Bardheblutë fitojnë ngushtë në Gjirokastër, vlonjatët barazojnë 1-1 në shtëpi


Altin Manallari


Debutim me fitore për Artur Lekbellon. Ishte për herë të parë në krye të bardhebluve dhe fitorja në transfertë duhet të konsiderohet një rezultat jo vetëm pozitiv, por edhe premtues falë logjikës së fitores, por për një skuadër që pretendon titullin, ndoshta duhet më shumë, përveç asaj që tregon tabela e klasifikimit. Tirana pas katër javësh kampionat është e para (në pritje të Skënderbeut që luan të hënën. Është kryesuese dhe askush nuk mund t’i mohojë atë që ajo e mbron me pikë. Por ajo që duhet theksuar, ka të bëjë me faktin se trajneri i ri e ka nisur më këmbë të mbarë debutimin e tij në krye të pankinës së Tiranës. Artur Lekbello, drejtuesi i sapoemëruar i 24 herë kampionëve të vendit fitoi 1-0 në Gjirokastrës. Bardheblutë e kanë gjetur golin që në minutën e 14-të me anë të Çotës. Pas këtij goli loja bëhet e hapur, ku të dy skuadrat kërkojnë të shënojnë, por pjesa e parë mbyllet 0-1. Gjirokastritët drejtoheshin nga një ikonë bardheblu, si Nevil Dede, por kjo gjë nuk mjaftoi që Luftëtari të marrë pikë ndaj kryeqytetasve. Tirana arrin të administrojë golin e vetëm të shënuar nga Çota. Me këtë fitore Tirana provizorisht mban vendin e parë në kuotën e 10 pikëve, por është në pritje të Skënderbeut, i cili luan të hënën në shtëpi ndaj Laçit. Ndërkohë që Flamurtari i Hulian Rubios nuk ka mundur të shkojë përtej barazimit 1-1 ndaj Shkumbinit në një ndeshje luftarake, ku duket se taktika e Gugash Maganit ka triumfuar mbi atë të spanjollit, që ende duket nuk e njeh mirë ekipin e tij. Ky barazim mund t’u kushtojë shumë vlonjatëve. Në dy ndeshje të zhvilluara në Vlorë ekipi i trajnerit Hulian Rubio nuk ka ditur të fitojë, pasi është munduar 1-0 nga Laçi dhe së fundi barazuan 1-1 me Shkumbinin. Ndonëse është investuar shumë, Flamurtari po tregon se nuk është gati për të qenë pretendent real, ndonëse është herët, pasi janë luajtur 4 nga 26 javë të kampionatit. Pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0. Por me fillimin e pjesës së dytë vlonjatët gjejnë golin me anë të Memellit që në minutën e 49-të realizon nga pika e bardhë e penalltisë. Kuqezinjtë, pas golit e marrin me qetësi me shpresën se do ta administronin deri në fund këtë fitore minimale. Por në minutën e 82-të Arvist Gjata i befason vlonjatët e trajnerit Rubio dhe 1-1. Ky rezultat mbetet i pandryshuar deri në fund dhe peqinasit marrin një pikë mjaft me vlera, ndërsa vlonjatët vënë shumë pikëpyetje për të ardhmen e tyre. Flamurtari i Rubios është projektuar për të synuar titullin kampion dhe 5 pikët diferencë nga kryesuesit në 4 javë, nuk nënkuptojnë se janë në linjën e duhur. Ndërkohë që java e 4 e Kategorisë Superiore vazhdon sot me  tre takime, mes të cilëve më interesanti është ai mes Vllaznisë dhe Apolonisë, ku shkodranët nuk mund t’i falin vetes asnjë rezultat veç fitores. Kastrioti-Tomori është një ndeshje, ku krutanët shikohen si favoritë, ndërsa Kukësi luan në shtëpi sot në kërkim të fitores së parë në Superiore, pa tre barazimesh radhazi në këtë edicion. Java mbyllet nesër me ndeshjen mes Skënderbeut dhe Laçit.


 


Superiore  (Java IV)


TË PREMTEN


Besa-Teuta 1-0


Berisha 64’


DJE


Luftëtari-Tirana     0-1


Çota 14′


Flamurtari-Shkumbini 1-1


Memelli 49′ (11-m) / Gjata 80′


SOT


14:00 Kastrioti-Tomori


14:00 Kukësi-Bylis


17:00 Vllaznia-Apolonia


NESËR


19:00 Skënderbeu-Laçi


Klasifikimi


Skuadra    N    P


1. Tirana       4    10


2. Skënderbeu   3    7


3. Laçi         3    7


4. Besa         4    7


5. Flamurtari   4    5


6. Vllaznia     3    4


7. Luftëtari    4    4


8. Kastrioti    3    4


9. Teuta        4    4


10. Shkumbini   4    4


11. Kukësi      3    3


12. Bylis       3    2


13. Apolonia    3    2


14. Tomori      3    0


 


Kategoria e Parë


Lushnja nuk ndalet, fiton edhe Partizani


Pas fitores së Kamzës të premten, të shtunën konfirmohet Lushnja si kryesuese e padiskutueshme me 4 fitore në 4 javë, ndërkohë që Partizani i 1001 problemeve merr një fitore me peshë ndaj Tërbunit. Lushnjarët kanë mposhtur 2-0 Elbasanin, fitore e cila mund të ishte edhe më e thellë, nëse në minutën e 43-të Canka nuk do të humbte një 11-metërsh. Skuadra e Artan Banos është ekipi më i mirë i momentit në këtë ligë, ku përveç katër fitoreve, lushnjarët nuk kanë pësuar asnjë gol. Partizani, duket se ka dashur të harrojë për momentin mosmarrëveshjet mes dy aksionerëve Lulzim Sallaku dhe Paro Laçi dhe ka marrë një fitore të rëndësishme 3-2 ndaj Tërbunit, rivalit më të ashpër me të cilin garoi në Kategorinë e Dytë sezonin e kaluar. Në momentin që gjyqtari akordoi kundër të kuqve një penallti të dyshimtë, administratori Paro Laçi, tërhoqi ekipin nga fusha, por pas disa minutash skuadra u rikthye për të vazhduar ndeshjen. Fitore dje kanë shënuar Pogradeci ndaj Gramshit dhe Ada në shtëpi ndaj Butrintit.