaroi se janë mbledhur rreth 7 miliardë lekë më shumë, gjatë sezonit turistik. Kjo deklaratë është një propagandë e pastër, pasi të ardhurat tatimore si 8-mujor rezultojnë sipas financave me minus të lartë. Shteti në arkën e tij, deri në muajin gusht ka regjistruar humbje deri në 10 miliardë lekë. Gjithashtu, shifra e deklaruar për Durrësin bie ndesh me atë çfarë ka deklaruar shefi i madh në Tiranë, për 3 miliardë lekë më shumë në total (për të gjithë vendin). Vetëm për këtë sezon turistik, statistikat e Drejtorisë Rajonale Tatimore tregojnë se rajoni i Durrësit është vizituar nga rreth 3,5 milionë turistë me qëndrim një ditor, të cilët kanë përfituar edhe nga shërbimet që ofrojnë operatorët e shumtë ekonomikë, qofshin ata dhe të palicencuar. Megjithatë, informaliteti në sektor vijon të jetë i lartë, kurse ndotja mbetet tejet problematike.


V.Qyrfyçi