Aleanca Kuq e Zi ka ndërmarrë ditën e sotme një aksion, siç e ka cilësuar, kundër premtimeve të pambajtura nga ana e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Sipas AK, edhe sot në ditën e 425 të Bashës në krye të bashkisë më të madhe në vend, ai nuk ka mbajtur asnjë prej premtim të bëra në fushatën elektorale.
Aleanca Kuqezi e cilësoi aksionin e saj publik “Dosja Basha, fytyra e mashtrimit” për të denoncuar ato që i kanë cilësuar si mashtrime të kreut të bashkisë së kryeqytetit, një ndër më të mëdhatë sipas të cilëve, është ai për ndërtimin e tramvajit, i trumbetuar me të madhe gjatë fushatës elektorale.
“Një nga premtimet e pambajtura të kryebashkiakut është ndërtimi i linjës së tramvajit, i cili duhej të bëhej në një kohë rekord, por që ende nuk ka nisur”, – tha sekretari për Teknologjinë dhe Informacionin në AK, Migen Qiraxhi.
AK e ka akuzuar Bashën për drejtim korruptiv dhe klientelist të bashkisë Tiranë, duke theksuar se ai është duke ecur në gjurmët e njeriut që e vuri në krye të bashkisë, duke iu referuar kryeministri Sali Berisha.
Kjo për ne dhe shumë qytetarë të Tiranë nuk është e papritur, sepse dardha do të shkojë nën dardhë, pra Lulzim Basha do t’i ngjajë në premtime dhe mashtrime shtetasit Sali Berisha, njeriut që e vendosi me pahir në drejtimin e Tiranës, jo për qytetarët, por për interesat klienteliste të miqve të oborrit qeveritar”, – thonë aktivistë të AK.
24 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)